Ndërlidhjet

Debate të ashpra rreth politikës së jashtme dhe njohjes


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua një debat lidhur me politikat e jashtme. AKR-ja, si parti opozitare, ka ftuar në interpelancë ministrin e Jashtëm, Skënder Hysenin, nga i cili ka kërkuar sqarime lidhur me politikat e jashtme dhe lobimin për njohjen e pavarësisë.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe nismës serbe në OKB kundër pavarësisë së Kosovës.

Kosova nuk do ta ekzagjerojë e as dramatizojë nismën e Serbisë në Kombet e Bashkuara, por as nuk do ta nënçmojë atë, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi, në lidhje me iniciativën e Beogradit për interpretimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Këto komente, Thaçi i ka bërë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku sot është diskutuar në lidhje me politikën e jashtme, për çka opozita e kishte ftuar në interpelancë ministrin e Punëve të Jashtëm, Skënder Hysenin.

Duke iu shmangur debateve të nxehta të opozitës në raport me politikën e jashtme të qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi është ndalur në nismën serbe në OKB, të cilën e vlerësoi si shumë të keqe, që nuk i kontribuon stabilizimit të raporteve mes dy shteteve.

“Ndonëse thuhet se në Beograd ka një qeveri pro-evropiane e demokratike, megjithatë edhe për një kohë nuk mund të priten nisma të mira nga Serbia”, theksoi Thaçi.

“Jemi të informuar me kërkesën e Serbisë, mirëpo në çdo rast, në çdo rrethanë që mund të krijohet në Asamblenë e Përgjithshme, nuk ka hapësirë e rrethana që duhet të ngjallin zhgënjim. Përkundrazi, unë ju ftoj të gjithëve që të mobilizohemi si politikë kosovare, që të vazhdojmë dhe të fitojmë njohje të reja”, tha Hashim Thaçi.

Edhe në rast se Serbia e merr mbështetjen e OKB-së që interpretimi për pavarësinë e Kosovës të kalojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Thaçi tha se kjo nuk do të thotë se kjo Gjykatë do të japë mendimin çfarë e pret dhe e dëshiron Serbia.

Sidoqoftë, deputetët, sidomos ata nga tabori opozitar, e kanë konsideruar si dështim të politikës së jashtme të Kosovës, qoftë miratimin eventual të nismës serbe në OKB, apo edhe zvarritjen, siç u tha, që po i ndodh procesit të njohjes së Kosovës.

Deputeti i AKR-së, Ibrahim Gashi, parti kjo iniciuese e interpelancës së sotme, tha se politika e jashtme po reflekton një krizë të thellë dhe është në buzë të dështimit.

“Grupi Parlamentar i AKR-së tashmë e ka parë qartë ngecjen e madhe që ka ndodhur dhe po ndodh në ndërtimin e strukturës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, hartimin e strategjisë afatshkurtër dhe afatmesme të politikës së jashtme, vonesën e madhe të pajustifikueshme në ndërtimin e shërbimit diplomatik të Kosovës dhe për pasojë ngathtësinë e theksuar deri në shkallë dështimi në çështjen e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së”, tha Gashi.

Kritikave të opozitës u është bashkuar edhe subjekti tjetër nga ky tabor, AAK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, shtroi çështjen e përgjegjësisë dhe aktiviteteve në këtë ministri, të cilat, sipas tij, nuk ekzistojnë.

“Çështja është kështu, kur ju them a ndieni përgjegjësi, ju lutem tregoni: Sa ministra të Jashtëm i keni takuar vetëm? Nëse nuk ju kanë pritur, tregoni a nuk po na duan ata neve, a nuk po ju duan juve? A nuk po e duan popullin e Kosovës e Kosovën, apo nuk po ju duan juve? Se përgjigje duhet të jepet”, theksoi Gjini.

Në anën tjetër, Lulëzim Zeneli, nga LDD-ja, tha se Ministria e Punëve të Jashtme paraqet kulmin e dështimeve në qeverinë aktuale.

“Nëse do të kishte një njësi matëse që do t’i matë rezultatet e punës së kësaj qeverie, atëherë kjo do të ishte e barabartë, sikurse mos të kishte ekzistuar fare kjo ministri. Pra, edhe sikur mos të kishim fare ministër dhe ministri përkatëse, jeni të bindur se këtë rezultat do ta kishim
”, vlerësoi Zeneli.

Të gjitha këtyre kritikave u është përgjigjur në fund ministri Skënder Hyseni, i cili tha se nuk ndihej fajtor për faktin që vende të caktuara mbajnë rezerva dhe hezitime në raport me Kosovën, të cilat, sipas tij, vijnë si rezultat i politikave globale dhe jo si rezultat i politikave të dështuara të Kosovës.

Në këtë aspekt, ai tha se kishte edhe një angazhim për bllokimin e nismës serbe në OKB, pavarësisht se kjo nuk ishte arritur.

“Çka po bën Kosova rreth iniciativës serbe - ka bërë gjithë atë që është e mundshme. Përgjigjja është: kam takuar mbi 100 ambasadorë e më pak ministra të jashtëm. Iniciativa serbe është një prej pikave kyçe që është rrahur në këto takime, sepse ajo nuk është prej dje kur është futur në rend dite. Dhe, janë bërë përpjekje edhe dje nga vende kyçe përkrahëse të Kosovës që të parandalohet futja e kësaj nisme në rend dite të Asamblesë së Përgjithshme”, tha Hyseni.

Seanca është përshkuar me tone të ashpra dhe replikime ndërmjet pozitës e opozitës. Ndërkaq, gjatë kohës sa fliste ministri Skënder Hyseni, një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës lëshoi sallën. Kjo ishte hera e parë që Kuvendi debatoi aspekte të politikës së jashtme, ndërkohë që Kuvendi ende nuk ka miratuar ndonjë platformë të Kosovës për politikën e jashtme.
XS
SM
MD
LG