Ndërlidhjet

Kontrabanda dhe siguria e konsumatorëve


Tregu kosovar është i furnizuar me produkte me prejardhje të dyshimtë dhe me afat të skaduar, thonë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe vetë zyrtarë qeveritarë. Sipas tyre, shumica e këtyre mallrave hyjnë nëpërmjet pikave kufitare në veri të Kosovës, ndërkaq shiten në pjesën jugore të qytetit.

Kontrabandimi i mallrave që po ndodh nëpërmjet pikave kufitare në veri të Mitrovicës, përveç se po ndikon në humbjen e buxhetit, po rrezikon edhe shëndetin e konsumatorëve. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas tyre, tregu kosovar ka mundësi të jetë i furnizuar me produkte me prejardhje të dyshimtë, për shkak të mungesës së kontrollit doganor në kufijtë që lidhin Kosovën me Serbinë.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se në pikat kufitare në veri të Kosovës hyjnë mallra të dyshimta dhe me afat të skaduar.

“Në veri të Kosovës futen mallra të dyshimta, mallra të painspektuara dhe krejt këto konsumatorin e sjellin në një rrezik të vazhdueshëm, në një rrezik që mund të kushtojë edhe me jetë. Derisa në shumë vende të Kosovës gjenden mallra me afat të skaduar, importohen mallra me afat të skaduar, bile edhe 3-4 vjet mbrapa, kjo vetë tregon dhe nuk do koment”, thotë Shahini.

Prania e produkteve ushqimore në tregun kosovar me afat të skaduar është jashtëzakonisht e madhe, thotë edhe Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës Joqeveritare ‘Konsumatori’ .

Për shkak të kontrabandimit të mallrave nga Serbia, Kaçaniku thotë se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që tregu i Serbisë të shpallet joserioz dhe jo i sigurt për Kosovën.

“Ishte vetëm një pranim deklarativ, ndërkaq në praktikë vazhdojnë të hyjnë mallra nga Serbia. Ne kemi informata se vija, fabrika të veçanta, prodhojnë artikuj për Kosovën. Kjo neve na bën të dyshojmë”, pohon Kaçaniku.

Sasia më e madhe e mallrave me prejardhje të dyshimtë dhe me afat të skaduar gjendet në tregun e pjesës jugore të Mitrovicës, thotë Agim Shahini.

“Sasia më e madhe është në pjesën veriore, ku atje ripaketohen, iu ndërrohen afatet e skadimit, datat dhe kjo vjen në pjesën tjetër të Kosovës si mall i rëndomtë. Dhe, kjo është shumë vështirë që të identifikohet”,
thotë Shahini.

Se mallra me afat të skaduar dhe me prejardhje të dyshimtë ka në tregun kosovar, thonë edhe zyrtarë qeveritarë. Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se problemet më të mëdha në këtë drejtim paraqiten në qytetin e Mitrovicës.

“Zakonisht, pika veriore në Mitrovicë është një problem pak më i theksuar, për shkak se është kompetencë e doganave, atyre që duhet të bëjnë kontrollimin e mallrave që hyjnë në Kosovë. Në këtë drejtim, në atë pikë kemi probleme shumë të mëdha në çrregullimin e tregut, që bën furnizimet që hyjnë nga ana veriore e Mitrovicës”, thotë Shehu.

Sidoqoftë, janë bërë shtatë muaj kur në shenjë pakënaqësie, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, serbët kishin djegur pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG