Ndërlidhjet

Doganat në veri - çështje politike


Pamje nga djegia e pikës kufitare Bërnjak, 19 shkurt 2008.

Pamje nga djegia e pikës kufitare Bërnjak, 19 shkurt 2008.

Përfaqësuesit e Shërbimit Doganor të Kosovës thonë se për rikthimin e funksionimit normal të pikave kufitare në veri të Kosovës, kanë plan të veçantë operacional të veprimit. Kurse, autoritetet e rendit vlerësojnë se rikthimi i një situate normale të funksionimit doganor nuk mund të ndodhë tash për tash dhe, sipas tyre, kjo çështje është politike.

Mosfunksionimi i pikave doganore në veri të Kosovës po mundëson kontrabandën me naftë dhe mallra të tjera, thonë zyrtarë të doganave.

Pikat kufitare në veri të Mitrovicës janë djegur nga banorët serbë, në shenjë pakënaqësie për shpalljen e pavarësisë.

Por, Shërbimi Doganor i Kosovës ka një plan operacional se si duhet të veprohet në momente të caktuara për rikthimin e funksionimit normal të doganave në veri të Kosovës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Shërbimit Doganor, pohon se funksionimi normal i doganave në veri është çështje që varet nga shumë faktorë.

"Sa i përket doganës, dogana e ka planin e vet operacional, i cili parasheh edhe kthimin, edhe mënyrën se si do të kthehet. Por, për t'u zbatuar ky plan, nuk është i mjaftueshëm vetëm vullneti i doganës, apo plani i doganës të realizohet. Siç e dini, kjo çështje është shumë më e madhe sesa vullneti jonë për t'i kthyer. Kjo çështje është e ndikuar prej shumë faktorëve; duhet nisur nga faktorët politikë, të sigurisë dhe faktorët tjerë", tha Stavileci.

Nga ana tjetër, Veton Elshani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se zgjidhja e këtij problemi nuk është edhe e lehtë.

Elshani, mosfunksionimin e doganave në veri të Kosovës, që shtatë muaj më radhë, e konsideron si çështje politike.

"Problemi i doganave, ne e kemi theksuar edhe më herët, është një problem politik. Nuk ka të bëjë me çështje se duhet ta japim ne lejen, apo jo. Duhet të kthehet klima e favorshme që ato të kthehen në atë vend. Ndërsa, puna policore që është kryer aty, vazhdon të kryhet edhe më tutje", tha Elshani.

Zoti Elshani thotë se policia e Kosovës konsideron se nëse në këtë kohë bëhen përpjekje për një rikthim të doganierëve në pikat kufitare, situata e sigurisë mund të përkeqësohet.

"Kjo është një ngjarje që dihet pse ka ndodhur dhe nëse ato kthehen tash, në këtë moment, ne kemi konsideruar se mund të vijë deri te tensionimi i situatës. Kështu që duhet të punohet në aspektin politik që ata të kthehen dhe të mos kenë ndonjë problem", tha Elshani.

Zyrtarë të Shërbimit Doganor të Kosovës vlerësojnë se kontrabanda në pjesën veriore të vendit vazhdon të jetë e madhe.

Zëdhënësi i Shërbimit Doganor, Adriatik Stavileci, thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë kapur disa persona, të cilët kanë tentuar të kontrabandojnë mallra nga Serbia në Kosovë.

"Dogana ka zënë diku afro 300 raste të tentim-kontrabandimit. Vetëm dje dhe pardje i kemi zënë afro 2000 litra naftë, që kanë tentuar t'i kontrabandojnë. Kështu që mund t'ju them se dogana po vepron mjaft mirë në parandalimin e kontrabandës",
tha Stavilevci.

Në anën tjetër, zyrtarë të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë thënë se shpresojnë që t'i kthejnë sa më parë nën kontroll pikat doganore në kufi, për të kontrolluar qarkullimin e mallrave në atë pjesë.

Ndryshe, ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se me mosfunksionimin e pikave kufitare në veri të Mitrovicës, Kosova do të humbë shumë ekonomikisht.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG