Ndërlidhjet

logo-print

"Qeveria nuk i pranon kritikat e ICO-s"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Analisti i shquar nga Instituti Amerikan i Paqes, Daniel Server, ka vlerësuar se Serbia duhet ta heqë qafe çështjen e Kosovës para se të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Server ne një mënyrë e ka mbështetur mendimin e diplomatit amerikan Richard Holbrooke, se Serbia duhet ta njohë Kosovën. "Mendoj se do te ndodhë ashtu. Në mesin e mbi 20 shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, së paku një prej tyre - e sigurisht edhe më shumë - do të dalë kundër hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës", ka thënë Server në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe. Me gjithë faktin se funksionarët e BE-së flasin se këto dy gjëra nuk janë të lidhura mes vete, Server mendon se kjo është "vetëm një retorikë burokratike". "Është fakt se Serbia duhet ta zgjidhë çështjen e Kosovës para se të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian", ka thënë Server...

EXPRESS
UNMIK-u dhe Qeveria e Serbisë janë shumë afër arritjes së zgjidhjes për Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, që është një nga temat në dialogun mes Lamberto Zannier dhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq. Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Tanjug, një nga variantet e zgjidhjes për gjykatën është që fillimisht në të të nisin punën gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, të cilëve më pas do t'u bashkoheshin edhe kolegët e tyre serbë. "Në bisedimet e deritashme është shprehur gatishmëria e dyanshme që gjykata në Mitrovicë të fillojë punën sa më parë", citohet të ketë thënë një zyrtar anonim i Ministrisë serbe për Kosovën. Serbëve të punësuar në gjyqësinë në veri të Kosovës, zëvendësshefi i UNMIK-ut, David Harland, u ka ofruar propozime konkrete gjatë javës së kaluar mbi bazën e të cilave do të mund të funksionalizohej gjyqësia në këtë pjesë të Kosovës...

KOHA DITORE
Qeveria nuk i ka pranuar kritikat që ka marrë nga Zyra Ndërkombëtare Civile në Kosove (ICO) rreth keqmenaxhimit të ndërmarrjeve publike, emërimeve politike dhe shkeljeve të ligjit, duke thënë se keqmenaxhimi është trashëguar nga ndërkombëtarët që i kanë menaxhuar ato para se të vinte në pushtet Partia Demokratike e Kosovës. "Është kohë e shkurtër për t'u vlerësuar puna e qeverisë, dihet se në çfarë gjendjeje të keqe i kemi gjetur këto ndërmarrje. Ato kanë qenë të keqmenaxhuara nga ndërkombëtarët dhe tash duhet kohë për t'u përmirësuar gjendja e tyre", ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj. Sa u përket emërimeve politike, fenomen ky i cili është kritikuar ashpër nga ICO-ja, Manaj shtoi se te dërguarit nëpër bordet e PTK-së, Aeroportit edhe KEK-ut janë njerëz profesionistë... Në një memorandum të ICO-së qeveria kritikohet për emërimet politike në borde. "Me Ligjin për ndërmarrje publike qeveria është dashur të emërojë njerëz kompetentë dhe të pavarur për 25 bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve publike. Deri tani janë emëruar vetëm borde të përkohshme të drejtorëve në PTK edhe ANP...

KOSOVA SOT

Ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, Ursula Plasnik, ka deklaruar se vendet e Bashkimi Evropian në qetësi e presin vendimin eventual të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë rreth çështjes së Kosovës, të cilin po e kërkon Serbia, pasi siç është shprehur ajo, "me njohjen e Kosovës nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare". Një ditë para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, të cilët do të diskutojnë për nismën që të zhbllokohet marrëveshja e tregtisë me Serbinë, Plasnik ka vlerësuar se "ky zhbllokim do të varet nga vlerësimi që do ta bëjë prokurori i përgjithshëm i Tribunalit të Hagës, Serge Bramertz, rreth bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin e Hagës". Plasnik po ashtu ka potencuar se Serbia duhet të tregojë më shumë bashkëpunim për vendosjen e misionit të EULEX-it, ndërsa ka vlerësuar se zgjidhjet që janë ofruar për mbrojtjen e serbëve në Kosovë janë unike në botë...

BOTA SOT
Kosova e dalë nga një luftë gjenocidi, që pas vetes la pasoja të shumta, mijëra të vrarë e të masakruar në mënyrën më çnjerëzore, mijëra të zhdukur, as pas nëntë vjetësh të përfundimit të luftës nuk ka arritur t'i zgjidhë shumë raste që kane mbetur enigmë dhe të cilat rëndojnë vazhdimisht mbi familjet e viktimave. "Autorët" e këtyre tmerreve shëtisin të lirë, ndërsa familjarët e viktimave kërkojnë që institucionet e Kosovës të jenë ato, te cilat sipas rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare t'i sjellin para drejtësisë të gjithë ata që kryen krimet më barbare që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit. Përveç organizatave dhe shoqatave të ndryshme, që merren me të drejta të njeriut, të cilat sipas "takatit" të tyre kanë mbledhur fakte të bollshme për krimet e bëra, në Kosovë edhe 9 vjet pas luftës, dhe shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë, nuk është krijuar një mekanizëm, i cili do të merrej me grumbullimin e fakteve, për te dëshmuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, atë qe forcat militare e paramilitare serbe kanë bërë në Kosovë. Edhe pse institucionet e Kosovës kanë vullnetin dhe dëshirën që të padisin kriminelet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, një gjë e tillë nuk është e mundur, pasi që kjo kushtëzohet nga fakti që vendi që ngre padinë duhet të jetë anëtar i OKB-së dhe njëherësh nënshkrues i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare...

INFOPRESS
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Feith, shprehet shumë optimist për efikasitetin dhe profesionalitetin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Feith, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovalive, ka thënë se Misioni i BE-së do të jetë shumë profesional dhe i gatshëm për t'u marrë me prioritetet, siç janë krimi i organizuar, korrupsioni, krimet e luftës dhe disa krime të renda ndëretnike. "Luftimi i krimit dhe korrupsionit është pjesë e ambicieve në Kosovë për të qenë më afër Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye duhet të ngritën standardet e rendit dhe ligjit, në mënyrë që të inkurajohen investimet direkte në Kosovë, për të përfituar tërë ekonomia", ka thënë i pari i Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Peter Feith...

ZËRI
I ashtuquajturi "Kuvend i Bashkësisë së Komunave dhe Lokaliteteve Serbe në Kosovë në seancën e parë (pas themelimit më 28 qershor), ka debatuar për zgjidhjen e trupave punuese dhe situatën aktuale politike në Kosovë, kurse ka sjellë konkluzione me të cilat kundërshton planet e EULEX-it për të zëvendësuar UNMIK-un në lokalitetet serbe në Kosovë. "Kjo do të ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", është thënë në konkluzionet e të cilit thuhet se "pasi që në një pjesë të territorit të Kosovës misioni i EULEX-it tashmë veç është vendosur, pa asnjë bazë juridike relevante, kuvendi i kësaj bashkësie të komunave dhe lokaliteteve serbe të Kosovës në tentim për shtrirjen e tij në komunat dhe lokalitetet serbe do të hasë në kundërshtim të popullit serb”. Në këtë kuvend është kërkuar takim me kryeministrin e Serbisë, Mirko Cvetkoviq, për sqarim për gjoja pajtimin e tij në një forme për shtrirjen e "EULEX-it në Kosove, me kusht që për këtë të konsultohet edhe Beogradi"...
XS
SM
MD
LG