Ndërlidhjet

“Përplasje të pandalshme në LDK”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tashmë kanë plasur kundërshtimet dhe subjekti i dytë politik për nga madhësia në Kosovë po përballet me probleme të mëdha. Një proces reformash që ka nisur, duket të mos ketë përkrahjen e anëtarësisë së gjerë. Disa nuk pranojnë ta quajnë reformë e të tjerët madje e njohin si 'reformë kozmetike'. Kriza në LDK vjen dhe thellohet, kur disa nga anëtarët e kësaj partie paralajmërojnë mundësinë e një ndarjeje të re të këtij subjekti politik, ndërkaq është pranuar tashmë edhe publikisht se brenda LDK-së ekzistojnë fraksione dhe klane të reja, të krijuara pas Kuvendit të fundit zgjedhor të kësaj partie. Brenda LDK-së janë shtuar zërat kundërshtues, sado që anëtarët e kryesisë fshehin apo nuk e pranojnë një gjë të tillë. "Tashmë nuk ka zëra të pakënaqurish. Tashmë është problem të gjesh ndonjë të pakënaqur brenda LDK-së, me arsye e kam fjalën", thotë nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu. Sidoqoftë, Melihate Tërmkolli, Astrit Haraqija, Rexhep Osmani, Rexhep Gjergji, Zejnullah Rrahmani janë vetëm disa nga anëtarët e LDK-së që haptas kanë shprehur kundërshtimet e tyre dhe pakënaqësinë me kryesinë aktuale të LDK-së dhe me politikën udhëheqëse. Rexhep Gjergji gjithë shpëtimin e LDK-së e shesh në dorëheqjen e udhëheqësisë. "Të japin dorëheqje, të kërkojnë falje publike dhe të shkojnë në shtëpi", thotë Gjergji. Ngjashëm mendon edhe deputetja nga radhët e kësaj partie, Melihate Tërmkolli. Sipas saj, kryetari dhe kryesia e LDK-së duhet të shkojnë...

EPOKA E RE
Drejtuesit e institucioneve të vendit nuk i ka shqetësuar kalimi i rezolutës serbe nga Komiteti tek Asambleja e OKB-së, e cila ka për qëllim ta kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Ata kanë thënë se kjo rezolutë, edhe në rast se miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, nuk do të mund ta ndalojë Kosovën nga vazhdimi i njohjeve të reja nga vendet e botës. Por, zyrtarë opozitarë, për dallim nga ata pozitarë, kanë shprehur mendimin se rezoluta serbe ka qëllim politik dhe do të ketë ndikim te vendet që ende nuk kanë marrë vendim për ta njohur shtetin e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, ecje të sigurt të njohjeve të reja dhe proces integrues në Bashkimin Evropian dhe në NATO. "Ne e kemi orientimin e politikës sonë. Në Nju Jork do të jenë presidenti dhe ministri i Jashtëm, dhe politika jonë do të jetë e koordinuar me miqtë tanë amerikanë dhe BE-në”, është shprehur Thaçi. Qasjen e Serbisë për ta vënë në gjyq Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare, presidenti Fatmir Sejdiu e ka vlerësuar irracionale. "Është një gjykim i Serbisë që të vë në bankën e zezë gjithë vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, por edhe popullin e saj. Pra, është një akuzë e një shteti që ka bërë krime në Kosovë", është shprehur Sejdiu... Për dallim nga pozita, opozita e sheh nga një kënd tjetër kalimin e rezolutës serbe nga Komiteti tek Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, ka thënë se nisma serbe ka qëllim politik dhe mjerisht hapi i saj është i suksesshëm...

ZËRI
Politikanët dhe ekspertët serbë vlerësojnë se është "fitore diplomatike e Serbisë" marrja e vendimit nga Komiteti i Përgjithshëm i KB-së që të futet në rend të ditës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së iniciativa e Serbisë që nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të kërkohet mendim për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, ka edhe mendime, si ai i shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, se kjo "paraqet sukses të madh, por ende nuk duhet të gëzohemi", e deri te deklarata e kryetarit të LDP-së, Çedomir Jovanoviq se "vendimi i Komitetit të Përgjithshëm të KB-së është i pritshëm, por problemi i Kosovës nuk ka lindur në KB, prandaj atje as nuk mund të zgjidhet", apo te ai i drejtorit të Forumit për Marrëdhënie Etnike të Beogradit, Dushan Janjiq, se "iniciativën duhet vazhduar, por nuk duhet shpenzuar shumë energji në të, por atë duhet orientuar për krijimin e urës me Bashkimin Evropian, i cili tash do ta shtojë trysninë ndaj vendeve në rajon që sa më shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës"... Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, mendon se "me vendimin e Komitetit të Përgjithshëm të KB për vënien në rend të ditës të rezolutës së Serbisë, përpjekjet diplomatike të Beogradit rezultuan të suksesshme"...

