Ndërlidhjet

Prishtinë: Nisma e Serbisë do të dështojë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Autoritetet në Prishtinë vlerësojnë se nisma e Serbisë për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me pavarësinë e Kosovës, do të dështojë dhe nuk do të ketë sukses.

Beogradi zyrtar është i vetëdijshëm se pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe se angazhimet kundër njohjes së Kosovës nuk do të kenë sukses, thonë udhëheqësit kosovarë.

Në prag të takimit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku Serbia do të përpiqet të prezantojë nismën e saj për të kërkuar mbështetjen në mënyrë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta interpretojë shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, udhëheqës kosovarë thonë se tentativat e Beogradit nuk do të prodhojnë kurrfarë rezultatesh.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se këto janë angazhime të kota të Beogradit dhe se vendet anëtare të OKB-së do të vazhdojnë ta njohin Kosovën e pavarur, sado që njohja mund të jetë një proces më i gjatë dhe më i komplikuar.

“Serbia është duke i bërë lëvizjet e fundit për t’u arsyetuar kinse para opinionit të vet. Serbia e di se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga 46 shtete të botës. Procesi i pavarësisë do të ketë vetëm njohje, avancim dhe integrim dhe assesi rikthim, ashtu siç pretendon Serbia. Pra, janë përpjekje të kota”, theksoi Thaçi.

Kryeministri i Kosovës i ka bërë thirrje Serbisë që të heqë dorë nga iniciativat, siç i quajti ai, të dështuara, dhe të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërshtetërore me Kosovën.

“Ajo duhet të mendojë më tepër se si ta ndihmojë bashkëpunimin tonë ndërfqinjësor dhe ndërshtetëror, që ne t’ia lehtësojmë njëra-tjetrës punën për t’u integruar në BE dhe NATO e të mos i bëjmë pengesa njëra-tjetrës”, tha Thaçi.

Edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë është vënë në krah të institucioneve të Kosovës, duke i kundërshtuar nismat kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës.

“ICO-ja kundërshton çdo përpjekje që bëhet për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë zëvendësshefi i ICO-s, Fletcher Burton.

Ndërkohë, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vlerëson se Beogradi nuk mund ta ndalë e as kthejë prapa vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi e shtet sovran. Krasniqi thotë se nismat e tilla të Serbisë janë të kahershme, që mëtojnë t’i ndalin popujt tjerë që të jenë të lirë e të pavarur.

“Kemi besim se Gjykata Ndërkombëtare nuk do të marrë vendim kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës, pasi i gjithë aktiviteti politik që është zhvilluar në Kosovë nga shpallja e pavarësisë, është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nëse dikush ka qenë që ka vepruar kundër kësaj të drejte ndërkombëtare, atëherë ky është regjimi i Beogradit“, u shpreh Krasniqi.

Gjatë kësaj jave, pritet që në Nju Jork të udhëtojnë presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në takimin e Asamblesë së Përgjithshme, e cila pritet t’i zhvillojë punimet nga 20 deri më 28 shtator.

Ndërkaq, më 17 shtator në Nju Jork, pritet që Komiteti i Asamblesë Parlamentare të OKB-së të vendosë nëse do ta vë apo jo në rend dite iniciativën serbe që OKB-ja të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.

Në rast se nisma serbe megjithatë kalon dhe merr miratimin e OKB-së, në analiza të ndryshme është thënë se ajo mund ta zvarrisë edhe më shumë procesin e njohjes së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG