Ndërlidhjet

Perspektiva ekonomike - kusht kryesor për kthimin e të zhvendosurve


Kthimi i të zhvendosurve në fshatin Vidajë të Komunës së Klinës, paraqitet si një prej storieve të suksesshme në këtë proces. Qeveria e Kosovës dhe organizata ndërkombëtare kanë ndërtuar 45 shtëpi për familjet serbe që duan të kthehen aty. Disa prej tyre tashmë janë kthyer dhe kanë ngritur ferma të vogla, nga të cilat jetojnë.

Fshati Vidajë ndodhet pak kilometra larg Klinës. Ai duket të jetë sërish joshës për serbët, të cilët e kishin lëshuar këtë fshat pas luftës, ndërkaq tani kthehen për të jetuar aty. Procesi i kthimit po zhvillohet në dy forma, individuale dhe kolektive.

Institucionet e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare kanë ndihmuar në ndërtimin e 45 shtëpive për të kthyerit. Nebojsha Voliqeviq ka ngritur aty një fermë të vogël. Programi për kthim i kishte dhuruar atij, babait dhe dajës së tij 12 dema, të cilët pasi që i ka ushqyer e rritur në fermë, më pas i ka shitur. Tash mendon që jetën e familjes së tij ta planifikojë pikërisht në këtë fshat.

"Unë jetoj këtu me familjen. Fëmijët shkojnë në shkollë. Këtu kam lindur dhe këtu ndihem më së miri, pavarësisht vështirësive. Shpresojmë se do të bëhet mirë", thotë Voliqeviq.

Ai bashkë me babain kanë rreth 8 hektarë tokë të cilën e punojnë. Bujqësia dhe blegtoria janë aktivitete me të cilat këta banorë merren. Por, sipas Milija Voliqeviqit, këtu ka një problem, pasi që është vështirë që të depërtohet në treg dhe plasohen për shitje, qoftë gjedhët apo produktet e bujqësisë.

"Kemi mjaft tokë të cilën e punojmë dhe kemi diçka edhe nga bagëtia, por nuk po mund t'i shesim. Këtë do të mund ta bënim nëse do të kishim tregun ku mund ta plasojmë mallin", thotë ky banor.

Sidoqoftë, të kthyerit janë të gatshëm të ballafaqohen me sfidat vetëm që të ndërtojnë jetën e tyre aty ku janë rikthyer sërish të jetojnë. Sllagjana Voliqeviq thotë se është kthyer në fshat bashkë me fëmijët, duke besuar në ditë më të mira.

"Ata që janë kthyer me familje tregojnë se duan të mbijetojnë në këto treva, edhe pse do të kishte edhe shumë të tjerë që do të ktheheshin sikurse të ekzistonin kushte më të mira", thotë ajo.

Por, jo të gjitha familjet që u janë ndërtuar shtëpitë, janë aty. Nga 45 shtëpitë e ndërtuara, banorët e këtij fshati rrëfejnë se ka disa prej tyre që vetëm kthehen kohë pas kohe t'i vizitojnë shtëpitë e tyre dhe më pas largohen sërish për në Serbi.

Në çdo rast, këta banorë thonë se raportet e tyre me fqinjët shqiptarë janë të mira. Sllagjana Voliqeviq thotë se raportet me shqiptarët çdo ditë janë më të mira.

"Sa u përket shqiptarëve, nuk ka ndonjë problem", thotë kjo banore, duke shtuar se këto raporte janë të mira, por nuk janë ende të atilla çfarë kanë qenë më parë.

Sidoqoftë, punësimi dhe perspektiva ekonomike ka kohë që trajtohen si kushtet kryesore për kthimin e të zhvendosurve, ndërkaq siguria dhe liria e lëvizjes, më nuk janë pengesa që llogariten se e bllokojnë rritjen e numrit të të kthyerve. Kthimi i të zhvendosurve për një kohë të gjatë ishte dhe mbetet një prej prioriteteve të institucioneve të Kosovës dhe angazhimeve të bashkësisë ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG