Ndërlidhjet

Haliti: Institucionet e Kosovës s’mund t’i shuajnë strukturat paralele


Xhavit Haliti

Xhavit Haliti

“Institucionet e Kosovës s’kanë pasur as fuqi, as mundësi, sepse me sigurinë në Kosovë deri më tash kompetencat i ka pasur UNMIK-u dhe KFOR-i”, thotë Xhavit Haliti, nga Partia Demokratike e Kosovës.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti, në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndër çështjet që pritet të diskutohen, është edhe iniciativa e Serbisë për vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

XHAVIT HALITI

Serbia po e shfrytëzon realisht të drejtën e saj për t’u ankuar në një institucion ndërkombëtar, në një institucion të përgjegjshëm dhe obligativ për ne të gjithë. Ka një lloj mbështetjeje, për vetë faktin se një pjesë e shteteve të caktuara kanë stagnuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nuk e kanë bërë atë sipas parashikimeve tona që i kemi pasur dhe sipas dëshirës sonë.

Meqenëse pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar SHBA-të, Unioni Evropian në përgjithësi, një pjesë e madhe e shteteve, që tash janë bërë 47, unë mendoj që mundësia për ta rikthyer në pozicionin para shpalljes së pavarësisë, është iluzion i Serbisë. Megjithatë, unë jam i bindur që lufta politike e Serbisë në këtë rast është permanente dhe do të jetë permanente.

E mira është që ata janë tërhequr nga dhuna, të cilën e kanë pasur metodën e vetme politike që kanë përdorur në Kosovë. Mendoj se nëse kalon si rezolutë, mund të zhvillohet një fushatë shtesë, mund të ndikojë negativisht te gatishmëria e shteteve që janë të luhatshme që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Por, duke pasur parasysh njohjet që i janë bërë pavarësisë së Kosovës, angazhimet e qeverive të demokracive në botë, veçanërisht njohjet që i ka bërë Perëndimi pavarësisë së Kosovës, të gjitha këto përpjekje për ta ndryshuar gjendjen, do të dështojnë. Megjithëse, do të ketë probleme lidhur me njohjen e mëtutjeshme nëse kalon si rezolutë.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i OKB-së në Kosovë është duke kaluar në një proces të rikonfigurimit, ndërkohë që misioni i BE-së ka filluar të zbarkohet. A mendoni se do të mund të ketë probleme sa i përket funksionimit të tyre?

XHAVIT HALITI

Tani, realisht, në heshtje po duket në sipërfaqe se ka një marrëveshje ndërkombëtare për t’ia lëshuar hapësirën EULEX-it për të vepruar në Kosovë. Megjithatë, popullata serbe dhe strukturat politike që manipulojnë një pjesë shumë të madhe të popullatës serbe, janë të gatshme të kundërshtojnë bashkëpunimin me EULEX-in dhe të krijojnë probleme në këtë drejtim, pikërisht për ta bërë të pamundur vendosjen e EUELX-it në gjithë territorin e Kosovës.

Tani, si do të zgjidhen problemet në mes të EULEX-it, OKB-së, ICO-s dhe administratorit zotit Feith, administratorit të OKB-së të dërguar këtu, është një problem që i takon më shumë bashkësisë ndërkombëtare që ta zgjidhë, sesa që kemi ne edhe kompetenca, edhe mundësi për ta zgjidhur. Besoj se formula do të gjendet dhe do të gjendet një formulë kalimtare.

Nuk më vjen mirë që akoma nuk kanë arritur në një marrëveshje që konfigurimi i forcave të EULEX-it të jetë më i shpejtë dhe të funksionojë në Kosovë pa pengesa. Tani, nëse nuk do të saktësohen kompetencat e secilit në fushën e vet këtu, me siguri se do të ketë hapësirë për anarki politike për ata që janë të interesuar që ta destabilizojnë Kosovën dhe kjo nuk do t’i bëjë mirë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Strukturat paralele në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë, madje ato veç sa po rrisin aktivitetin e tyre. Në këtë rast, institucionet kosovare deri më tash nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për shuarjen e tyre. Ju, si mendoni?

XHAVIT HALITI
Institucionet e Kosovës edhe sikur të kishin pasur dëshirë, nuk kanë pasur as fuqi, as mundësi, sepse me sigurinë në Kosovë deri më tash kompetencat i ka pasur UNMIK-u dhe KFOR-i dhe s’ka qenë kompetencë realisht e Qeverisë së Kosovës. Shuarja ose mundësia për t’i shuar këto struktura paralele është e kufizuar, për faktin se asnjë shërbim nuk mund të dijë saktë se kush është në këto struktura, kush paguhet, kush s’paguhet, kush çfarë detyre ka, pa e futur agjenturën tënde brenda radhëve të tyre.

Në kushtet kur Kosova nuk ka akoma një shërbim informativ, detyrë e të cilit do të ishte pikërisht kjo, identifikimin dhe informimin e strukturave të qeverisë se çfarë po ndodh dhe cili është rreziku permanent për të ardhmen e Kosovës, ne kemi mbetur me deklarata vetëm në kuadër të supozimeve ose po na vjen më lehtë nganjëherë të japim deklarata të përgjithësuara, që ka këtu organizata paralele, ka grupime që veprojnë kundër Kosovës.

Përveç shërbimeve të huaja që veprojnë në Kosovë, shërbimit të KFOR-it që vepron në Kosovë, që mund t’i kenë më shumë të identifikuara, mendoj se institucioni i prokurorisë, institucioni i policisë së Kosovës, institucioni i gjyqësisë, deri më tash nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër asnjë personi që vepron në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Mendoj se edhe sikur të bënte përpjekje qeveria sot për të ndërmarrë diçka, sikur të bënte përpjekje prokuroria, gjyqësia, policia për të ndërmarrë diçka, do të pengoheshin në këtë rast nga EULEX-i, nga OKB-ja, nga KFOR-i, për faktin se akoma situata apo marrëdhëniet ndërnacionale janë të brishta dhe akoma ka probleme në këto marrëdhënie.

Megjithatë, forcat e ashtuquajtura paralele kanë një mision, kanë një detyrë dhe kanë do ta quaja një qëllim, që ta destabilizojnë politikisht Kosovën, që ta pamundësojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj dhe të krijojnë provokacione që do të nxisnin ndoshta përplasje ndërnacionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Deputetët e opozitës në Kuvend thonë se pozita nuk po punon sa duhet dhe nuk është e hapur për bashkëpunim. Cili është qëndrimi juaj?

XHAVIT HALITI
Realisht, në kushtet e sotme nuk ka opozitë të duhur në Kuvendin e Kosovës. Askund në botë, pozita dhe opozita nuk bashkëpunojnë në të gjitha fushat. Pozita dhe opozita bashkëpunojnë për çështje të mëdha, p.sh. kemi pasur nevojë që të bashkëpunojmë për pakon e Ahtisaarit, për shpalljen e pavarësisë, kemi nevojë që të bashkëpunojmë dhe t’i ndihmojmë si pozitë komunat në veçanti që opozita i ka në qeverisje.

Është obligim i qeverisë dhe i institucioneve të Kosovës që t’i bëjë thirrje opozitës për çështje kyçe, kryesore që janë për Kosovën, të jetë e bashkuar rreth pozitës, por askund në botë nuk unifikohet pozita dhe opozita dhe të punojnë bashkë në të gjitha fushat dhe në të gjitha çështjet.

Në kushtet e sotme, mendoj se një opozitë e organizuar do të ndikonte shumë pozitivisht që të eliminohen nëse ka të meta në qeverisje, nëse ka gabime në qeverisje, nëse dikush shkel ligjet në emër të qeverisjes. Kjo është opozita. Opozita është kontroll i përhershëm dhe detyrë e saj është që t’i rrijë në kokë pozitës dhe të luftojë për të ardhmen e saj politike.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG