Ndërlidhjet

Demaçi: Pavarësi me defekte


Adem Demaçi
Adem Demaçi

“Ne i jemi dorëzuar botës demokratike pa rezerva, kurse bota demokratike tash ka shndërruar Kosovën në një vend ku po kryqëzohen interesat e shumta”, thotë Adem Demaçi, një intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Demaçi, fillimisht si i shihni zhvillimit politike në Kosovë pas pavarësisë?

ADEM DEMAÇI

Po shikoni, kjo pavarësi është më kushte të rënda, me mbikëqyrje të mëdha, me defekte brenda. Edhe ato që na i ka imponuar bashkësia ndërkombëtare për hesape të veta, për politikën e saj të jashtme, për lëshimet që po ia bëjnë Serbisë, a mos ndoshta po munden me joshë Serbinë për me iu bashku më shpejt Bashkimit Evropian edhe NATO-s.

Me fjalë të tjera këto zhvillime janë duke shkuar me vështirësi të mëdha. Një që trashëguam, një situatë me ngarkesa të shumta dhe probleme të shumta, që na i la trashëgim Serbia. Në anën tjetër edhe me pengesat të mëdha që po na bën Serbia, mbështetur nga Rusia.

Edhe e treta me këto moskuptime të cilat i kemi nga miqtë tanë evropianë e amerikanë, të cilët i janë qasur problemit gabimisht sepse nuk demokratizohet Serbia, duke i bërë lëshime Serbisë. Por, vetëm duke e vendosur Serbinë në vendin e fajtorit e të kriminelit, sepse Serbia ka faje jo vetëm ndaj shqiptarëve, po edhe ndaj sllovenëve edhe ndaj kroatëve e sidomos ndaj boshnjakëve.

Prandaj edhe krejt këto vështirësi po shprehen të shumtën mbi Kosovën, sepse jemi të pa përgatitur për gjëra të tilla. Ne i jemi dorëzuar botës demokratike pa rezerva, kurse bota demokratike tash për shkaqe të vetat të shumta ka shndërruar Kosovën në një vend ku po kryqëzohen interesat e tyre të shumta dhe po behën lëshime gjithmonë në kurriz të shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË

Pas shpalljes se pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, shtrirja e autoritetit të institucioneve nuk po ndodhë në gjithë territorin e saj. Si e shpjegoni ju ketë çështje?

ADEM DEMAÇI

Po, institucionet e Kosovës janë të lidhura dhe të varura drejtpërdrejt nga institucionet ndërkombëtare, sepse ne po e dimë që faktikisht edhe pse e shpallem pavarësinë, megjithatë fjalën e fundit në fushat kryesore e kanë miqtë tanë të huaj euro-amerikanë.

Ne, nuk kemi armatë dhe pa pasur armatë e cila do t'i ruante kufijtë, pa pasur armatë, e cila do t'i jepte seriozitet shteti tonë, Serbia nuk mund të sillet me ne seriozisht. Në njërën anë çarmatosi kosovarët deri në palcë, kurse lejoji Serbisë që të përtërijë arsenalin e armatimit, përtërijë fabrikat e veta për prodhimin e armatimit, leri Serbisë që të behet përsëri eksportues i armëve.

Domethënë, në njërën anë forco agresorin e djeshëm dhe kriminelin e djeshëm, kurse shtrëngo e shtyp një viktimë sikur që është Kosova, kjo nuk është rruga për të gjetur atë balancim atë drejtpeshim i cili do ta krijonte qetësinë. Pa drejtpeshim të forcave nuk do të mund të krijohet qetësia. Pa një polici e cila do të komandohej nga vendasit dhe do ta kishin fjalën e fundit dhe të parën vendasit dhe jo si është tash.

Policia jonë është e varur nga komanduesit e jashtëm të cilët as që e njohin situatën e brendshme, as që dinë se çka duhet të bëjnë. Vetëm varen nga disa urdhra që i marrin nga jashtë. Kështu që problemi ka mbetë në këtë situatë ku pakënaqësia po rritet, ku shumë probleme nuk po zgjidhen, ku nuk po plotësohen nevojat elementare të arsimit, kulturës, shëndetësisë, të policisë dhe disa mekanizmave, të cilët e forcojnë shtetin e mbajnë shtetin dhe sigurojnë prosperitetin.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Demaçi, misioni i Kombeve të Bashkuar vazhdon të jetë i pranishëm edhe me tej në Kosovë. Ndërsa, ai i Bashkimi Evropian sapo ka filluar të vijë. Si e shihni ju rolin e këtyre misioneve?

