Ndërlidhjet

logo-print

Volker: Rusia të përmbushë zotimet që i ka bërë

  • Ahto Lobjakas - Radio Evropa e Lirë

Kurt Volker

Kurt Volker

“Trysnia ndërkombëtare dhe fakti i vetizolimit të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar mund të intensfikohen nëse rusët dështojnë në përmbushjen e marrëveshjes”, thotë ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker, për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë të mjaftueshme për Shtetet e Bashkuara kushtet që janë paraparë në marrëveshjen e negociuar nga Bashkimi Evropian në Moskë, mbi tërheqjen e forcave ruse nga disa pjesë të Gjeorgjisë?

KURT VOLKER
Më lejoni të filloj duke thënë se ne mirëpresim përpjekjet e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, dhe të Bashkimit Evropian për ta shtyrë Rusinë të zbatojë marrëveshjen e arritur më 12 gusht. Ne mendojmë se është e rëndësishme që këto përpjekje të vazhdojnë.

Mendoj se kanë kaluar katër javë që kur Rusia fillimisht premtoi, më 12 gusht, të zbatojë armëpushimin dhe të tërheqë forcat e saj. Ne ende nuk e pamë një gjë të këtillë.

Prandaj, ka qenë e rëndësishme të bëhet hapi që është bërë në Moskë, për ta ftuar Rusinë sërish të përmbushë zotimet. Kushtet e marrëveshjes janë hapa të rëndësishëm, mund të na çojnë në drejtimin e duhur. Tani duhet ta shohim Rusinë duke i zbatuar ato.

Dhe, duhet të mbajmë në mend se e gjithë kjo është në kontekstin e mbështetjes sonë të fuqishme për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Gjeorgjisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian mund të ushtrojë më shumë trysni mbi Rusinë?

KURT VOLKER
Unë mendoj se ne duhet të kërkojmë nga Rusia zbatimin e asaj mbi të cilën është zotuar vetë, përfshirë këtu edhe tërësinë e marrëveshjes së 12 gushtit.

Për ta bërë një gjë të këtillë, ata duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar është duke vëzhguar nga afër dhe është i gatshëm të përgjigjet nëse Rusia dështon në këtë përmbushje.
Dhe ,deri më tash, mendoj se kemi parë një qëndrim me të drejtë të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar në javët e kaluara, përfshirë këtu Bashkimin Evropian, NATO-n, shtete të ndryshme dhe përfshirë këtu edhe ministrat e jashtëm të G7-ës.

Jam më se i sigurt se kjo formë e trysnisë ndërkombëtare dhe fakti i vetizolimit të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar mund të intensfikohen nëse rusët dështojnë në përmbushjen e marrëveshjes.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njëjtin qëndrim kur bëhet fjalë për tërheqjen afatgjate të Rusisë? A mendojnë Shtetet e Bashkuara se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Osetia Jugore dhe Abkhazia dhe nga pjesa tjetër e Gjeorgjisë?

KURT VOLKER
Mendoj se qëndrimet këtu janë shumë të qarta dhe tërësisht të mbështetura si nga Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja gjithashtu.

Për të qenë më specifik në çështjen që ngritët: Marrëveshja e arritur më 12 gusht thotë se rusët duhet të tërhiqen në pozicionet që kanë pasur para 6 gushtit. Kjo do të thotë se ata do të kenë vetëm disa trupa në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi, por ato nuk duhet të jenë forca luftarake. Do të duhej të ishin në nivelin që kanë qenë në atë kohë.

Ky është qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Gjithashtu, ne kemi një pikëpamje të përbashkët mbi mbështetjen dhe vendosmërinë tonë për sovranitetin dhe integritetin e Gjeorgjisë, se këto rajone nuk janë shtete të pavarura, por në fakt janë pjesë të territorit sovran të Gjeorgjisë dhe në një proces më afatgjatë ne duam të shohim arritjen e një zgjidhjeje politike për këto zona konflikti.

RADIO EVROPA E LIRË

A e mbështesin Shtetet e Bashkuara kërkesën e Rusisë që Osetia e Jugut dhe Abkhazia të përfaqësohen plotësisht në bisedimet e Gjenevës, të cilat fillojnë më 15 tetor?

KURT VOLKER
Fillimisht, ne duhet të sigurojmë që Rusia ka bërë atë që ka thënë se do të bëjë, para se të arrijmë të flasim mbi strukturën e bisedimeve të Gjenevës. Ne duhet të sigurojmë që Rusia, në fakt është duke zbatuar tërheqjen e forcave të saj, ashtu siç ka premtuar se do të bëjë.

Fundja, nëse duam të kemi zgjidhje për zonat e konfliktit, të gjitha palët duhet të jenë të angazhuara, por kjo nuk do të thotë se do të jenë aty si shtete të pavarura. Ne duhet t'i angazhojmë njerëzit e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë si pjesë të territorit sovran të Gjeorgjisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim për Afganistanin, për hetimet që ushtria amerikane i ka rinisur mbi sulmin ajror të forcave të koalicionit më 22 gusht, në të cilin Qeveria afgane pohon se janë vrarë 90 persona. Çelësi për të shmangur çdo formë të rebelimit është krijmi i vullnetit të mirë tek popullata vendore.

A mendoni se Shtetet e Bashkuara janë duke bërë mjaft për të kufizuar dëmet që operacionet ushtarake shkaktojnë në Afganistan, për të shmangur viktima në radhët e civilëve?

KURT VOLKER
Natyrisht, ne shqetësohemi shumë mbi çështjen e viktimave civile, ne nuk duam të ketë viktima në civilë, ne bëjmë përpjekje intensive për të shmangur diçka të këtillë kudo që është e mundshme.

Një nga vështirësitë me të cilat përballemi në Afganistan është fakti se përballë kemi një armik që synon nxitjen e incidenteve me viktima në radhët e civilëve, qofshin ato incidente reale apo të fabrikuara.

Kjo është e tmerrshme për ta që angazhohen në rajonet e banuara me civilë, që të shfrytëzojnë civilët si mburoja, që qëllimisht t’i vënë në shënjestër civilët në sulmet e tyre dhe t’i nxisin forcat që po bëjnë përpjekje ta rindërtojnë Afganistanin dhe ta ndihmojnë popullin e tij, në konflikte ku më të rrezikuarit janë civilët.

Ne duhet të bëjmë çmos për t'i shmangur këto viktima. Duhet të punojmë më afërsisht me Qeverinë afgane, me Kombet e Bashkuara, me zyrtarët lokalë afganë, me forcat e koalicionit, për të bërë gjithë ç’është e mundur për të parandaluar viktimat në radhët e civilëve.

Dhe, kur ka incidente në të cilat përfshihen edhe civilët ose kur të paktën ka akuza për diçka të këtillë, ne duhet të jemi në gjendje të hetojmë. Në incidentin e fundit në Shindad, kjo është saktësisht ajo çka ne po bëjmë.

Kemi bërë një hetim preliminar, të tjerët kanë sjellë video-xhirime dhe ne do të hetojmë prapë, sepse, siç ka thënë edhe gjenerali David McKiernan, duam t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje.
XS
SM
MD
LG