Ndërlidhjet

Sfida më e madhe në gjyqësinë e Kosovës - paanshmëria


Prishtina
Prishtina

Gjyqtarët dhe prokurorët e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, thonë se sfidat më të mëdha me të cilat pritet të ballafaqohen në Kosovë, do të jenë krijimi i një sistemi unik të drejtësisë, si dhe garantimi i proceseve të drejta gjyqësore.

Përfaqësues të komponentës për drejtësi të misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, kanë filluar takimet e drejtpërdrejta me përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në kuadër të nismave për njohjen e gjendjes në terren, gjyqtarët dhe prokurorët evropianë janë takuar me zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, ku kanë biseduar për sfidat që e presin bashkëpunimin e ardhshëm të të dyja palëve në drejtësi.

Shefi i komponentës së drejtësisë në EULEX, Albero Perduca, theksoi se sfida më e madhe për punën e ardhshme të misionit EULEX në drejtësi do të jetë krijimi i një sistemi unik të drejtësisë, si dhe garantimi i një gjykimi të drejtë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

"Sfidat më të mëdha në drejtësinë e Kosovës kanë të bëjnë me atë që të sigurohemi se gjykimet do të jenë të procesuara në mënyrë korrekte nga gjykatës të paanshëm dhe të pavarur, me respektim të plotë të të drejtave të palëve dhe me mbrojtjen e viktimave. Ky gjykim i drejtë duhet t'i garantohet secilit qytetar në Kosovë, gjë të cilën e përcakton edhe mandati ynë - pra, krijimin e një sistemi multietnik të drejtësisë", tha Perduca.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, tha se puna e përbashkët ndërmjet komponentës së drejtësisë - EULEX-it dhe ministrisë që ajo udhëheq, duhet të çojë në krijimin e një sistemi unik të drejtësisë, duke shmangur paralelizmat e mundshme.

"Ata tani veç janë shumica në Kosovë, janë duke u familjarizuar me lëndët, mirëpo për të filluar punën e tyre efektive, ju e dini se edhe formalisht EULEX-i duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe ne jemi të gatshëm, edhe vendorët, edhe ndërkombëtarët, që të angazhohemi për një sistem unik gjyqësor", tha Kelmendi.

Por, sikurse për makanizmat vendorë, ashtu edhe për ata të Bashkimit Evropian, shtrirja e autoritetit në veri vazhdon të jetë problemi më i madh, duke pasur parasysh kundërshtimin e ashpër dhe mohimin e serbëve ndaj këtyre institucioneve. Shefi i drejtësisë në EULEX, Perduca, shpjegon:

"Sa i përket veriut të Mitrovicës, në veri problemi nuk është teknik, është më shumë politik. Ne jemi duke punuar që t'i krijojmë të gjitha kushtet për ta dhënë kontributin tonë si EULEX, për drejtësinë në këtë pjesë të Kosovës, sepse të gjithë qytetarët kanë të drejtën të kenë qasje në drejtësi".

Misioni EULEX pritet që deri në fund të këtij viti të angazhojë në Kosovë rreth 2000 gjyqëtarë, prokurorë e oficerë doganash, të cilët do të operojnë në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian, i cili është vlerësuar të jetë misoni më i madh i këtij mekanizmi gjer më tani.
XS
SM
MD
LG