Ndërlidhjet

"Ministrat e BE-së pa pajtim rreth Serbisë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Dialogu mes UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë për çështje teknike do të prodhojë së shpejti marrëveshjen e parë, për të cilën ka dhënë pajtimin edhe Qeveria e Kosovës, kanë thënë për Express, burime ndërkombëtare. Në takimin e javës së kaluar në Beograd, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, janë pajtuar në parim që të nisë punën Gjykata e Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës. "Fillimisht në këtë gjykatë do të punonin gjykatës dhe prokurorë të UNMIK-ut, ndërkaq më vonë aty do të përfshihen edhe gjykatës dhe prokurorë shqiptarë dhe serbë", ka thënë një zyrtar ndërkombëtar nën kushte anonimiteti. Sa i përket kthimit në punë të pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës dhe vendosjes së doganave në kufijtë veriorë të vendit, ende nuk ka progres, por bisedimet për këto çështje po vazhdojnë në nivel të ekspertëve. Edhe zyrtare serbë kanë paralajmëruar se Gjykata e Qarkut në Mitrovicë pritet të hapet së shpejti...

KOHA DITORE
Gjenocidi në Srebrenicë, që është edhe në ndërgjegjen holandeze, batalioni i të cilëve ne vitin 1995 nuk ishte në gjendje ta parandalojë atë, mund të ketë qenë motiv i Holandës që në takimin e së hënës të ministrave të jashtëm të BE-së, në Bruksel, të mos pajtohet me zhbllokimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Serbinë, pjesa e përkohshme e së cilës do të duhej të hynte në fuqi sikur të dëgjoheshin shumica e vendeve të tjera në BE. Holanda ka qenë nën presion të hënën nga vendet e tjera anëtare, por nuk ka lëshuar pe. Shumica e shteteve të BE-së po ashtu edhe Komisioni Evropian, janë të mendimit që Serbia me arrestimin e Radovan Karaxhiqit ka dëshmuar vullnet që të bashkëpunojë tërësisht me Tribunalin e Hagës dhe tash BE-ja do të duhej ta vlerësoj pozitivisht këtë përmes zhbllokimit të hyrjes në fuqi të pjesës së përkohshme të SAA-së. Këtë e ka konfirmuar të hënën edhe ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, i cili edhe ka kryesuar takimin e Këshillit të ministrave të BE-së. As prania e kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, Serge Bramertz, në takimin e ministrave nuk ka ndihmuar që të zgjidhet dilema se a e meriton apo jo Serbia këtë vendim nga BE-ja. Ministri i Francës, Kouchner, tha se “Bramertz na ka folur si ekspert juridik e jo si politikan", ndërsa në pyetjen se "si do të kishit vepruar ju sikur të ishit në pozicionin tonë", Bramertz citohet t'u ketë përgjigjur se “unë nuk jam në pozicionin tuaj, por jam vetëm prokuror"...

ZËRI

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, thotë se ka indikacione pozitive nga Beogradi për ta ndërprerë presionin politik ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë braktisur detyrat e veta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të këtij viti. Iv de Kermabon, që drejton përpjekjet e Brukselit në Kosovë për të krijuar një ambient të përshtatshëm të sundimit të ligjit, është shprehur të hënën se Bashkimi Evropian është në përpjekje të mëdha për ta bindur Beogradin që ta pranojë EULEX-in. Vetë De Kermabon, pak javë më parë, kishte akuzuar Beogradin se "ka demonizuar" këtë mision para serbëve të Kosovës. "Kemi indikacione të mira. Ne jemi duke e shtyrë procesin nga lart-poshtë, në mënyrë që ta inkurajojmë Beogradin ta pranojë këtë mision", ka thënë De Kermabon gjatë një vizite që i ka bërë dje Shkollës së Policisë së Kosovës në Vushtrri bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti. Sipas tij, EULEX gjatë javës së ardhshme do të fillojë valën më të madhe të vendosjes së stafit të vet në Kosovë...

BOTA SOT
Pozita dhe opozita i quan të kota përpjekjet serbe me shpresën e pengimit të njohjes, duke e dërguar çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Opozita i është bashkuar udhëheqësve të institucioneve në thirrjen që shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të mos e përkrahin iniciativën serbe. Diplomacia serbe ka nisur procedurat në OKB për inicimin e kontestit juridik nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi të hënën se Serbia është duke i bërë lëvizjet e fundit për t'u arsyetuar para opinionit të vet publik për të drejtën e saj. "Serbia e di që Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik, i njohur nga 46 shtete demokratike të botës dhe të fuqive më të rëndësishme të politikës botërore", thotë kryeministri Thaçi. Këtë javë dhe javën e ardhshme, Kosova do të jetë ndër temat më të diskutuara. Përderisa nesër në Nju-Jork fillon mbledhja e 63-të e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 17 shtator Komiteti i Asamblesë së Përgjithshme do të vendosë nëse do ta vë apo jo në rend dite iniciativën serbe që OKB-ja të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mendimin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës...

