Ndërlidhjet

logo-print

"ICO-ja kritikon Qeverinë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Grupi Drejtues Ndërkombëtar, që është mekanizmi mbikëqyrës i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, do të mblidhet sot në Prishtinë, për të diskutuar rreth zhvillimevë të fundit në vend. Drejtorë për Ballkanin, në ministritë e 25 shteteve që e kanë njohur pavarësinë, janë mbledhur në Kosovë, për të ridefinuar qëndrimet e këtyre shteteve mike karshi zhvillimeve të fundit në vend. Sipas traditës, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Stuart Xhons, që në administratën amerikane i bie të ketë funksion të njëjtë me një drejtor për Ballkanin në shtete tjera, paraprakisht, u takua dje (e enjte) me liderët kosovarë. Xhons do të përfaqësojë SHBA-në në takimin e sotëm të ISG-së, pasi që ka zëvendësuar në këtë post diplomaten Rozemari Di Karlo. Xhons nuk ka preferuar që të flasë shumë për media. Sidoqoftë, ai ka thënë se për SHBA-në çështja e Kosovës është zgjidhur. "Për Uashingtonin çështja e Kosovës është zgjidhur, prandaj tani duhen prova të progresit ekonomik, në mënyrë që të dëshmohet se Kosova mund të qëndrojë si shtet", ka thënë Xhons në takimin me presidentin e vendit, Fatmir Sejdiun...

LAJM
Autoritetet kosovare nuk do të pranojnë kurrfarë kushtesh në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Shkupi zyrtar. Nëse Maqedonia dëshiron ta njohë Kosovën, atëherë ajo nuk duhet të kërkojë që të përfundojë gjithsesi procesi i demarkacionit dhe që të njihet emri i saj kushtetues - Republika e Maqedonisë. Kështu u është përgjigjur të enjten udhëheqësve maqedonas, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj. "Ne nuk pranojmë dhe nuk kërkojmë njohje me kushte, jo vetëm nga Maqedonia, por nga asnjë vend tjetër. Presim që ky vend ta njohë Kosovën, por nuk mund ta detyrojmë që ta bëjë këtë. Ne nuk duam njohje me kushte dhe nuk na pëlqen kur na vënë kushte për njohje, në këtë rast nga Maqedonia me demarkacionin", tha Manaj për "Lajm", pa e bërë të qartë nëse Kosova do ta njohë emrin kushtetues të Maqedonisë. Maqedonia ka kushtëzuar njohjen e Kosovës me shenjimin e vijës kufitare dhe njohjen e emrit të saj kushtetues, ndonëse liderët e institucioneve të Kosovës kanë përsëritur shumë herë se njohja nga Maqedonia nuk lidhet fare me demarkacionin...

KOHA DITORE
Zyra Ndërkombëtare Civile në Kosovë (ICO) ka shprehur shqetësime serioze për keqmenaxhimin dhe ndikimet e drejtpërdrejta politike që është duke i bërë Qeveria e Republikës së Kosovës nëpër ndërmarrjet publike të Kosovës, Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës, Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Aeroportin. Përmes një memorandumi të brendshëm të ICO-s, që e ka parë "Koha Ditore", i cili i është përcjellë edhe përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Pieter Feith, Qeveria e Kosovës kritikohet ashpër nga Njësiti për Çështje Ekonomike (EFAU) që vepron në kuadër të ICO-s, për ndikime politike, mungesë të zhvillimit të politikave për pronësinë e ndërmarrjeve publike e për veprimet e jashtëligjshme në këtë aspekt. Në këtë memorandum thuhet qartë se njerëzit e dërguar nga qeveria nëpër bordet e ndërmarrjeve publike janë me ndikime politike dhe se këto veprime të qeverisë do të paraqesin sfida të mëdha në të ardhmen për këto ndërmarrje. "Me Ligjin për ndërmarrje publike, qeveria është dashur që të emërojë njerez kompetentë dhe të pavarur nëpër 25 bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve publike. Deri tani janë emëruar vetëm borde të përkohshme të drejtorëve në PTK edhe ANP. Veç kësaj, shumica e anëtarëve të bordeve kanë lidhje direkte politike duke dështuar të përmbushin kualifikimet minimale profesionale të kërkuara", shkruan në memorandumin e brendshëm të ICO-s...

EPOKA E RE
Përfaqësues të UNMIK-ut, të udhëhequr nga shefi i këtij misioni, Lamberto Zanier, arrijnë sot (e premte} në Beograd, për t'i vazhduar bisedimet e filluara më herët me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë rreth kthimit të serbëve në policinë dhe në gjyqësorin e Kosovës. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, u ka thënë medieve serbe se në takim do të kërkohen modalitetet, sipas të cilave, serbët do të ishin pjesë të policisë dhe gjyqësorit në Kosovë, por jo në organet që janë të lidhura me institucionet e Kosovës në Prishtinë dhe misionin EULEX, por vetëm me UNMlK-un. "Duke u lidhur me UNMIK-un, ne e respektojmë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila e njeh integritetin territorial të Serbise'", ka shtuar Ivanoviq. Ai ka theksuar se me pjesëmarrjen e serbëve në poiici, do të sigurohet mbrojtja e komunitetit serb në Kosovë, sepse, siç ka thënë ai, policët serbë në kuadër të Policise së Kosovës do të jenë në gjendje ta mbrojnë popullin në Kosovë. "Askujt nuk i konvenon kjo situatë në të cilën nuk ka sundim të ligjit dhe në të cilën nuk mbrohet populli serb, sidomos në Kosovën Qendrore dhe në enklava të vogla, dhe ne këtë situatë duhet ta zgjidhim", ka thënë Ivanoviq...

EXPRESS
Përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, Pieter Feith, dhe shefi i diplomacisë, Yves de Kermabon, kanë shprehur që të dy gatishmërinë që të bisedojnë me Serbinë. "Nëse Beogradi dëshiron të takohet me zyrtarët qeveritarë nga Prishtina, unë jam i gatshëm. Do të jem i Iumtur të ndërmjetësoj. Unë jam i hapur dhe nëse Beogradi dëshiron të thotë se cilat janë prioritetet e tij, jam i gatshëm", ka thënë Pieter Feith. Ai ka shtuar se ka përvojë me Beogradin në vitin 2001 gjatë bisedimeve për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës. Këtë gatishmëri e ka shprehur edhe shefi i misionit evropian për drejtësi dhe polici, Yves de Kermabon. Ai ka thënë per BBC se është i gatshëm që të udhëtojë në Beograd sa më shpejt të jetë e mundur për të takuar zyrtarët e lartë serbë, me qëllim të vendosjes së lidhjeve teknike. Ai tha se takimi me zyrtarët serbë ka për qëllim krijimin e një gjendjeje ku mbretëron rendi dhe ligji, në pjesën veriore të Kosovës...

BOTA SOT
"Me forcat tona" - Titulli i editorialit duket mobilizues, triumfalist, progresist, moralizues... por në këtë kohë dhe në këtë çast, nuk ngërthen në vete asnjërën nga vetitë e prejudikuara më lart fjalisë. Pavarësinë e kemi pritur, por tinëzisht duke shpresuar se ajo do të na hapë "dyert e mbyllura" historikisht për Kosovën e varfër dhe të paarsimuar. Liria të jep leje të ecësh drejt pa të penguar armiku, asgjë nuk të vjen vetvetiu bashkë me urinë! Mjafton ajo! Në ngushticën ekonomike kulturore ku vegjeton sot Kosova, për pak kohë sa është e pavarur, kemi pasur para vetes shumë shenja, që nuk janë shkronja alfabeti, t'i lexojmë rrjedhshëm dhe t'i kuptojmë qartë, por duhet të kuptojmë që mësimet të mos i marrim me kurrizin e krizës së rëndë që mbretëron sot. Kush do të kuptojë, do ta shohë se liria vjen me luftë dhe këngë, por jo me bukë dhe kripë. Prandaj, nuk bën të na duket patetik titulli i editorialit "Me forcat tona", se veç me mëvetësimin e vetëdijes qytetare do të mësohemi të mos presim çdo gjë prej pushtetit dhe shtetit. Të ngrihemi dhe të nisemi sipas shembujve që i njohim nga hisioria botërore, të vendeve ku shtetet pas luftës kanë dalë të bombarduara dhe të rrafshuara për dhe. As ato vende që sot numërohen si shtetet më të zhvilluara të botës, pas luftës nuk e kanë pasur një "arkë shteti" dhe duke e hapur atë ta ndërtonin shtetin e tyre. Pushteti është populli i organizuar prej tij, asgjë më shumë...

ZËRI
Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, ka kërkuar nga shtetet anëtare të OKB-së të mbështesin iniciativën e Serbisë, me të cilën kërkohet mendim këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, citojnë mediet serbe kumtesën nga kabineti i kryetarit të Serbisë. "Mendimi i Gjykatës në Hagë do të ndikonte dukshëm në zbutjen e tensioneve të krijuara si pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, do të pengonte zhvillimin e padëshirueshëm të ngjarjeve në rajon dhe do të lehtësonte përpjekjet për marrëveshje ndërmjet të gjitha palëve të involvuara", shkruan Tadiq në letrën dërguar të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. "Serbia do të propozojë aprovimin e propozim-rezolutës në seancën e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo kërkon nga organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, mendim këshillëdhënës për çështjen: a është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të Kosovës", thuhet në letër...

INFOPRESS
Ambasadat e Kosovës jashtë do të startojnë së funksionuari javën e parë të tetorit, ndërsa dhjetë të ngarkuarit me punë nëpër ambasadat e Kosovës dhe sekretarët e tyre kanë filluar një kurs intensiv diplomatik si parapërgatitje për punën e tyre në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për 'lnfopress' zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri. Sipas saj, ky kurs është i organizuar nga MPJ në bashkëpunim me Ministrine e Jashtme të Shqipërisë. Ndërkohë që ata që po e udhëheqin këtë kurs janë diplomatë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë... Startimi i ambasadave të Kosovës me një staf të limituar, fillimisht vetëm me të ngarkuarin me punë e sekretarin, sipas zyrtarëve të MPJ-së, është duke u bërë për shkak të shkurtimit të procedurave të gjata ligjore. "E kemi thënë se startimi me një ekip të limituar është bërë për të shkurtuar procedurat e gjata ligjore për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe të stafit të ambasadave përmes konkursit të hapur", thotë Beqiri...
XS
SM
MD
LG