Ndërlidhjet

Serbët - për dhe kundër EULEX-it


Mitrovica
Mitrovica

Sipas përfaqësuesve serbë nga pjesa veriore, EULEX-i është mision ilegal që s'duhet lejuar të shtrihet edhe në vendbanimet me shumicë serbe. Sipas atyre nga pjesa qendrore, EULEX-i është më se i nevojshëm sa për shqiptarët, ashtu edhe për serbët.

Serbët e Kosovës vazhdojnë të mbajnë pozicione të ndryshme në lidhje me misionin e EULEX-it. Misioni i Bashkimit Evropian gjithnjë e më tepër po kuptohet si i nevojshëm nga ana e serbëve të pjesës qendrore të Kosovës, përderisa ata të pjesës veriore thonë se do ta kundërshtojnë këtë mision duke i pamundësuar atij që të jetë funksional në vendbanimet me shumicë serbe.

Rada Trajkoviq, një përfaqësuese serbe nga Graçanica, thotë se përcaktimi territorial i serbëve për EULEX-in nuk është dhe nuk do të jetë vendimtar në lidhje me shtrirjen e këtij misioni. Ajo vlerëson se edhe ata përfaqësues serbë nga veriu që e kundërshtojnë EULEX-in, më shumë e bëjnë këtë për qëllime të caktuara politike.

“Çështja serbe po trajtohet shumë më tepër përmes parullave, sesa përmes asaj që do të nënkuptonte punën në zgjidhjen e vërtetë të problemeve me të cilat po ballafaqohet komuniteti serb”, thekson Trajkoviq.

Sipas saj, janë partitë opozitare në Serbi ato që i kanë nën udhëheqje komunat serbe në Kosovë dhe të cilat kanë promovuar parimet e mosbashkëpunimit me EULEX-in. Por, ky pozicion i këtyre partive, thekson Trajkoviq, nuk do të mund të zgjasë edhe shumë kohë.

“Mendoj se problemet fillestare të serbëve në lidhje me pranimin e EULEX-it, nëse do të ketë diskutime konstruktive, në fund do të rezultojnë me pranimin e këtij misioni”, thekson Trajkoviq.

Sipas saj, EULEX-i është një mision i domosdoshëm si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët, për t’i ndihmuar që në Kosovë t’i vënë standardet evropiane të sundimit të ligjit dhe drejtësisë.

Por, ndryshe nga Trajkoviq mendon Milan Ivanoviq, nga pjesa veriore e Kosovës. Sipas tij, serbët nuk e pranojnë dhe as që do ta pranojnë këtë mision, i cili në Kosovë është dërguar nga vendet që e kanë mbështetur pavarësinë e saj.

“Serbët nuk e pranojnë vendimin e atyre vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat kanë marrë pjesë në krijimin e Kosovës së pavarur dhe të cilat e kanë pranuar Kosovën e pavarur”, thotë Ivanoviq.

EULEX-i, shton ai, është një mision ilegal, i cili mëton që duke i shfrytëzuar bazat e planit të Ahtisaarit të krijojë shtetin e pavarur të Kosovës. Sidoqoftë, ai pret që vendimin përfundimtar për mospranimin e EULEX-it do ta marrë Kuvendi i Serbisë.

“Serbët janë të vendosur dhe serbët mund të mbeten dhe mbijetojnë në Kosovë vetëm në kuadër të shtetit të tyre dhe institucioneve të shtetit të tyre, që nënkupton Serbinë”, thotë Ivanoviq.

Në lidhje me këtë, Rada Trajkoviq, në anën tjetër, thotë se serbët e Kosovës nuk duhet ta harrojnë në asnjë mënyrë as bashkëpunimin me Prishtinën, EULEX-in dhe bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Sidoqoftë, edhe vetë shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Cermabon, në disa raste e ka përsëritur ditëve të fundit se atij do t’i duhet edhe më shumë kohë që të bisedojë me serbët dhe t’u sqarojë atyre rolin dhe misionin e EULEX-it, i cili, sipas Cermabon, në disa vendbanime serbe shihet si mision kundër tyre.
XS
SM
MD
LG