Ndërlidhjet

logo-print

Në veri kthehen vetëm gjykatës ndërkombëtarë


Protestuesit serbë para Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, 14 mars 2008.

Protestuesit serbë para Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, 14 mars 2008.

Administrata e OKB-së, nga e premtja, do nisë punët për rifunksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës. Vendimi i UNMIK-ut që fillimisht t'i kthejë në Gjykatën e Qarkut në veri gjykatësit ndërkombëtarë, është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e gjyqësisë kosovare.

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka vendosur të rifunksionalizojë gjykatat në veri të Kosovës, ku për shkak të uzurpimit të objekteve të gjykatës nga serbët protestues, kishte pushuar puna që nga 20 shkurti i këtij viti.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet UNMIK-ut, Prishtinës dhe Beogradit është arritur pajtimi për rikthimin e gjykatësve dhe prokurorëve në veri të Mitrovicës deri në fund të këtij viti, por rivitalizimi i institucioneve të drejtësisë në këtë pjesë të vendit do të përfshijë vetëm kthimin e gjykatësve e prokurorëve ndërkombëtarë. Kështu bën të ditur zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

"Sipas planit origjinal, ne do të fillojmë punën me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe shpresojmë se në muajt e ardhshëm gjykatat do të punojnë në mënyrë normale, me gjykatës dhe prokurorë serbë e shqiptarë", shprehet ai.

Vendimi i misionit të OKB-së në Kosovë për të rikthyer vetëm punonjësit ndërkombëtarë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit shqiptarë. Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, thotë se vendimi i UNMIK-ut cenon pavarësinë e gjyqësorit kosovar.

"Ne konsiderojmë se ky është një vendim kryekëput politik, i ndërmarrë nga UNMIK-u, përkundër kundërshtimeve tona kategorike dhe mospajtimeve tona me një vendim të tillë. Konsiderojmë se ky vendim, jo vetëm që paraqet përzierje në punën e gjyqësorit, por në të vërtetë paraqet cenim të pavarësisë së gjyqësorit kosovar”, thotë Baruti.

Baruti shprehet i vendosur që të çojë çështjen e rikthimit të punës së Gjykatës së Qarkut, proces ky nga i cili ai ndihet i përjashtuar, edhe në instanca më të larta institucionale të drejtësisë.

"Konsiderojmë se varësisht prej rrjedhës së situatës në këto orët e ardhshme, të kërkojmë të marrë qëndrim lidhur me këtë çështje Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pastaj me këtë të sqarohet edhe Shoqata e gjyqësorëve dhe prokurorëve të Kosovës dhe një gjë të tillë do të kërkojmë edhe prej sindikatës së pavarur të Kosovës", theksoi Baruti.

Për dallim nga përfaqësuesit shqiptarë, serbët e veriut të Kosovës, në parim pajtohen me vendimin e UNMIK-ut për të rikthyer në objektin e Gjykatës së Qarkut në veri gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë, por thonë se akte të tilla nuk duhet të hapin derën për rikthimin e shqiptarëve në gjykatë.

Anëtari i Këshillit Kombëtar Serb, Nebojsha Joviq, e konsideron si të panevojshëm rikthimin e gjykatësve shqiptarë në veri, por thekson se ai rikthim do të ishte i mirëpritur nëse angazhimet e këtyre gjykatësve do të ishin në kuadër të një gjykate, e cila do të vepronte në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

"Nuk është problematike që UNMIK-u të vijë atje, por problemi qëndron në faktin se pas një kohe do të vijnë edhe shqiptarët. Por, nëse ata pranojnë të punojnë për ndërkombëtarët, e jo në kuadër të institucioneve kosovare, mund të bisedojmë. Mirëpo, nëse pas një kohe UNMIK-u parasheh të kthejë në veri edhe gjykatës shqiptarë, atëherë kjo nuk do të përfundojë mirë. Ne nuk jemi kundër punës së institucionit të gjyqësorit, por gjithnjë duke e respektuar Rezolutën 1244", thotë Joviq.

Sidoqoftë, zëdhënësi i misionit të OKB-së, Ivanko, nënvizon se vendimi i UNMIK-ut për rifillimin e punëve të gjykatave në veri është bërë në pajtim me Beogradin dhe Prishtinën zyrtare, andaj edhe, siç shprehet ai, nuk është një vendim politik, por një vendim i nevojshëm.

"Ne nuk e konsiderojmë këtë si vendim politik, por kjo është pjesë e rikthimit të sundimit të ligjit atje. Ka një numër të madh të dosjeve, të cilat nuk janë shqyrtuar në muajt e fundit dhe ekziston nevoja e rikthimit të gjykatave në veri, andaj ne kemi informuar Qeverinë e Kosovës dhe Beogradin mbi veprimet tona, dhe këta të fundit e kanë kuptuar rëndësinë që atje të kthehet sundimi i ligjit. Për këtë arsye, ne fillimisht do t'i nisim punët me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë", shton Ivanko.

Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila shkaktoi një valë të protestave tek serbët e veriut, është zhvendosur në qytetin e Vushtrrisë, ku aktualisht funksionon me kapacitete të përgjysmuara, duke shqyrtuar vetëm rastet urgjente.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG