Ndërlidhjet

Dean: Gjyqësori s'është i ndikuar nga politika


Robert Dean
Robert Dean

“Sa i përket ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë, mendoj se ka ndarje të dukshme ndërmjet politikës dhe gjyqësorit. Pra, në këtë pikë, kritikat janë të pavlefshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Robert Dean, prokuror ndërkombëtar në UNMIK.


RADIO EVROPA E LIRË
Cila është gjendja aktuale e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Çfarë mendoni ju?

ROBERT DEAN
Mendoj se në 8 vjetët e kaluar kemi bërë hapa të dukshëm drejt implementimit të sundimit të ligjit. Ka akoma një rrugë të gjatë përpara.

Ne presim që misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, do të ndihmojë në zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe jemi në mes të procesit të rikonfigurimit, i cili do të pasojë me dhënien e kompetencave misionit EULEX.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë sistemi i drejtësisë është kritikuar. Këto kritika kanë thënë se sistemi i drejtësisë është një viktimë e politikës. Si mendoni ju?

ROBERT DEAN
Nuk e di se kush po i bën këto kritika; ka zhvillime që janë bërë dhe që vazhdojnë të bëhen, sidomos kur bëhet fjalë për pagat e gjykatësve dhe përmirësimin e cilësisë së sistemeve të drejtësisë. Nëse pyetni se a ekziston një standard i përkryer në Kosovë, atëherë mund të them se jo, sepse përsosmëria nuk ekziston askund në botë.

Sa i përket ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë, mendoj se ka një ndarje të dukshme ndërmjet politikës dhe gjyqësorit. Pra, në këtë pikë, kritikat janë të pavlefshme. Ka kritika të tjera që mund të bëhen, por nuk pajtohem me faktin se gjyqësori është i ndikuar politikisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se janë sfidat më të mëdha në këtë fushë, sikurse për gjykatësit e prokurorët ndërkombëtarë, ashtu edhe për ata kosovarë?

ROBERT DEAN
Ka një numër sfidash; para së gjithash, do të përmendja një projekt, i cili është në zhvillim e sipër. Ky është procesi i riemërimit, sipas të cilit gjyqtarët dhe prokurorët vendorë në Kosovë do të rishikohen dhe do të rivlerësohen për t'u riemëruar. Ky proces do të zgjasë rreth 18 muaj apo 2 vjet, ku do të bëhet një kontroll i tërësishëm personal i çdo gjyqtari e prokurori në Kosovë.

Kjo është një pjesë e procesit të zhvillimit, i cili ka zënë vend dhe pjesa tjetër ka të bëjë me rritjen e pagave të gjyqtarëve, në mënyrë që ata të paguhen si duhet, sepse për momentin marrin paga shumë të ulëta. Në mënyrë që të tërheqim mendjen e njerëzve më të mirë, duhet t'i rrisim pagat. Pra, aktualisht është duke ndodhur një proces i dyfishtë për rritjen e cilësisë së gjykatësve dhe prokurorëve. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm.

Sa i përket komponentës ndërkombëtare, UNMIK-u më herët ka vendosur që të sjellë me vete një numër të gjykatësve e prokurorëve ndërkombëtarë, të cilët do të merreshin me disa raste specifike. Këta natyrisht se po vazhdojnë punën, por tani jemi në procesin e rikonfigurimit dhe disa përgjegjësi duhet të shkojnë drejt EULEX-it, në mënyrë që të mund t'i jepet një asistencë gjyqësisë vendore në trajtimin e disa rasteve komplekse.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka Kosova akoma nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë?

ROBERT DEAN
Nëse pyesni njerëzit në Kosovë, pjesa më e madhe do të thoshte po. Kjo vlen për një kohë të caktuar dhe jo përgjithmonë, por për të ardhmen e afërt mendoj se prania ndërkombëtare do të ishte një ndihmesë, e sidomos kur bëhet fjalë për rastet ndëretnike apo rastet e krimeve të luftës. Edhe gjykatësit ndërkombëtarë të EULEX-it do të jenë të përfshirë në rastet pronësore, ku ka një numër të madh të lëndëve që duhet shqyrtuar.

Mendoj se pjesa më e madhe e gjykatësve ndërkombëtarë janë të pajtimit se është akoma e nevojshme prania ndërkombëtare, por kjo do të rregullohet edhe nga ana e EULEX-it. Njerëzit e sundimit të ligjit janë duke bashkëpunuar ngushtë me Parlamentin e Kosovës dhe me Këshillin Gjyqësor, për të vendosur procesin e sundimit të ligjit për të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni procesin e tranzicionit në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit? Flas për kompetencat e gjykatësve e prokurorëve ndërkombëtarë e kosovarë. Çfarë do t'i trashëgojë UNMIK-u misionit EULEX?

ROBERT DEAN
Ne kemi formuar disa parime thelbësore. E para është se gjyqësori duhet të jetë i pavarur, së dyti ai duhet të jetë i drejtë dhe së treti ai duhet të jetë kompetent e profesional. Këto janë trashëgimitë që me punë dhe mentorim të vazhdueshëm mund të forcohen. Gjithmonë ka të meta dhe sfida, gjë që është e rëndësishme edhe këtu.

Mendoj se hapi i parë është tërheqja dhe mbajtja e njerëzve më të mirë dhe më kompetentë, si dhe përmirësimi i segmentit të mbrojtjes, i cili ndikon në zhvillimin e procesit. Ajo që kemi bërë gjithashtu dhe për të cilën Qeveria e Kosovës do të duhet të ishte krenare, është ofrimi i një ndihme legale për njerëzit që nuk kanë mundësi të paguajnë mbrojtjen e tyre.

Kjo ka filluar nga departamenti i drejtësisë së UNMIK-ut dhe tani vazhdon në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe është i vetmi shërbim i tillë që ofrohet në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni problemin me gjykatat në veri të Kosovës? Çfarë ndikimi mund të ketë mungesa e autoritetit atje në aspektin e sundimit të ligjit?

ROBERT DEAN
UNMIK-u më në fund do të ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Është një projekt i ndjeshëm, për të cilin ia vlen të tentohet, përderisa UNMIK-u ka akoma autoritetin e bazuar në Rezolutën 1244. Koha ka ardhur sepse gjykatat kanë qenë të mbyllura për një kohë të gjatë, gjë që nuk është mirë.

XS
SM
MD
LG