Ndërlidhjet

Prishtinë-Beograd: bisedime apo jo?


Administrata e OKB-së pohon se aktualisht po moderon një proces bisedimesh indirekte ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështje teknike. Këtë gjë e hedh poshtë Prishtina zyrtare, duke theksuar se me Serbinë mund të bisedohet vetëm në cilësinë e shteteve sovrane.

Institucionet e Kosovës dhe misioni i Kombeve të Bashkuara vazhdojnë të kenë qëndrime kundërthënëse sa i përket bisedimeve me autoritetet e Beogradit.

Përderisa UNMIK-u pohon ekzistimin e bisedimeve për çështje teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e kreut të kësaj administrate Lamberto Zannier, një gjë e tillë mohohet nga zyrtarët e institucioneve vendore të Republikës së Kosovës, të cilët shprehen kategorikisht kundër bisedimeve që prekin sovranitetin e vendit.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se bisedimet ndërmjet dy vendeve janë duke u zhvilluar nën lehtësimin, siç e quan ai, të administratës së OKB-së në Kosovë - bisedime këto të cilat përfshijnë çështje akoma të pazgjidhura teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Dialogu nuk ka të bëjë me statusin, por ka të bëjë me çështjet teknike, si dogana, rikthimi i pjesëtarëve serbë në Shërbimin Policor të Kosovës, hapja e gjykatave në veri, gjë të cilën kemi filluar ta bëjmë të premten, për monumentet fetare serbe në Kosovë dhe çështjet e tjera të përcaktuara në letrën e Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon", thotë zëdhënësi Ivanko.

Në anën tjetër, Prishtina zyrtare shprehet e gatshme të ketë çfarëdolloj bashkëpunimi me Qeverinë e Serbisë, por këtë vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane. Zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Kosovës, Xhavit Beqiri, sqaron:

"Ju e dini qëndrimin e presidentit Sejdiu. Prishtina është e gatshme të bisedojë si shet sovran me çdo shtet tjetër në çështjet e bashkëpunimit bilateral, por asgjë jashtë këtij domeni".


Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon, në letrën për rikonfigurim të pranisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë drejtuar presidentit serb, kishte theksuar nevojën e bisedimeve për 6 çështje akoma të padefinuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e që kanë të bëjnë me gjykatat në veri, doganat, policinë, monumentet fetare dhe të tjera.

Por, sipas Beqirit, nuk ka nevojë të bisedohet për të tilla çështje, sepse, siç nënvizon ai, ato tanimë janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës.

"Sa i përket gjykatave dhe atyre pikave që i përmendët, gjithçka në Kosovë duhet t'i nënshtrohet Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve që janë miratuar nga Parlamenti i Kosovës", thotë Beqiri.

Sidoqoftë, UNMIK-u mohon të jetë në dijeni për kundërshtimin e institucioneve të Kosovës ndaj procesit të bisedimeve indirekte me shtetin serb. Zëdhënësi Ivanko thotë se deri më tani janë zhvilluar një mori takimesh ndërmjet krerëve të Republikës së Kosovës si dhe shefit të UNMIK-ut, Zannier, ku ky i fundit kishte informuar presidentin dhe kryeministrin kosovar për ecurinë e bisedimeve që po zhvillon me zyrtarë të Serbisë.

"Nuk jam i njoftuar për një gjë të tillë. Ambasadori Zannier në disa raste është takuar me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi. Ne i informojmë ata për të gjitha çështjet për të cilat diskutojmë. Sipas mendimit tim, do të ishte më mirë sikur të kishte një dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por pasi që nuk ka bisedime direkte, ne ofrojmë një shërbim të mirë për të lehtësuar dialogun për çështjet e pazgjidhura teknike", shprehet Ivanko.

Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, diplomati italian Zannier, ka paralajmëruar se në vizitën e tij të ardhshme në Beograd, në qendër të bisedave me përfaqësuesit shtetërorë serbë do të jetë çështja e rikthimit të gjykatësve e prokurorëve shqiptarë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG