Ndërlidhjet

logo-print

Shumica e serbëve në Kosovë e pranojnë decentralizimin, përderisa pengesat për zbatimin e reformave në pushtetin lokal vërehen në veri, u tha pas takimit të grupit të përbashkët për decentralizimin të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Decentralizimi dhe reformat në pushtetin lokal do të jenë një nga prioritetet e Kosovës në kuadër të zbatimit të Planit të Ahtisaarit, është thënë sot në takimin e grupit për decentralizimin, ku marrin pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith.

Kryeministri Thaçi tha se decentralizimi dhe zbatimi i planit të Ahtisaarit paraqet kornizën në të cilën do të zbatohen përkushtimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe veri-atlantike.

“Me reformimin e pushtetit lokal do të përfitojnë të gjithë qytetarët, si individë, por edhe si komunitete”,
theksoi Thaçi, duke besuar se edhe komuniteti serb do ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Thaçi tha se me decentralizimin, në asnjë formë nuk cenohet integriteti i Kosovës, por, si tha ai, përkundrazi, Kosova forcon pozitën e vet si shtet duke i trajtuar më mirë pakicat.

“Karakteri unitar i shtetit të pavarur të Kosovës dhe kufijtë e saj ndërkombëtarë të njohur dhe garantuar janë mundësi e mirë për të ecur përpara në mënyrë të sukseshme. Decentralizimi nuk do ta cenojë në asnjë mënyrë këtë karakter unitar. Uniteti i një vendi rrezikohet kur mohohen të drejtat e qytetarëve të tij e jo atëherë kur ato afirmohen
”, tha Thaçi.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, tha se besonte që edhe komuniteti serb do ta pranojë decentralizimin.

Ndërsa, për pjesën veriore të Kosovës, ku serbët kanë një rezistencë më të theksuar ndaj autioriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare, Feith nuk ka mundur të parashohë se kur do të mund të startohet me decentralizimin. Ai përmendi komunat, të cilat tashmë e pranojnë këtë proces.

“Ne do të procedojmë tash me komunat që janë të gatshme t'i bashkohen qeverisë në këtë proces
”, tha Feith, i cili sot, bashkë me përfaqësuesit e Grupit Mbikëqyrës për Kosovën, kanë vizituar Novobërdën, ku parashihet që në kuadër të decentralizimit kjo komunë t'i zgjerojë kufijtë e saj me disa vendbanime të reja.

Feith tha se decentralizimi do t'u sjellë në radhë të para përfitime komuniteteve pakicë.

Ndërkaq, duke sqaruar punën e deritashme, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se aktualisht vendimet kanë të bëjnë me punën e ekipeve përgatitore, si dhe informimin e publikut.

Sipas Feratit, mund të konstatohet se shumica e serbëve e pranojnë decentralizimin, duke përjashtuar veriun.

Nuk kemi bërë ndonjë matje veç e veç, por në të gjitha sondazhet që kemi bërë deri tash dëshmohet se mbi 70 për qind e komunitetit serb e pëlqen decentralizimin dhe dëshiron të ndodhë. Janë akoma barrierat politike, presionet dhe ndikimet prej anash që ata nuk e shprehin në çdo rast këtë. Por, jemi të kënaqur me fillimin dhe kemi krijuar bindjen e plotë se ky proces do të ecë tutje”, u shpreh Ferati.

Ndërsa, për tri komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe ende nuk ka ide se si do të zbatoheshin reformat; sa i përket Mitrovicës, u tha se mbetet zgjidhja sipas planit të Ahtisaarit, sipas të cilit, Mitrovica do të ishte qytet i bashkuar, por me dy komuna dhe nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar.

Procesi i decentralizimit parasheh reforma në pushtetin lokal, bartje të përgjegjësive nga institucionet qendrore në ato komunale në fushat e administratës, arsimit, shëndetësisë, si dhe krijimin e komunave të reja, kryesisht komuna me shumicë serbe.

Grupi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe Zytës Civile Ndërkombëtare është angazhuar sot që punët të kryhen me kohë, në mënyrë që në vjeshtën e vitit të ardhshëm, edhe komunat e reja të jenë të gatshme për procesin e zgjedhjeve të lira, ngjashëm me komunat ekzistuese.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG