Ndërlidhjet

Opozita: Institucionet kanë dështuar karshi iniciativës serbe


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Përfaqësuesit e opozitës kritikojnë institucionet e Kosovës për vonesën e reagimit ndaj iniciativës së Serbisë kundër Kosovës. Sipas tyre, qëndrimi i presidentit dhe i ministrit të Jashtëm në Nju Jork, derisa të mbahet Asambleja e OKB-së, s’do ketë kurrfarë ndikimi.

Institucionet e Kosovës nuk duhet të ndalen me politiken e tyre për të lobuar për pavarësinë e Kosovës, pavarësisht asaj se a do të kalojë kërkesa e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Kështu thonë përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë. Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, konsideron se prezenca e presidentit Fatmir Sejdiu dhe e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, në Nju Jork, është e vonuar.

“Pak pres që mund të ketë ndonjë ndikim nga ana e presidentit dhe e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, me vetë faktin se ne jemi vonuar dhe Serbia e ka fituar këtë betejë në raport me ne, por edhe me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, e cila është në favor të njohjes së shtetit të Kosovës dhe në kundërshtim të rezolutës së ofruar nga ana e Serbisë. Konsideroj se politika kosovare në përgjithësi ka dështuar në këtë çështje", thotë Makolli.

Ngjashëm mendon edhe Besa Gaxherri, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Dardanisë. Sipas saj, presidenti dhe ministri i Punëve të Jashtme nuk do të mund të kenë kurrfarë ndikimi.

“Sa i përket prezencës së presidentit dhe ministrit të Punëve të Jashtme në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, unë mendoj se nuk mund të ndikojë lidhur me këtë rezolutë. Është krejt çështje e procedurave që shumë shtete që e kanë njohur Kosovën shtet, e akceptojnë normale që ai shtet ka të drejtë të ankohet. Por, unë mendoj që ne jemi vonuar në atë aspektin që është dashur të jemi shumë më azhur çdo ditë, në çdo vend të botës, për të kërkuar dhe njohur pavarësinë e Kosovës dhe jo për t'u marrë me rezolutën e Serbisë", tha Gaxherri.

Nga ana tjetër, edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, pohon se institucionet e Kosovës janë vonuar për të reaguar ndaj iniciativës së Serbisë. Por, sipas tij, shtetet me ndikim të madh në botë, si dhe miqtë e Kosovës, nuk do të lejojnë që të zmbrapset procesi i njohjes.

“Lënia e iniciativës së Serbisë është një dobësi e institucioneve tona dhe shkuarja e zotit Sejdiu dhe e ministrit të Punëve të Jashtme tregon se janë vonuar. Megjithatë, konsideroj që shtetet më të mëdha, të cilat e kanë njohur Kosovën, nuk do të lejojnë që të zmbrapset procesi i njohjes, por, përkundrazi, do të kthjellet më shumë angazhimi për pranimin e Kosovës nga shtetet, të cilat nuk e kanë njohur deri më tani", shprehet Isufi.

Ibrahim Makolli, nga AKR-ja, thotë se veç mundësisë së vonesave që Kosova të njihet nga shtetet, të cilat nuk e kanë njohur deri më tash, nga kjo iniciativë e Serbisë mund të ketë edhe pengesa të tjera.

“Këto vonesa në njohje natyrisht do të reflektojnë pastaj edhe në pamundësinë e Kosovës që të bëhet pjesë e disa mekanizmave ndërkombëtarë, ku duhet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të atyre mekanizmave. Kjo natyrisht se do ta dëmtojë Kosovën, por, megjithatë, konsideroj se institucionet e Kosovës nuk duhet të dorëzohen", thotë Makolli.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, gjate qëndrimit në Nju Jork, kanë paralajmëruar se do të kenë takime të shumta me udhëheqës të vendeve të ndryshme.

Sido që të jetë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për disa ditë do të jetë një arenë e argumentit për pavarësinë e Kosovës, derisa Serbia do të synojë të bindë sa më shumë shtete që të jenë në anën e saj.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG