Ndërlidhjet

Reformimi në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka përçarë edhe më shumë anëtarët më të lartë të kësaj partie. Disa nga ta deklarojnë se reformimi ka nisur kohë më parë, kurse të tjerët konsiderojnë se një gjë e tillë përmendët vetëm sa për të ulur tensionet.

Çështja e reformimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se ka ndarë mëdysh disa nga figurat më të larta të kësaj partie. Një pjesë e tyre thonë se reformimi tashmë ka filluar, pjesa tjetër e mohon.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Melihate Tërmkolli, konsideron se udhëheqja aktuale po e dëmton rëndë partinë.

"Në fakt, esenca është që këta njerëz, kjo udhëheqje, në njëfarë mënyre, ia ka humbur identitetin LDK-së, duke e sjellë atë në një gjendje të tillë, në një pozitë aktualisht të dytën, por me ato pasoja që shkaktuan rënie edhe më të mëdha. Në veçanti, çështja e identitetit të saj dhe lidhja e kësaj udhëheqjeje në koalicionin aktual e kanë sjellë atë pasojën vendimtare të gjendjes çfarë është sot LDK-ja", tha Tërmkolli.

Por, për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziun, mosmarrëveshjet për të cilat thuhet se janë në këtë parti i përkasin vetëm nivelit të debateve.

"Shikoni, nuk do të thosha se është një lumturi e madhe, sepse vetëm njerëzit e vdekur, ose në parajsë, ose në botën tjetër, janë krejt të qetë. Natyrisht që shqetësime ka për rrugën që praktikisht lidershipi e ka zgjedhur - a është kjo rruga më e mirë, a do të ishte ajo më e mirë, por është në nivelin e debateve. Por, lidershipi ka një përgjegjësi dhe në bazë të përgjegjësive e ka bërë atë që ka bërë", tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, zonja Tërmkolli pohon se vazhdimi i gjendjes aktuale në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të shkaktojë pasoja edhe më të mëdha. Ajo thotë se reformimi në parti nuk ka nisur.

"Thjesht është folur edhe po përflitet për do reforma, etj. E kam thënë dhe do ta përsëris prapë, me Fatmir Sejdiun dhe Eqrem Kryeziun nuk ka reformë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këto janë vetëm disa përpjekje për ta zgjatur 'status quo-n', për të mbajtur pak a shumë një gjendje të këtillë në LDK, për të mos lejuar ndoshta shpërthime të reja", tha Tërmkolli.

Zoti Kryeziu vlerëson se në LDK janë të dukshme reformat dhe, sipas tij, vetëm ata njerëz të cilët nuk janë në rrjedha, mund të flasin për tensione brenda kësaj partie.

"Nëse dikush është në rrjedha të LDK-së dhe thotë se nuk ka reforma, ai ose bën shaka, ose nuk është i kthjelltë sa duhet deri në fund. Reforma në LDK është krejt e ditur për opinionin; ajo kanë filluar shumë herët", tha Kryeziu.

Në fakt, Lidhja Demokratike e Kosovës tash e sa kohë vuan nga ndarjet e brendshme, që pasuan vdekjen e presidentit disavjeçar të kësaj partie, Ibrahim Rugova. Tejkalimi i kësaj gjendjeje, për njërën pjesë të partisë shihet tek mbajtja e zgjedhjeve të brendshme, për pjesën tjetër ndërkaq problemet janë të izoluara.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG