Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Plan për shpëtimin e sistemit financiar


Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se po punojnë në atë që e kanë quajtur plan "gjithpërfshirës" që t'i pastrojnë institucionet financiare nga asetete e këqija dhe të qetësojnë tregjet e trazuara financiare globale.

Në tregjet aziatike është shënuar një rritje, pas njoftimeve për intervenime tjera të qeverisë amerikane në treg.

Çmimi i naftës është rritur lehtë për më shumë se 98 dollarë për një fuçi, ndërsa edhe dollari amerikan ka shënuar një rritje të lehtë në tregjet aziatike.

Presidenti amerikan George Bush ka thënë se ndan shqetësimet me popullin amerikan për statusin e ekonomisë amerikane dhe botërore.

Ai ka thënë se bashkë me këshilltarët kryesorë të tij të ekonomisë do të monitorojnë situatën për së afërmi.

"Tregjet tona financiare do të vazhdojnë të përballen me sfida serioze. Siç dëshmojnë veprimet tona të fundit, administrata ime është e fokusuar që t'i përballojë këto sfida. Populli amerikan mund të sigurohet se ne do vazhdojmë të veprojmë për të forcuar dhe stabilizuar tregjet tona financiare dhe të rrisim besimin e investitorëve", ka thënë presidenti Bush.

Në anën tjetër sekretari amerikan i Thesarit Henry Paulson ka thënë se po punon bashkë me liderë nga Kongresi në një legjislacion, që do të shpëtojë bankat nga problemet me borxhet.

"Ajo për të cilën po punojmë tash është një qasje për t'u marrë me rrezikun sistematik dhe streset në tregjet tona kapitale", ka thënë Paulson, pas takimit me ligjvënësit në Uashington.

XS
SM
MD
LG