Ndërlidhjet

logo-print

Kërstoviq: Procesi i statusit s’mund të kthehet prapa


Dragisha Kërstoviq

Dragisha Kërstoviq

“Nuk shoh mundësi që procesi (i statusit të Kosovës) të kthehet në gjendjen fillestare apo në atë të para shpalljes së pavarësisë, apo në gjendjen e negociatave për statusin final”, thotë politikani serb, Dragisha Kërstoviq.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kërstoviq, si i vlerësoni përpjekjet e Serbisë që në kuadër të Kombeve të Bashkuara të kërkojë mbështetje për nismën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar që të bëhet edhe interpretimi i shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Kjo nismë është iniciuar dhe Serbia i është drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për mbështetje lidhur me nismën e saj që Gjykata Ndërkombëtare në Hagë të interpretojë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është apo nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas vlerësimeve të mia, Serbia nuk do të tërhiqet nga kjo nismë, edhe pse ka disa përpjekje që ta bindin atë se kjo nismë mund të jetë e dëmshme për vetë Serbinë apo sugjerime se kjo në fund nuk do të sjellë asnjë përfitim. Sidoqoftë, mendoj se iniciativa do të shkojë deri në fund, kurse nuk mund ta parashikoj se çka do të ndodhë dhe si do të interpretohet nga Gjykata Ndërkombëtare.

Po ashtu, nuk e di se si do të kalojë kjo nismë as në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe nëse do të marrë mbështetjen e nevojshme që të kalojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Personalisht, nuk jam i sigurt nëse kjo do t’i ndryshojë në esencë gjërat edhe nëse kjo nismë kalon dhe del para Gjykatës Ndërkombëtare dhe se kjo Gjykatë në fund konstaton se është shkelur e drejta ndërkombëtare. Ndoshta kjo mund të ketë disa pasoja politike, por thjesht nuk besoj se diçka tjetër do të ndodhë dhe se me këtë nismë do të mund të ndryshohen gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Kosova deri më tash është njohur nga 47 vende, a shihni atëherë ju ndonjë mundësi që procesi të kthehet prapa, siç mëton Beogradi?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Unë nuk shoh mundësi që procesi mund të kthehet në gjendjen fillestare apo në atë të para shpalljes së pavarësisë, apo që të mund të kthehet në gjendjen e negociatave për statusin final.

Mendoj se këtu mund të ndryshohet diçka vetëm nëse eventualisht Beogradi propozon ndonjë temë të re në lidhje me problemin e Kosovës apo ndonjë çështje të re në lidhje me statusin, apo ndonjë model të ri të statusit rreth të cilit eventualisht do të mund të bisedohej.

Por, nuk besoj që bashkësia ndërkombëtare e as Prishtina do të pranonin që të fillohet me ndonjë proces negociues dhe të vazhdohet me negociatat e zhvilluara në Vjenë dy vjetët e fundit. Unë thjesht nuk shoh mundësi që ky proces të rikthehet dhe që çështja e statusit të kthehet nga fillimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund të kalojmë në një temë tjetër - është evidente që serbët e Kosovës kanë mendime të ndryshme në lidhje me EULEX-in. Serbët e pjesës veriore nuk e pranojnë misionin e EULEX-it, përderisa ata të pjesës qendrore kanë treguar shenja bashkëpunimi me këtë mision. Ku qëndrojnë dallimet, pse ka qëndrime të tilla te serbët kur është në pyetje EULEX-i?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Kjo me siguri për arsye se serbët në Kosovë nuk janë në pozicione të njëjta. Serbët poshtë Ibrit, siç quhen në gjuhën popullore, janë në pozicion shumë më të vështirem sesa ata në veri, mbi Ibër. E di se serbët në veri, mbi Ibër, vështirë që do ta pranojnë misionin e EULEX-it para se ky mision të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, nuk besoj se diçka e tillë do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit, pasi që ky organ është i ndarë kur është në pyetje kjo çështje. Thjesht, gjendja është e tillë që serbët e Kosovës do të mbeten në pozicionin që nuk do ta pranojnë misionin e EULEX-it. Nuk e di se si është gjendja me serbët në pjesët tjera të Kosovës.

Por, është fakt se bashkësia ndërkombëtare edhe më tutje do të insistojë që EULEX-i të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës. Se çfarë do të jetë gjendja në fund, nuk mund ta paragjykoj, por mendoj se në veri të Kosovës do të ketë një rezistencë serioze dhe se kjo rezistencë do të zgjasë mjaft gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a do të kenë këto ndarje pasoja për serbët si komunitet, sidomos për ata në pjesët tjera të Kosovës, marrë parasysh se serbët e veriut nuk do ta pranojnë EULEX-in?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Do të ketë probleme që kanë të bëjnë me jetën e përditshme dhe do të ketë probleme me gjendjen e sigurisë, si një prej çështjeve më të ndjeshme dhe më të rëndësishme për serbët e Kosovës dhe shpresoj se bashkësia ndërkombëtare në këtë drejtim do të ndërmarrë disa hapa tjerë dhe do të vazhdojë të përkujdeset që gjendja të mos përkeqësohet.

Po ashtu, konsideroj se edhe pushteti në Prishtinë do të jetë i ndjeshëm në këtë dhe do të përkujdeset që të mos ketë probleme. Kështu që shpresoj se nuk do të ketë probleme të mëdha. Por, në çdo rast, kjo do të prodhojë disa probleme, të cilat tash nuk mund të parashikohen, por shpresojmë se në fund, megjithatë, gjithçka do të jetë në rregull.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG