Ndërlidhjet

"Opozita në Kuvendin e Kosovës nuk është e koordinuar; është një opozitë e çakorduar që nuk mund të koordinohet dhe me këtë rast nuk mund të jetë mbikëqyrëse e mirë e qeverisë", thotë Teuta Sahatçia, kryetare e Partisë Ora.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Sahatçia, Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar se do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. A mendoni se do të mund të ketë ndonjë ndikim për Kosovën?

TEUTA SAHATÇIA
Serbia teknikisht ka mundësi dhe atë mundësi është duke e shfrytëzuar, sikur që është duke shfrytëzuar edhe çdo mundësi tjetër për t’i pamundësuar, për t’i vështirësuar jetën shtetit të Kosovës. Por, në anën tjetër, është e patolerueshme, e paparamendueshme që institucionet e Kosovës nuk ndërmarrin këso hapash.

Mendoj se institucionet e Kosovës do të duhej të ishin ato të cilat duhet t’i kishin ndërmarrë këto hapa, ta qesin Serbinë në Gjyqin Ndërkombëtar, për shkak të luftës, për shkak të minave, për shkak të vrasjeve dhe për çdo gjë tjetër që ka bërë Serbia.

Mendoj se teknikisht ndonjë ndikim nuk do të ketë, por do të ketë ndikim shumë të madh të marketingut të Serbisë, do të ketë ndikim në ato vende që nuk e kanë shumë të qartë se çka ka ndodhur në Kosovë dhe në mënyrë të tërthortë ajo do të ndikojë në ngadalësimin e njohjes së Kosovës dhe të qenit një shtet i mirëfilltë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çka mendoni ju për aktivitetet e institucioneve kosovare në drejtim të lobimit pro pavarësisë së Kosovës te shtetet, të cilat ende nuk e kanë marrë hapin e njohjes?

TEUTA SAHATÇIA
Mendoj që institucionet tona janë duke u marrë më tepër me punët e brendshme, ndërsa punën shumë të rëndësishme të lobimit nuk e kanë shumë si prioritet.

Me shpalljen e pavarësisë nuk është kryer e gjithë puna, duhet shumë të investohet në njohjen e Kosovës, në lobimin, në vizita të ndryshme, në dërgimin e delegacioneve jo vetëm të ministrit të Punëve të Jashtme, por edhe të artistëve, të njerëzve akademikë, të sportistëve, edhe shkrimeve të ndryshme në gazeta të jashtme, e sidomos lobimi në ato vende që nuk na kanë njohur.

Ne mendojmë se Kosova është në top-agjendë gjithkund, por nëse i përcjellim gazetat e huaja do të shohim se Kosova shumë shpesh nuk gjendet aty. Kur kemi takime me njerëz të ndryshëm, shohim se nuk kanë shumë njohuri ose nuk kanë aspak njohuri se çka ndodh këtu, bile bile disa mendojnë se ende vazhdon lufta.

Prandaj, mendoj që lobimi nuk është duke u bërë sa duhet. Institucionet tona duhet një forcë më të madhe, një angazhim shumë më të madh t’i kushtojnë pikërisht lobimit, pikërisht vendeve që ende nuk na kanë njohur.

RADIO EVROPA E LIRË
Me cilat sfida prisni që do të përballet Kosova në javët dhe muajt e ardhshëm?

TEUTA SAHATÇIA
Njëra prej sfidave veç u përmend – është çështja e gjykatës, ky aktiviteti i Serbisë. Mendoj se kjo do të qarkullojë nëpër shumë vende, do të qarkullojë nëpër instanca të larta dhe gjë që do të japë një imazh jo edhe aq të mirë për Kosovën.

Sfidat tjera janë sfidat e ekonomisë, sfidat me regjion, sfidat që kanë të bëjnë me shtetet përreth nesh që nuk na kanë njohur dhe problemet tona të brendshme që vazhdojnë, si rryma, papunësia e shumë gjëra të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Është bërë një kohë që prejse koalicioni aktual PDK-LDK qeveris vendin. Si e vlerësoni punën e deritanishme të këtij koalicioni dhe si e vlerësoni punën e opozitës në këtë kohë?

TEUTA SAHATÇIA
Në krahasim me qeveritë tjera të kaluara, kjo qeveri ka investuar më tepër në ndërtimin e rrugëve, në edukim, në ndërtimin e shkollave e tjera. Por, mendoj se jeta në Kosovë nuk është vetëm ndërtimi i rrugëve apo ndërtimi i shkollave. Ekzistojnë edhe shumë, shumë probleme të tjera.

Njëri prej problemeve, e përmendëm edhe më herët, është puna e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e lobimit, e cila nuk mund të lavdërohet se është duke bërë një punë të mirë. Gjithashtu në këtë koalicion, në këtë qeveri, mendoj se duhet shumë më tepër të investohet edhe në punë të tjera.

Çështjet sociale janë pak të prekura; shëndetësia vazhdon të mos jetë prioritet sikur në koalicionet e kaluara ashtu edhe në këtë koalicion; korrupsioni vazhdon të jetë një çështje emergjente që vazhdon prej më parë.

Sa i përket opozitës, mendoj se në çfarëdo vendi demokratik, opozita ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse po qe se opozita është e fuqishme, është konstruktive, e koordinuar, atëherë patjetër edhe qeveria duhet të jetë më e kujdesshme, më vigjilente dhe më efikase.

Fatkeqësisht, në këtë mandat, opozita në Kuvendin e Kosovës nuk është ndonjë opozitë e koordinuar, nuk është ndonjë opozitë e mirëfilltë, është një opozitë e çakorduar, e cila nuk mund të koordinohet dhe me këtë rast nuk mund të jetë edhe mbikëqyrëse e mirë e qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e fundit kanë ndikuar dukshëm në partinë tuaj. Çka jeni duke bërë që të riktheni partinë tuaj në skenën aktive politike kosovare?

TEUTA SAHATÇIA
Zgjedhjet e fundit ishin ato që e larguan Orën prej Kuvendit të Kosovës, por ishin ato që e shndërruan Orën në parti që ka shtrirje mjaft të gjerë në kuvendet komunale.

Në shumicën e kuvendeve komunale ne jemi prezentë përmes këshilltarëve tanë, kemi grupe parlamentare që janë mjaft aktive në adresimin e nevojave, të problemeve, të dëshirave të qytetarëve. Kështu që sot Ora është më afër me problemet konkrete të qytetarëve përmes këshilltarëve të vet në komuna.

Sa i përket punës sonë, vera ka qenë paksa me më pak aktivitet, por shtatorin e tetorin e presim dhe jemi duke punuar me të madhe që të jenë muajt me aktivitet të shtuar, në mënyrë që të shihet se përveç në nivelin komunal, Ora është aktive dhe pretendon të jetë pjesë e Parlamentit edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Konkretisht duhet të koordinohemi me këshilltarët tanë komunalë, duhet të ngremë çështje të shumta që kanë nevojë të dëgjohen në nivelin qendror përmes konferencave për media dhe përmes tryezave që do t’i organizojmë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG