Ndërlidhjet

“Kuvendi nuk debaton për rezolutën e Serbisë në OKB”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Ndonëse kanë kaluar katër muaj nga miratimi i Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, institucionet e vendit, përkatësisht Qeveria, e cila edhe është përgjegjëse për emërimin e drejtorit që do të udhëheqë këtë Agjenci, nuk ka arritur të bëjë një gjë të tillë. Të vetmet deklarata që japin zyrtarët qeveritarë është "jemi duke punuar në këtë drejtim, emërimi është çështje ditësh". Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, i aprovuar në Kuvendin e Kosovës më 21 maj 2008, parasheh themelimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, agjenci kjo që do të shërbente për të mbledhur, analizuar dhe shpërndarë informata në mënyrë të shpejtë dhe përgjegjshme. Në bazë të këtij ligji, AKI-ja qeveriset në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet tjera në fuqi në Kosovë. Tashmë janë përfolur emra të ndryshëm për të udhëhequr AKI-në, duke përfshirë këtu edhe njerëz që u kanë shërbyer shërbimeve informative të partive politike, por ai që do të japë "vizën", është kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, por gjithnjë në konsultim me faktorin ndërkombëtar. Kryeministri Hashim Thaçi e quajti këtë si çështje shumë të ndjeshme shtetërore, që kërkon përkushtim dhe konsultime shtesë që nganjëherë janë të domosdoshme në rrafsh edhe më të gjerë...

INFOPRESS

Mbrëmë vonë ka filluar punimet sesioni i 63-të me radhë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq të mërkurën (sot), pritet që Komiteti i Përgjithshëm i Asamblesë të shqyrtojë edhe iniciativën e Serbisë rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Parashihet që gjatë seancës së sivjetme të shqyrtohen në agjendë rreth 160 çështje, ndër të cilat si më kryesore janë siguria dhe paqja ndërkombëtare, lufta kundër terrorizmit, mbrojtja dhe respekti për të drejtat e njeriut, mbrojtja e mjedisit si dhe çështje të tjera të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Ndërkaq, të mërkurën Komiteti i Përgjithshëm i Asamblesë do të shqyrtojë disa nga çështjet që mund të futen për debat gjatë seancës së sivjetme, e ndër to do të jetë edhe iniciativa e Serbisë rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Të premten, ndërkaq, Asambleja e Përgjithshme do të shqyrtojë gjithë agjendën e propozuar nga Komiteti dhe, kur është fjala te kërkesa e Serbisë lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nëse ajo do të hyjë ndër çështjet që do të jenë në agjendën e sivjetme të punimeve, atëherë për të pritet të votohet diku kah fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit...

KOHA DITORE
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, të martën, e ka hedhur poshtë mocionin e deputetit të Aleancës Kosova e Re, Riza Smaka, për të diskutuar në seancën plenare të 25 shtatorit rreth propozimit të Serbisë për nxjerrjen e një rezolute në OKB, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin për Pavarësinë e Kosovës. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se mocioni është refuzuar për shkak se më 25 shtator, debati rreth kësaj çështjeje do të ishte "post festum". "Me datën 25 shtator, janë të përfunduara sesionet e OKB-së, kështu që të bisedohet rreth rezolutës së Serbisë, është 'post festum'", ka deklaruar deputeti Haliti. Sidoqoftë, ai ka rikujtuar se në seancën e 25 shtatorit është i thirrur ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i cili do të mund të japë shpjegime rreth kësaj çështjeje. Iniciativën e Serbisë që çështjen e shtetësisë së Kosovës ta adresojë në Gjykaten Ndërkombëtare të Drejtësisë, deri tash e kanë kundërshtuar jo vetëm udhëheqësit vendës, por edhe përfaqësues shtetesh dhe organizmash të jashtëm...

LAJM
Përfaqësuesit e opozitës e akuzojnë kryeministrin Hashim Thaçi për kritere të dyfishta në raport me mbështetjen e ministrave të kabinetit të tij. Sipas tyre, Thaçi ka qasje tjetër ndaj punës së ministrave të Qeverisë që vijnë nga partia e tij, PDK, dhe krejt tjetër ndaj atyre të LDK-së. Diskriminimi i ministrave të LDK-së në Qeveri, sipas opozitarëve, vihet re si në mbështetjen politike e financiare, ashtu edhe në marketingun që u bëhet rezultateve eventuale të tyre. Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të AKR-së, thotë se qasja e ndryshme e kryeministrit në raport me punën e ministrave është evidente. Makolli thotë se Thaçi shpeshherë sillet si të ishte kryeministër i një pjese të ministrave. "Kryeministri është i orientuar më shumë në avancimin e ministrave dhe ministrive që udhëhiqen nga ana e PDK-së, të cilët duket se kanë mbështetje politike e financiare shumë më të madhe sesa ministrat e LDK-së". Pasojat e këtij fenomeni po shihen në disa sektorë që janë lënë pas dore. "Ministrisë së Shëndetësisë, për shembull, po i ofrohet mbështetje shumë ë vogël duke shkaktuar pasoja në sistemin shëndetësor të vendit". Sipas Makollit, nëse një qasje e tillë vazhdon, mund të sjellë një situate pakënaqësie të brendshme në Qeveri, për shkak të pozitave të pabarabarta të ministrave brenda saj. Edhe Naser Rugova, deputet i LDD-së në Kuvend, thotë se Qeveria nuk ka unitet të brendshëm. Sipas tij, që nga fillimi është parë se kryeministri përkrah në të gjitha aspektet ministrat e partisë së tij, duke i lënë në pozita inferiore ministrat e LDK-së...

ZËRI
Nisma e Serbisë që përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të involvojë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vlerësimin e pavarësimit të Kosovës po shkakton kokëçarje gjithnjë e më të madhe në qarqet politike dhe diplomatike perëndimore, pa përkrahjen e të cilave Kosova nuk do të mbërrinte në cakun e synuar, më 17 shkurt të këtij viti. Bazuar në burimet diplomatike perëndimore në Prishtinë dhe në Bruksel, si qëndrojnë punët tani, gjasat janë më të mëdha që kjo iniciativë e Beogradit zyrtar, për të cilën më së shumti kanë qenë të angazhuar vetë kryetari Tadiq dhe ministri i Jashtëm Jeremiq, të kalojë sesa të dështojë, dhe atë për disa arsye. Së pari, imazhi i Serbisë pas zgjedhjeve të 11 majit është më i mirë, si në Evropë ashtu edhe më gjerë, edhe në raport me Kosovën, sepse më nuk ka pasur pamje të incidenteve të rënda, çfarë ishin ato të 19 shkurtit apo të 17 marsit. Beogradi zyrtar duket që e ka kuptuar që tablot e tilla janë të dëmshme për pozicionin e tij ndërkombëtar. Së dyti, edhe për shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është vështirë të kundërshtohet ky propozim i Serbisë, sepse del thuajse ato ia kanë drojën qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, apo që frikësohen se kjo gjykatë do të mund të vinte në dyshim vendimet e të gjitha këtyre shteteve, ku marrin pjesë, siç dihet, edhe shtetet më të zhvilluara në botë, 21 shtete të BE-së, etj...

EPOKA E RE
Ashtu edhe siç është paralajmëruar, shtatori duket se do të jetë muaj kur do të shtohet numri i shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Njohjet në këtë muaj nisën të hënën me Samaon, një shtet i vogël që gjendet në pjesën jugore të Oqeanit Pacifik. Ndërkaq, deputetët e koalicionit qeverisës i kanë dërguar kryetarit të Parlamentit malazias, Ranko Krivokapiq, një rezolutë për domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Malit të Zi në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Por, sipas radios podgoricase, Antena M, thelbi i kësaj rezolute paraqet hyrje në diskutimin parlamentar për njohjen e Kosovës, çështje kjo që në mënyrë implicite përcaktohet pjesë e pandashme e procesit të integrimit. Në pikën e tretë të rezolutës theksohet gatishmëria e Mali të Zi që ta respektojë realitetin politik të cilin BE-ja dhe NATO-ja e vlerësojnë si të rëndësishëm për stabilitetin rajonal. "Kjo do të jetë bazë edhe për përcaktimin e Malit të Zi ndaj çështjes së Kosovës", theksohet në fund të pikës së tretë të dokumentit dhe që promovon përkushtimin për zgjidhjen paqësore të konflikteve, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Deputetët që e kanë nënshkruar rezolutën kanë kërkuar që ajo të vihet në rend dite në seancën e parë të sesionit vjeshtor të parlamentit...

KOSOVA SOT
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e vet të rregullt, të ditës së martë, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e tretë e sesionit vjeshtor të zhvillohet më 25 shtator. Ndonëse në rend dite të kryesisë ishte propozuar edhe renditja në rend pune të seancës edhe zgjedhja e avokatit të popullit, në bazë të rezultatit të konkursit, të shpallur në fillim të punës së legjislaturës së tretë, kryesia edhe këtë herë e ka lënë pezull këtë çështje. Në këtë mbledhje është thënë se para se çështja të radhitet për seancë, është e nevojshme te zhvillohen konsultime shtesë me grupet parlamentare. "Ne do të konsultohemi edhe më tutje si grupe parlamentare se si do të procedojmë, a do ta fusim në votim për datën 25, apo do të mbetet e shtyrë prapë", tha anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti. Haliti nuk dha më shumë detaje rreth arsyes së dilemave që kanë dalë rreth futjes në procedurë votimi të rekomandimit të Komisionit për legjislacion. Sqarim më të detajuar nuk dha as anëtari i kryesisë nga AKR-ja, Ibrahim Gashi, i cili vetëm rikonfirmoi deklarimin e Halitit...

EXPRESS
Me në fund, duke filluar nga kjo fundjavë, Misioni i Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë do të fillojë të ashtuquajturin zbarkim masiv të pjesëtarëve të vet në Kosovë. "Rreth 100 pjesëtarë do të zbarkojnë këtë fundjavë në Kosovë. Shumica e tyre janë policë", ka thënë të martën për Express, një burim nga EULEX-i. Ardhja e policëve, gjykatësve, prokurorëve dhe doganierëve evropianë në grupe të mëdha do të vazhdojë për çdo fundjavë deri në zbarkimin e plotë, që parashihet të përfundojë kah fundi i këtij viti. Deri më tash në Kosovë kanë ardhur rreth 300 pjesëtarë të EULEX-it nga gjithsejtë 2000 pjesëtarë nga te gjitha shtetet anëtare të BE-së. Që nga nënshkrimi i një marrëveshjeje teknike me UNMIK-un për bartjen dhe shitjen e aseteve, EULEX ka krijuar kushte më të mira logjistike për vendosjen në Kosovë. Pas disa muaj negociatash me Nju Jorkun, EULEX është pajtuar që të ushtrojë aktivitetin në Kosovë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, megjithëse ende nuk janë qartësuar të gjitha detajet e kësaj "ombrelle"...
XS
SM
MD
LG