Ndërlidhjet

Në Kosovë, në përgjithësi respektohen liritë fetare

  • Heather Maher

Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit

Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij vjetor ndërkombëtar për Liritë Religjioze, që dokumenton se si qeveritë e ndryshme e shtypin shprehjen fetare, i keqtrajtojnë besimtarët dhe tolerojnë dhunë kundër minoriteteve fetare e po ashtu se si ato i mbrojnë e i promovojnë liritë fetare. Në këtë raport, për Kosovën thuhet se Qeveria, në përgjithësi, në praktikë i ka respektuar liritë fetare.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, tha se raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për liritë fetare në mbarë botën, reflekton vlerën të cilën Amerika e ka si njërën nga liritë themelore.

Liria fetare është në thelb të vendit tonë, tash sikur edhe gjithmonë. Ne jemi vend i themeluar në besimin se të gjithë burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë dhe si të tillë ne gëzojmë të drejta universale dhe të patjetërsueshme. Në mesin e këtyre të drejtave janë e drejta për të jetuar pa shtypje, të besojmë ashtu siç dëshirojmë dhe të mendojmë, të flasim dhe të tubohemi pa u ndëshkuar”, tha Condoleezza Rice.

Në raportin vjetor shtetet janë radhitur në pesë kategori, duke filluar prej shteteve ku regjimet totalitare dhe autoritare synojnë ta kontrollojnë besimin fetar dhe shprehjen, e deri te qeveritë që në masë të madhe i respektojnë liritë fetare, por bëjnë diskriminime kundër religjioneve të caktuara, duke i identifikuar ato si "kulte" ose "sekte" të rrezikshme.

Zonja Rice theksoi se vendet, që i japin rëndësi demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shoqërisë së fuqishme civile, duhet po ashtu t'i kushtojnë kujdes se si t'i trajtojnë shtetasit, që zgjedhin të besojnë ose të mos besojnë në religjione, jashtë atyre të përgjithshme.

“Për vendet që mbështesin lirinë, dinjitetin e secilit shtetas, ato e kanë zbuluar, sikur edhe ne, se këto ideale të larta janë burim i forcës, i suksesit dhe i stabilitetit. Vendet duhet jo vetëm që të bëjnë paqe me fqinjët e tyre, por ato duhet të bëjnë paqe edhe me vetveten. Kjo nënkupton respektimin e dallimeve dhe mbrojtjen e tyre me ligj”,
tha Condoleezza Rice.

Lidhur me Kosovën, në fillim të këtij raporti, thuhet se Kushtetuta, që ka hyrë në fuqi më 15 qershor të këtij viti, siguron liri të fesë dhe ligjet e tjera dhe politikat kontribuuan, në përgjithësi, për mbajtjen e lirë të fesë.

Në përgjithësi, në praktikë, Qeveria i respektoi liritë religjioze. Nuk ka pasur ndryshim të rëndësishëm në statusin e respektimit të lirive fetare nga Qeveria, gjatë periudhës që mbulohet nga ky raport.

Më tutje, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për respektimin e lirisë fetare, dhuna shoqërore ka rënë pak, por tensionet ndërmjet komuniteteve mbeten të larta, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të këtij viti.

Megjithëqë diskriminimi shoqëror dhe dhuna duket se në përgjithësi janë të motivuara etnikisht, lidhja e ngushtë ndërmjet etnicitetit dhe religjionit e bën të vështirë të përcaktohet nëse zhvillimet ishin të motivuara nga armiqësitë etnike apo religjioze.

Më tutje, raporti thekson se Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka diskutuar për liritë fetare me Qeverinë, me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe me përfaqësues fetarë, si pjesë e politikës së saj gjithëpërfshirëse për të promovuar të drejtat e njeriut.

Qeveria amerikane ka intervenuar në disa raste specifike për t’u siguruar se dëmet në vendet fetare që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe dhe vendet e tjera të trashëguara, ishin riparuar dhe mbrojtur, thuhet pos tjerash, në pjesën e raportit për Kosovën.

Irani dhe Uzbekistani janë në kategorinë e "Vendeve me Shqetësim të Veçantë", që definohet se "vendet janë angazhuar ose kanë toleruar veçanërisht shkelje të ashpër të lirisë fetare".

Në kategoritë e tjera përfshihen Birmania, Kina, Koreja Veriore, Sudani, Eritreja dhe Arabia Saudite.

XS
SM
MD
LG