KOSOVA SOT
Kreu i misionit të OSBE-së, Tim Guldiman, sërish gjendet në mes të interesimeve të mëdha për largimin e tij nga Kosova. Për gati një vit, sa ka shërbyer në Kosovë, Guldiman është gjetur të paktën dy herë në pozitë të tillë. A do të jetë e treta e vërteta? Kërkesa e ministrit serb, Vuk Jeremiq, për shef të ri të misionit të OSBE-së në Kosovë, nuk do të mbetet vetëm kërkesë. Si rrallëherë më parë, për kërkesën e Beogradit ka shfaqur pëlqim edhe Prishtina, për shkak të disa sjelljeve "destruktive" të zviceranit Guldiman. Burime brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë gazetës "Kosova Sot" se shkuarja e Guldimanit është bërë e paevitueshme, ndërkaq deklaratat e Jeremiqit kanë përkuar me disponimin e Prishtinës. Ne mbledhjen e fundit të këshillit permanent të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, shefi i diplomacisë serbe ka kërkuar procedurë të re të emërimit të shefave të OSBE-së në Kosovë, duke konstatuar se deri më tash Serbia nuk është konsultuar në këtë emërim...

INFOPRESS
Ambasadat e Kosovës në dhjetë vendet e botës do të "ruhen" nga shtetet përkatëse ku janë të vendosura ambasadat. Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës kanë thënë për gazetën se ende nuk janë identifikuar objektet e ambasadave, megjithatë, sipas tyre, tashmë dihet qartë se sigurimi fizik i këtyre objekteve do të bëhet nga shtetet ku janë ambasadat. Uashingtoni, Londra, Parisi, Berlini, Roma, Brukseli, Ankaraja, Vjena, Berna dhe Tirana, do të jenë kryeqytete botërore ku Kosova tashmë pritet të funksionalizojë ambasadat e saj. Duke shtuar se sigurinë e ambasadave të Kosovës do ta bëjnë institucionet e sigurisë së dhjetë shteteve përkatëse, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Albana Beqiri, ka thënë për "Infopress" se nuk është planifikuar që eventualisht këto ambasada të sigurohen nga shtetas të Kosovës. "Sa i përket një sigurimi të mundshëm privat, Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk ka planifikuar një gjë të tillë. Sapo të identifikohen ndërtesat e ambasadave, fillimisht me qira, e më vonë pse jo edhe ndërtesa të blera, për sigurinë e tyre do të kujdeset policia e vendit përkatës", ka thënë Beqiri...

LAJM
Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, e ka njoftuar të hënën kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me fazën e transformimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, proces ky që zhvillohet nën mbikëqyrjen e NATO-s. Selimi e ka njoftuar Krasniqin se në dhjetor të këtij viti do të shpërbehet TMK-ja, duke i lëshuar vend FSK-së. Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, gjenerallejtënant Selimi e ka ngritur shqetësimin për fatin e një numri relativisht të madh pjesëtarësh aktualë të TMK-së, të cilët sipas gjasash nuk do të gjejnë vend në FSK, prandaj krahas zgjidhjes me ligj të problemit të tyre, Selimi ka ngritur idenë për krijimin e një policie kufitare dhe të ndonjë kompanie të sigurimit, në të cilat do të angazhoheshin pjesëtarët e sotëm të TMK-së", thuhet në komunikatë. Kryeparlamentari Krasniqi, nga ana e tij, ka thënë se Kosova ka nevojë për një forcë të sigurisë dhe se krahas synimit dhe nevojës për t'u integruar në Bashkimin Evropian, “kemi nevojë dhe interes jetik për t'u anëtarësuar edhe në NATO”...

EPOKA E RE
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Stiven Vodsvort, ka vlerësuar të hënën në Beograd se është gabim që çështja e pavarësisë së Kosovës të shqyrtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. "Ne besojmë se ky është gabim sepse kështu do të vazhdojmë të fokusohemi në atë që na largon, e jo në atë që mund të punojmë së bashku", ka thënë ambasadori britanik. Vodsvort ka thënë se "Serbia e ka ardhmërinë e ndritshme si vend anëtar i Bashkimit Evropian, kurse një dite edhe si anëtare e NATO-s, sepse besojmë se integrimi i tërë rajonit - duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë - i jep shansin më të mirë stabilitetit afatgjatë dhe prosperitetit për të gjithë njerëzit të cilët jetojnë këtu", ka shtuar ai. Ambasadori britanik ka përkujtuar se BE-ja nuk e ka vënë njohjen e Kosovës si kusht për anëtarësimin e Serbisë. "Ne në Britani të Madhe e kuptojmë se për Serbinë kjo nuk është mundësi. Por, konsiderojmë se Serbia mund të bashkëpunojë me BE-në në lidhje me çështjen e Kosovës, veçanërisht për misionin EULEX, angazhimi i të cilit, para së gjithash, është që t'u shërbejë komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës", ka thënë Vordsvort...
XS
SM
MD
LG