Ndërlidhjet

ISG kërkon reforma në Kosovë


Pieter Feith
Pieter Feith

Kosova ka nevojë për reformim të pushtetit lokal, për reformimin e sektorit të sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit, tha përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith, pas takimit të Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar për Kosovën, që u mbajt në Prishtinë.


Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, tha se diplomatët nga vendet që e kanë njohur Kosovën e pavarur e vlerësojnë lart përparimin në Kosovë, ndërkaq tani presin reforma të përgjithshme, të cilat parashihen edhe me pakon e Ahtisaarit.

“Prioritetet, të cilat unë i kam identifikuar, janë decentralizimi, e dyta sundimi i ligjit dhe e treta reformat në fushën e sigurisë”, tha Pieter Feith.

Këto reforma, ai tha se do të zbatohen në koordinim të ngushtë me misionin e EULEX-it dhe KFOR-in. Ai tha se për t'i zbatuar këto reforma do të duhet që në Kosovë tash të themelohet Gjykata Kushtetuese dhe të emërohen gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë.

Kurse, në lidhje me reformat në sektorin e sigurisë, Feith tha se aty mes tjerash parashihet që në bashkëpunim me NATO-n, deri në mesin e vitit 2009, të vihen bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Feith tha po ashtu se në kuadër të sundimit të ligjit dhe reformave në fushën e sigurisë, duhet pasur parasysh se do të ketë nevojë edhe për një gjendje më stabile në veri të Kosovës dhe për funksionalizimin e pikave doganore me Serbinë.

Por, siç tha ai, me këto çështje do të duhet të merret EULEX-i pasi që të jetë shtrirë në Kosovë, si dhe disa çështje do të duhet të adresohen në dialogun Prishtinë – Beograd, të cilin po përpiqet ta moderojë shefi i UNMIK-ut.

Sundimi i ligjit dhe reformat në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë janë potencuar si prioritete të Kosovës edhe nga kryeministri Hashim Thaçi.

Pas takimit të Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit, kryeministri Thaçi dhe shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, shprehën zotimet e tyre për luftimin e dukurive negative, si krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Kryeministri Thaçi tha se në Kosovë ka nevojë për reforma, duke pasur parasysh problemet e grumbulluara me vite, që janë shfrytëzuar nga grupe të ndryshme të interesit që të mbajnë peng zhvillimin e sektorit të sigurisë dhe drejtësisë.

“Janë vështirësi mentalitetesh, por edhe vështirësi e ballafaqime të grupeve të interesave të ndryshme. Por, jemi të zotuar që të punojmë me përgjegjësinë më të lartë të standardeve perëndimore, në mënyrë që reformat jo vetëm të mbeten në letër, por që realisht të implementohen”, tha Thaçi.

Ndërkohë, Yves de Kermabon tha se EULEX-i, si mision që do të shtrijë ndikimin në fushat e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, ende po përpiqet t’i sqarojë popullatës, sidomos serbëve, se cili është roli i këtij misioni.

“Po mundohem t'u shpjegoj atyre se çka është EULEX-i dhe cilat janë përfitimet e tyre, sidomos për komunitetin serb
”, tha Kermabon.

Ai edhe sot ka shprehur besimin se misioni i BE-së do të shtrihet edhe në pjesën veriore.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se të gjithë policët, gjykatësit apo doganierët serbë që i kanë lëshuar organet legjitime të Kosovës, mund të kthehen në punë, por me kusht që t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë edhe sot ata, por i ka tri kushte themelore secili që do të punojë në institucionet e Republikës së Kosovës".

"Kushti i parë është që do të vlejë ligji i Republikës së Kosovës, kushti i dytë është që do të ketë vetëm një sistem unik, qoftë për policinë, drejtësinë apo për këdo tjetër, dhe kushti i tretë është që do të jenë nën hierarkinë institucionale të Republikës së Kosovës”, theksoi Kuçi, në lidhje me kthimin e serbëve në vendet e braktisura të punës.

Mbi 2 mijë gjykatës, prokurorë, policë dhe doganierë të vendeve të Bashkimit Evropian pritet të vendosen në Kosovë deri në fund të vjeshtës së këtij viti, përderisa problem më vete ende mbetet shtrirja e këtij misioni në pjesën veriore të Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të serbëve.
XS
SM
MD
LG