Ndërlidhjet

logo-print

Rikonfigurimi i UNMIK-ut - boshllëk në siguri


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Paqartësitë eventuale që mund të dalin gjatë bartjes së kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara tek misioni i BE-së, EULEX, do të krijonin probleme operative, si dhe një boshllëk në fushën e sigurisë, thonë ekspertët për siguri.

Rikonfigurimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe transferimi i kompetencave nga ky mision te misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici, EULEX, mund të shkaktojnë probleme operative në aspektin e sigurisë.

Kështu thonë ekspertët për siguri në Kosovë, të cilët vlerësojnë se dilemat e mundshme rreth përgjegjësive të të dyja misioneve dalin si rezultat i funksionimit të tyre brenda një kornize ligjore.

Eksperti Nuredin Ibishi thotë se problemet më të mëdha gjatë bartjes së kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i mund të jenë të natyrës praktike.

"Së pari, është e vështirë që dy misione të jenë funksionale në kuadër të një juridiksioni shtetëror. Misioni EULEX nën ombrellën e UNMIK-ut edhe më tej e vështirëson në kuptimin real se çka do të jetë kompetencë e njërës dhe çka kompetencë e tjetrës dhe sa do të jenë ato funksionale në anën praktike",
shprehet Ibishi.

Sipas Ibishit, ekziston madje rreziku i krijimit të një boshkllëku në aspektin e sigurisë, duke pasur parasysh paqartësitë ndërmjet misionit të OKB-së dhe atij të BE-së lidhur me zinxhirin akoma të padefinuar komandues.

"Ka boshllëqe të shumta që e habisin njeriun se si përgjithësisht funksionon sistemi i sigurisë në Kosovë, përveç natyrisht pjesës së KFOR-it, i cili është autoritet për veprimin e vet, mirëpo këto të tjerat kanë mbetur ende pa definim të statusit",
thotë ai.

Në anën tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Qerim Qerimi, mendon se dilemat e mundshme rreth bartjes së kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i mund të jenë shkaktuar nga qëndrimet akoma të padefinuara të shteteve anëtare të OKB-së, në njërën anë, si dhe të shteteve të BE-së, në anën tjetër, karshi çështjes së Kosovës.

"Kjo që aktualisht po ndodh në Kosovë me planin e rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe të raporteve të UNMIK-ut me misionin e Bashkimit Evropian, është më tepër refleksion i gjendjes në marrëdhënie ndërkombëtare, sesa që gjendja këtu mund të ndikojë në raportet në mes të shteteve ose qëndrimeve të tyre ndaj Kosovës
", vlerëson Qerimi.
Rikonfigurimi i prezencës së Kombeve të Bashkuara ka filluar kohë më parë dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Plani për rikonfigurim të UNMIK-ut parasheh zvogëlimin e stafit për rreth 70%, si dhe bartjen e kompetencave që kanë të bëjnë me fushën e ligjore dhe atë në polici tek misioni EULEX.
XS
SM
MD
LG