Ndërlidhjet

logo-print

Në Kosovë, numri i vdekjeve të foshnjave prej lindjes deri në moshën 5 vjeç është më i larti në Evropë. Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por edhe nga përfaqësues të organizatave në Kosovë që merren me këtë çështje. Ndryshe, objektivat e Mileniumit, të përcaktuara nga OKB-ja, kërkojnë ulje të këtyre vdekjeve në 2/3 deri në vitin 2015.

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë vazhdon të mbetet më e larta në Evropë, thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit 2008.

Në pjesën për Kosovën, të hartuar në vitin 2007 nga UNDP-ja, thuhet se mortaliteti i fëmijëve nën moshën 5 vjeç në vit është prej 35 deri në 49 vdekje në 1000 lindje.

Edhe përfaqësues të Fondit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë thonë se me gjithë faktin se që nga viti 2000 vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë ka rënë, megjithatë mbetet shumë e lartë.

Agron Gashi, nga ky fond, thotë se sipas të dhënave që posedon kjo organizatë, në 1000 fëmijë të gjallë, 69 fëmijë vdesin pa i mbushur 5 vjet.

“Në një studim, i cili është bërë nga Enti i Statistikave të Kosovës në vitin 2003, është treguar se shkalla e vdekshmërisë së foshnjave nën moshën 1 vjeçare është 35 në 1000 lindje. Ndërkaq, mosha e vdekshmërisë së fëmijëve është 69 në 1000 lindje”, pohon Gashi.

Vdekshmëria e lartë e foshnjave vjen nga situata e rëndë e shëndetësisë, thonë ekspertë për çështje shëndetësore. Sami Uka, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, thotë se në këtë kuadër duhet të ngritët cilësia e shërbimeve shëndetësore.

“Niveli i lartë i vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë mund të zvogëlohet me ngritjen e kapaciteteve objektive të ofrimit të kujdesit shëndetësor, me ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor të ofruar për nënat shtatzëna, foshnjat e porsalindura dhe fëmijët e vegjël”, tha Uka.

Ndryshe, objektivat e Mileniumit, të përcaktuara nga OKB-ja, kërkojnë ulje të këtyre vdekjeve në 2/3 deri në vitin 2015.

Agron Gashi, nga Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara, thotë se kjo nuk është e lehtë të arrihet. Ai thotë se duhet të merren masa të shpejta për të arritur objektivat.

“Nëse parashohim që deri në vitin 2015 të jetë nën 10 promil, apo më pak se 10 fëmijë të vdekur në 1000 të lindur, atëherë kërkohet një angazhim i vazhdueshëm si në aspektin financiar, po ashtu edhe në aspektet teknike”, thotë Gashi.

Por, Sami Uka, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është optimist se me një angazhim shtesë, objektivat e Mileniumit mund të arrihen.

“Trendi i uljes së kësaj shkalle të vdekshmërisë është premtues. Kështu që ne jemi optimistë se me një angazhim shtesë do të arrijmë t’i përmbushim objektivat e këtij Mileniumi, që kanë të bëjnë me këtë aspekt”, tha Uka.

Sidoqoftë, edhe Ministria e Shëndetësisë, prioritet në agjendë ka uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave. Në Strategjinë Shëndetësore të Kosovës për vitin 2005 – 20015 thuhet se qëllim kryesor i kësaj ministrie është fillimi i shëndetshëm i jetës.

Kjo ministri, thuhet në strategji, synon të zvogëlojë mortalitetin dhe të përmirësojë rritjen dhe zhvillimin psiko-fizik të fëmijëve nën moshën pesë vjeçare.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG