Ndërlidhjet

logo-print

Rice: Lufta në Gjeorgji ka izoluar Rusinë

  • Andrew Tully

Condoleezza Rice

Condoleezza Rice

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur në nivel edhe më të ulët për shkak të krizës në Gjeorgji. Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, i ka bërë thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që t'i bëjnë ballë Moskës dhe vendimeve fatkeqe të saj. Ajo ka thënë se vendimi për të okupuar Gjeorgjinë e ka lënë Rusinë pa miq në komunitetin ndërkombëtar.

Zonja Rice tha se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë bashkërisht për të kundërshtuar atë që ajo e quajti keqtrajtim, karakteristikë e marrëdhënieve të Rusisë me ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.

Sjelljet e Rusisë, brenda dhe jashtë, tha zonja Rice, e kanë sjellë këtë vend në një situatë vetë-izolimi dhe moskokëçarjeje ndërkombëtare.

Viteve të fundit, tha zonja Rice, Rusia ka bërë veprime kundër fqinjëve të saj, kryesisht nën nivelin e sjelljeve të një fuqie të madhe, siç mund të ketë qenë Rusia.

"Ajo që është më shqetësuese në veprimet e Rusisë, është fakti se ajo ka hyrë në një situatë veprimesh edhe më të përkeqësuara në vitet e fundit. E kam fjalën, midis tjerash, edhe për intimidimin që Rusia u bën fqinjëve sovranë, për shfrytëzimin e naftës dhe gazit si armë politike, për pezullimin e njëanshëm të Traktatit për Forcat Konvencionale në Evropë, për kërcënimet e saj ndaj vendeve paqësore me armë bërthamore, për shitjen e armatimit në vendet dhe grupet që kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare dhe për persekutimin e gazetarëve dhe disidentëve rusë", tha zonja Rice.

Dialogu midis Washingtonit dhe Moskës që prej shpërthimit të luftës në Gjeorgji, para gjashtë javësh, ka pësuar goditje dhe fjalimi i fundit i zonjës Rice ka pasqyruar situatën e krijuar. Zonja sekretare asnjëherë nuk e ka ngritur zërin gjatë këtij fjalimi në Washington, por fjalët e saj ishin mjaft të palëkundshme, e madje të përshkuara edhe me sarkazëm.

Ajo tha se ndërkohë që e gjithë bota u angazhua për të ndihmuar rindërtimin e Gjeorgjisë pas pushtimit rus, Moska është detyruar të kënaqet me mbështetjen që ka marrë nga faktorët më trivialë ndërkombëtare – Nikaragua dhe grupi palestinez Hamas.

"Rusia ka gjetur pak mbështetje për veprimet e saj. Përshëndetjet nga presidenti i Nikaraguas, Daniel Otega, dhe nga Hamas nuk mund të quhen triumfe diplomatike", tha zonja Rice.

Ajo ka shtuar se me luftën në Gjeorgji, Rusia e ka dëshmuar atë që është ditur tashmë, se mund ta mposhtë me lehtësi një vend të vogël në fqinjësi. Por, sekretarja amerikane e shtetit tha se demokracia e Gjeorgjisë ka mbetur e paprekur, ekonomia e saj do të ringjallet sërish dhe me ndihmën e të gjithë aleatëve, edhe pavarësia e saj do të jetë e garantuar.

Ndërkohë, tha zonja Rice, Rusia nuk ka fituar asgjë.

"Pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia ka përmbushur një synim jo afatgjatë strategjik. Synimi ynë ndërkaq strategjik është që t'ua bëjmë të qartë liderëve të Rusisë së vendimet e tyre mund ta çojnë Rusinë në një rrugë njëkahëshe të vetë-izolimit dhe moskokëçarjes ndërkombëtare", tha zonja Rice.

Ajo i ka bërë thirrje Evropës që të punojë bashkërisht me shtetet e Bashkuara për t'i rezistuar përpjekjeve të Rusisë që të shtrijë pushtetin e saj nëpërmjet pasurisë që ka në burimet e energjisë.

"Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë duke thelluar bashkëpunimin në kërkim të një pavarësie më të madhe energjetike, duke punuar me Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë dhe autoritetet kaspike. Ne do të zgjerojmë energjinë e hapur globale në ekonomi dhe do ta mbrojmë atë nga qasjet abuzive. Nuk mund të ketë një palë rregulla për Rusinë dhe rregulla të tjera për të tjerët", ka thënë zonja Rice.

Fjalimin e saj ajo e ka përmbyllur duke thënë se liderët e Rusisë duket se kanë një lloj nostalgjie për një kohë të kaluar, duke aluduar në vitet autoritare të Bashkimit Sovjetik. Mbetet të shihet, tha zonja Rice, nëse ata do të heqin dorë nga kjo nostalgji dhe e gjithë kjo varet nga vendimet që do të marrin tash e tutje.
XS
SM
MD
LG