Ndërlidhjet

Reformimi në drejtësi - proces i gjatë e i ndërlikuar


Ekspertët e drejtësisë thonë se vlerësimi i gjyqtarëve e prokurorëve duhet të jetë hapi i parë në drejtim të reformimit të sistemit gjyqësor në Kosovë. Mungesa e objekteve, e mjeteve, si dhe e pavarësisë financiare, sfidojnë këtë segment të drejtësisë kosovare.

Reformimi i sistemit gjyqësor, i vënë si prioritet nga autoritetet vendore por edhe ndërkombëtare në Kosovë, do të kalojë një fazë të gjatë dhe të ndërlikuar, duke pasur parasysh gjendjen akoma kritike të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Hapi i parë në drejtim të reformimit të këtij sistemi duhet të jetë vlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve, që janë pjesë e gjyqësisë kosovare. Kështu thonë ekspertët në Prishtinë, të cilët vlerësojnë se nismat e shumta që ka pasur në të kaluarën në këtë drejtim, duhet të futen brenda një kornize konkrete të veprimit.

Eksperti Kujtim Kerveshi thekson se vlerësimi i gjykatësve e prokurorëve është prioritet i çdo lloj reforme në gjyqësinë në Kosovë.

"Nuk mund të nis asnjë proces i reformës në gjyqësorin kosovar pa u mbyllur procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve", thekson ai.

Lidhur me reformimin e sistemit të gjyqësisë në Kosovë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka hartuar kohë më parë strategjinë konkrete 5 vjeçare, në kuadër të së cilës hyn një bllok ndryshimesh rrënjësore, e të cilat bazohen në ligjin për funksionimin e strukturave të gjyqësorit.

Drejtori i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Halit Muharremi, shpjegon:

"Ai reformim nënkupton shumë komponentë, duke filluar nga baza ligjore, prej përgatitjes dhe nxjerrjes së pakos së ligjeve dhe akteve të tjera të përgjithshme juridike, që kanë të bëjnë me reformën e sistemit gjyqësor, pastaj nxjerrjen e ligjit mbi gjykatat, përmes të cilit do të përcaktohet struktura e re e gjyqësorit dhe fushë-kompetencat e tyre".


Sipas Muharremit, pjesë e reformave të parapara me dokumentin në fjalë është edhe mbështetja e logjistikës, përkatësisht objekteve ku nivelet e ndryshme të gjyqësorit ushtrojnë punën e tyre.

"Aspektin e resurseve njerëzore, që duhet të bëhen në sistemin gjyqësor dhe në aspektin e mbështetjes së logjistikës së gjyqësorit, duke filluar nga godinat, një pjesë e të cilave janë me kushte të papërshtatshme dhe me kushte jashtëzakonisht të papërshtatshme për punë", tha Muharremi.

Ndikimi i punës në gjyqësi, si pasojë e mungesës së objekteve, vërehet së fundi edhe në qytetin e Mitrovicës, ku për shkaqe politike, Gjykata e Qarkut, e cila funksiononte në veri, ishte detyruar të zhvendosë personelin e saj në qytetin e Vushtrrisë, e ku aktualisht punohet me kapacitete të përgjysmuara, gjë që, sipas Muharremit, është shqetësuese.

"Sigurisht se ajo është shqetësuese jo vetëm për Këshillin Gjyqësor, por në përgjithësi për gjithë shtetin e Kosovës, sepse duhet sa më parë të bëhet riintegrimi i të gjitha gjykatave në sistemin unik të gjyqësorit të Kosovës", thekson Muharremi.

Sidoqoftë, të gjitha problemet me të cilat aktualisht ballafaqohet gjyqësori në Kosovë, duket se nuk mund të zgjidhen pa zgjidhur fillimisht çështjen e pavarësisë financiare të gjyqësisë.

Eksperti Kerveshi thotë se ndikimet politike, për të cilat janë kritikuar gjykatat në vend, vijnë si pasojë e varësisë financiare të gjyqësorit nga Kuvendi i Kosovës.

"Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë sot janë të shantazhuar, sepse mandati i tyre është i përkohshëm. Ata nuk kanë një kontratë, e cila u garanton atyre që për një periudhë të caktuar kohore do të punojnë pa ndikimin dhe pa presionin që mund të vijë qoftë nga qeveria, qoftë nga kuvendi, sepse ata marrin një buxhet, i cili miratohet nga Kuvendi i Kosovës", tha Kerveshi.

Korrupsioni, ndikimet politike, si dhe mungesa e infrastrukturës, janë vlerësuar të jenë problemet më të mëdha, me të cilat ballafaqohet sistemi aktual i gjyqësisë në Kosovë, sistem ky i cili është parashikuar të ristrukturohet edhe me planin e presidentit Martti Ahtisaari.
XS
SM
MD
LG