Ndërlidhjet

Thaçi: Fytyra e Serbisë në raport me Kosovën është gjenocidi


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ta mbështesin dhe njohin Kosovën dhe të mos e përkrahin nismën e Serbisë kundër procesit të njohjes së Kosovës në OKB.

Kosova nuk mund të presë asgjë të mirë në këtë fazë të zhvillimeve politike nga Serbia, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri kosovar tha se këto ditë pritet që për Kosovën të diskutohet edhe në Kombet e Bashkuara, ku Beogradi po përpiqet të pengojë procesin e njohjes së Kosovës.

Por, sipas Thaçit, as Serbia dhe askush tjetër nuk do të mund ta ndalë botën demokratike që ta njohë Kosovën e pavarur e sovrane. Thaçi u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ta mbështesin Kosovën dhe të mos përkrahin nismën e Serbisë.

“Kemi të bëjmë me një iniciativë të Serbisë, por askush nuk duhet të befasohet me këtë nismë, sepse ne nuk duhet të presim iniciativa të mira në këtë kohë nga Serbia për Kosovën”.

“Përkundrazi, gjithë bota e di se fytyra e Serbisë në raport me Kosovën është gjenocidi që ka kryer në Kosovë. Prandaj, do të kemi ende ballafaqime e vështirësi në procesin e njohjes, por ato nuk janë pengesa e vështirësi të patejkalueshme. Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi thotë se Kosova angazhohet për raporte të mira me vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë, ndërkohë që në koordinim me faktorin ndërkombëtar punon në shtrirjen e autoritetet në gjithë territorin e saj, me fokusim të veçantë në pjesën veriore.

Këto komente, Thaçi i bëri pas takimit që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giuseppe Emilio Gay. Ky i fundit tha se KFOR-i është i gatshëm të reagojë ndaj çdo situate dhe nëse kërkohet një reagim i tillë, mund të pritet edhe në veri të Kosovës.

Giuseppe Emilio Gay
“Nëse UNMIK-u apo dikush tjetër kërkon që ne të ndërmarrim diçka, qoftë në veri, në jug, lindje apo perëndim, ne duhet ta ofrojmë bashkëpunimin tonë. Deri më tani kjo nuk është kërkuar”,
tha Gay.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi edhe sot e ka potencuar se në veri të Kosovës ka kontrabandë, krim të organizuar dhe mospërfillje të ligjit. Sidoqoftë, ai është shprehur i bindur se autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare do t’ia dalin që të kthejnë rendin kushtetues edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Ndërkaq, duke komentuar vizitat që Qeveria e Serbisë po i bën në Prishtinë pa lejen e autoriteteve kosovare, që realizohen përmes ministrit të saj për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kryeministri Thaçi tha se ato janë pjesë e agjendës së UNMIK-ut dhe se këto vizita aranzhohen përmes administratës ndërkombëtare përderisa ajo është në rikonfigurim e sipër.

“Ne jemi të interesuar si qeveri dhe institucione të Republikës së Kosovës të ndërtojmë raporte të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit e në këtë kuadër edhe të çështjeve teknike, të diskutimit me autoritetet e Beogradit si dy shtete të veçanta”, theksoi Thaçi.

Ndërsa me Serbinë, kryeministri kosovar ka parashikuar se në këtë fazë nuk mund të pritet normalizimi i marrëdhënieve, ai ka shprehur bindjen e tij se Republika e Kosovës do të njihet shumë shpejt nga fqinjët e saj, Maqedonia e Mali i Zi.
XS
SM
MD
LG