ADEM DEMAÇI

Po shikoni, u bënë vlerësime të gabuara, duke u munduar t'i bëhen lëshime pa parim dhe lëshime gati të pakufishme Serbisë dhe mbështetëses se vet Rusisë, a mos ndoshta do të kalonin në Këshillin e Sigurimit dhe do të mund të nxirrnin një rezolutë të re për të dalë nga kjo Rezoluta 12 44.

Këto lëshime të gabuara sollën deri në këtë situatë ku tash, në njërën anë është EULEX-i që ishte një mekanizëm i përgatitur për të vazhduar më tutje qeverisjen mbi Kosovën, me qëllim që Kosova të përgatitej sa më shpejt të shërohet, sa më shpejt nga kriminaliteti i organizuar, nga të gjitha llojet e kriminalitetit, nga prapambetja ekonomike, nga disa probleme juridike etj.

Ndodhi që mekanizmi i vjetër UNMIK-u mbeti, nuk pat rezolutë tjetër të re, sepse Rusia u kap në gabimet që beri perëndimi. Dhe tash kemi mbetë. Tash në njërën anë UNMIK-u, në tjetrën anë EULEX-i, në tjetrën anë qeveria dhe pushteti i ri që po mundohet të krijohet.

Është krijuar këtu njëfarë cirku vicioz që po i thonë, një rreth, një gjeratore, e cila nuk po lejon të dilet prej kësaj situate dhe durimi i popullsisë është në zvogëlim e sipër.

RADIO EVROPA E LIRË

Dhe për fund zoti Demaçi, si i shikoni synimet e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin e saj për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dhe cilat mendoni se do të ishin pasojat?

ADEM DEMAÇI

Shikoni, pasoja nuk ka, sepse vendimet e saj gjykate nuk janë të obligueshme. Nuk ka mundësi të ekzekutohet asgjë çfarë do që ato të thonë.

Po, unë shpresoj me gjithë përpjekjet që do të bëjë Serbia e Rusia, që edhe kjo gjykatë nuk do të mund, vetëm nëse dëshiron, ta shndërrojë vetveten në një institucion qesharak. Edhe ajo gjykatë, ka për të dhenë në fund të fundit mendimin, ndoshta me ekuivokë se një gjë e tillë që ndodhi ishte e drejtë.

Po edhe nëse nuk jep këtë mendim, po them megjithatë Serbia vetëm mund të komprometohet, sepse Serbia është ka mundohet të padisë ato shtete, të cilat në të vërtetë ishin shtet që bartën procesin e ndaljes së mëtutjeshme të kriminaliteti dhe të mafiozitetit, të cilat i vazhdonte regjimi kriminal e mafioz i Serbisë, në hapësirën e Jugosllavisë dhe përfundimisht me Kosovën.

Kështu që unë nuk besoj që meriton kjo punë të merremi me të. Serbia është duke bërë atë që i ka mbetur për të bërë. Serbia po gabon shumë që nuk po e pranon këtë situatë të krijuar me fajin e vet. Kështu që në një farë dore Serbia edhe është në ndihmë të vetëdijësimit të shqiptarëve, të cilët duhet të jenë të kujdesshëm, të cilët duhet të jenë të zgjuar, të cilët duhet të punojnë më tutje.

Dhe të mos flenë, sepse po të ishte Serbia e mençur do të mund t'i vëntë në gjumë shqiptarët, ashtu siç janë zemër bardhë, që besojnë shumë lehtë, e që lëshohen shumë lehët.

Po kjo politikë e Serbisë, po bën që shqiptarët të jenë ‘atento’ që thonë, dhe të mos pushojnë se përpjekuri që të forcohen edhe në pikëpamje të dijës, vetëdijes kulturore, shkencës edhe të artit.

Edhe të përpjekjes që të bindin dhe në fund do ta bindin botën, Amerikën edhe Evropën, se nuk ka rrugë tjetër përveç njohjes së të drejtës për vetëvendosje për Kosovën e cila do të ishte zgjidhja e vetme që do ta finalizonte këtë proces të filluar tash 100 vjet, me gjakderdhje të mëdha, përballë kriminalitet të pa kufijshëm të regjimit Serbë që nga tetori i 1912 e deri në përfundim të pushtimit që ngjau kah gjysma e qershori të 1999-së.

XS
SM
MD
LG