LAJM
Serbia po përpiqet që përkohësisht ta ndalojë çështjen e Kosovës, e ne anën tjetër ta vazhdojë procesin e vet në Bashkimin Evropian. Ky është qëllimi i serbeve, e respektoj, por natyrisht mendoj se nuk mund të realizohet. Kështu tha te enjten ambasadori i Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, John Sauers, i pyetur nga BBC-ja që ta komentojë kërkesën serbe që çështja e Kosovës të gjendet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. "Bashkimi Evropian i ka dy interesa në Ballkan: së pari të futet Serbia në Evropë dhe, e dyta, ta stabilizojë dhe ta ndihmojë shtetin e Kosovës. Kështu, njëra duhet të shkojë bashkë me tjetrën. Andaj, nisma serbe e bart rrezikun e destabilizimit të Kosovës, dhe kjo nuk është në interes të Serbisë, "as në interesin tonë". Sauersi tha për BBC-në se veprimet e serbëve nuk do t'i kontribuojnë integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. "Mendoj se serbët nuk kanë bërë punë të mençur duke e shtruar këtë çështje". Ambasadori britanik tha se ata (serbët) duhet të shqyrtojnë se çfarë duan të arrijnë. "Nëse dëshirojnë ta arrijnë integrimin e Serbisë në Evropë, atëherë duhet të punojnë me partnerët evropianë, e jo kundër tyre...

KOSOVA SOT

Zyrtarët nga Qeveria e Kosovës nuk presin që Mitrovica dhe veriu të kenë ndonjë status të veçantë. Sipas tyre, në këtë pjesë të Kosovës vazhdojnë frustrimet e serbëve, por, me kohë, besohet se ajo do të integrohet. Mitrovica nuk do të mbetet konflikt i ngrirë e as nuk do të përkufizohet me ndonjë status të veçantë autonom, thonë zyrtarët nga Qeveria e Kosovës në Prishtinë. Mitrovica ka hyrë tashmë në procesin e zgjidhjes dhe gradualisht atje do të shtrihet pushteti legal. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se prania e NATO-s në Kosovë është garanci se kufijtë e saj janë më të mbrojturit në terë rajonin. Kuçi thotë, po ashtu, se integrimi i Mitrovicës dhe pjesës veriore të Kosovës nuk do të bëhet me dhunë, por me politika atraktive dhe me investime. “Planet, strategjitë, të gjitha duhet të legalizohen; legalizimi bëhet nëpërmjet ligjit. Qeveria ka pasur plan, kompromis me planin e Ahtisarit, të cilin e kemi legalizuar. Në Kushtetutë i kemi nxjerrë edhe dyzet ligje, duke përfshirë edhe ligjin që ka të bëjë me pjesën veriore të Kosovës, dhe tani e vetmja gjë është si të implementohen këto në praktikë", tha Kuçi. Sipas tij, projekti i Qeverisë është zbatimi i plotë i rendit dhe ligjit dhe vendosja e kontrollit efektiv në tërë territorin e Kosovës. Ndërkaq, sa u përket investimeve që po bën Serbia në pjesën veriore të Mitrovicës, Kuçi pohoi se në atë pjesë nuk jemi konkurrentë me Serbinë...

EXPRESS
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka akuzuar presidentin Fatmir Sejdiu për mospërfaqësim të plotë të vendit. Presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka pritur asnjëherë në takime formale Behgjet Pacollin e AKR-së dhe Nexhat Dacin e LDD-së, dy liderët opozitarë dhe rivalët e tij më të ashpër gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 17 nëntorit. Behgjet Pacolli është shprehur i habitur me qëndrimin e presidentit Sejdiu, pasi ai thotë se i ka shkruar madje katër herë kërkesë presidentit për t'u takuar dhe asnjëherë deri më tash nuk ka marrë përgjigje. "Nuk e kuptoj as vetë. Duket se presidenti nuk është president i tërë Kosovës, është i koalicionit apo i LDK-së", ka thënë Pacolli të enjten për Express. "Kisha dashur shumë që të jetë president i tërë Kosovës, i çdo kosovari, e jo president i një partie, apo një koalicioni”... Për dallim nga Pacolii, kreu i LDD-së, Nexhat Daci, as që mendon t'i bëjë kërkesë për takim presidentit Sejdiu. "Unë nuk kam bërë asnjëherë kërkesë dhe as nuk e kam në plan", ka thënë Daci për Express. "Presidenti duhet të demonstrojë që është figurë e unitetit, që i duhet ndihma e opozitës, sepse opozita është shumë më e fuqishme në aspektin profesional". Ish-bashkëpartiaku i Sejdiut, madje bën një krahasim me kapacitetet e Qeverisë dhe opozitës, duke e çmuar ketë të fundit. "Në të tri partitë ka kapacitet veprues shumë më të madh dhe koalicioni qeverisës nuk është funksional dhe profesional", ka thënë ai...

KOHA DITORE
Dy ditë para nisjes së delegacionit kosovar për në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, zyrtarë te Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës kanë bërë të ditur se përfaqësitë e përhershme të SHBA-së dhe të Shqipërisë në këtë organizatë kanë ndihmuar MPJ-në e Kosovës në përgatitjen e agjendës për takime me delegacione të ndryshme shtetërore. "Agjenda është koordinuar me Shqipërinë dhe me SHBA-në. Këta na kanë ndihmuar edhe në çështje logjistike. Është punuar gjatë për këtë agjendë", ka thënë zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri. Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se synimi i MPJ-së ka qenë që të takohen delegacione të shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe që të lobohet njëkohësisht edhe kundër rezolutës së Serbisë për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "MPJ e Kosovës i ka dërguar pjesës dërrmuese të delegacioneve të shteteve anëtare të OKB-së kërkesa për takime. Një numër i vendeve e kanë konfirmuar, por nuk mund t'i them se cilat janë ato", ka thënë Beqiri. Sipas saj, tashmë janë caktuar edhe lokacionet ku do të mbahen takimet me delegacionet e huaja...
XS
SM
MD
LG