Ndërlidhjet

Beteja në Asamblenë e Përgjithshme s'ka përfunduar ende


Serbisë i nevojiten 97 vota nga anëtarët e Kombeve të Bashkuara për t’u aprovuar kërkesa e saj që çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës ta vë para Gjyqit Ndërkombëtar, por paraprakisht i nevojitet konfirmimi se kjo çështje do të mund të jetë në agjendë në sesionin e sivjetmë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kështu thotë Afrim Hoti, ekspert për të drejtën ndërkombëtare. Ndërkaq, analisti Lulzim Peci thekson se diplomacia serbe është duke u treguar e kujdesshme, sepse, sipas tij, është e vetëdijshme për vështirësitë që ka që rezoluta e tyre të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme.

Vendimi i Komitetit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që ka formalizuar kërkesën e Serbisë për ta futur në shqyrtim dhe votim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, është vetëm fillimi i këtij procesi.

Kështu vlerësojnë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe analistët politikë në Kosovë. Afrim Hoti, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, thotë se kjo çështje e ka edhe një barrierë për ta kaluar, para se të dalë në sesionin e sivjetmë të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Edhe një herë, paraprakisht, para se të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të konfirmohet në agjendën e sivjetme të sesionit të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që për këtë kërkesë do të votohet sigurisht diku në fillim të tetorit apo mbase edhe pak më vonë. Kjo kërkesë duhet të fitojë ose të marrë 50 për qind plus një të votave. Do të thotë, nga 192 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 96 shtete, plus një. Nëse Serbia merr 97 vota nga anëtarët e Kombeve të Bashkuara, atëherë konsiderohet se kërkesa e saj është aprovuar”, shpjegon Hoti.

Ndërkaq, analisti Lulëzim Peci thotë se e gjithë kjo çështje është duke hyrë në një proces të paparashikuar, ashtu siç nuk mund të parashikohet as rezultati eventual që do të rrjedhë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

“Edhe vetë diplomacia serbe është duke u treguar e kujdesshme, duke thënë që ‘ne e kemi fituar një betejë, por jo edhe luftën’, sepse janë të vetëdijshëm për vështirësitë që ka që të kalojë rezoluta e tyre në Asamblenë e Përgjithshme. Mirëpo, për sa i përket shteteve, të cilat do të votojnë në Asamble, unë mendoj se shtetet, të cilat i kanë pozicionet e qarta rreth pavarësisë ose kundër pavarësisë, ato do të votojnë për ose kundër, ndërsa vendet, të cilat nuk i kanë qëndrimet e qarta, do të abstenojnë”, mendon Peci.

Ndryshe, zoti Hoti thotë se nëse çështja e parashtruar nga Serbia arrin të jetë si një nga pikat për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ekzistojnë dy parime, mbi të cilat shtetet do të mund të mbështeteshin nëse votojnë për këtë kërkesë.

Sipas tij, shtetet që do të ishin për dërgimin e kërkesës së Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare, do të bazoheshin në të drejtën ndërkombëtare dhe në legalitetin.

“Nuk do të shihnin ndonjë pengesë që lidhur me statusin e Kosovës të deklarohet kjo gjykatë. Ndërkohë që shtetet tjera, të cilat do të kundërshtonin këtë kërkesë, do të mbështeteshin në teorinë që Kosova ka shpallur pavarësinë bazuar në parimin fundamental të së drejtës ndërkombëtare, që është parimi i vetëvendosjes. Dhe, nuk ka nevojë që të kërkohet legalitet për këtë status, sepse, me fjalë të tjera, edhe po të vendosej të kërkohej legaliteti, atëherë do të hapej dyshimi që edhe për shtetet tjera të kërkohej mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare”, thotë Hoti.

Megjithëkëtë, shtoi zoti Hoti, Gjykata Ndërkombëtare mund të japë vetëm mendim konsultativ lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, gjë që nuk krijon efekte juridike. Por, sipas tij, nisur nga praktikat e deritashme për nxjerrjen e vendimeve, kësaj gjykate i janë nevojitur dy ose më shumë vjet.

Ndërsa, analisti Peci thekson se kjo do të mund të krijonte pasoja negative sa i përket dinamikës së procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Atëherë Kosova mund të ketë probleme në vitet që vijnë, për sa i përket ritmit të njohjeve. Kjo nuk do të shkaktojë vetëm probleme në aspektin ndërkombëtarë, por ne do të kemi edhe reflektime të brendshme, sepse këtë kohë Serbia do ta shfrytëzojë për ta forcuar influencën e saj në enklava, ku është e shtrirë popullata serbe dhe, në një formë ose në formën tjetër, do ta vë në pikëpyetje edhe vetë implementimin e pakos së Ahtisaarit, për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve në këtë proces”, thekson Peci.

Sido që të jetë, sipas analistëve në Kosovë, në rast se iniciativa e Serbisë dështon, rrjedhat në Kosovë do të kenë kahje normale, si dhe do të krijohen parakushte për Serbinë që të fillojë të tërhiqet nga intencat që ajo ka në raport me Kosovën.
XS
SM
MD
LG