Ndërlidhjet

logo-print

“Obama zotohet ta forcojë sovranitetin e Kosovës”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Selia e qelqtë e OKB-së, gjatë ditëve të ardhshme, do të jetë epiqendër e diskutimeve të shumta lidhur me iniciativën serbe, e cila do të hedhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por, ende mbetet e paqartë data e debatit lidhur me këtë iniciativë, e cila është një nga gjashtë pikat për të cilat diskutimet do të fillojnë nga 23 shtatori. Burime jozyrtare thonë se votimet fillojnë nga 6 tetori. Ditë më parë, Asambleja e OKB-së ka aprovuar rekomandimin e Komitetit të Përgjithshëm që ta vendosë kërkesën serbe ne agjendë të sesion-it të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme, që ka filluar punimet të martën. Ndërsa ekziston një disponim i madh i vendeve perëndimore për të abstenuar gjatë votimit, disa nga vendet perëndimore si SHBA-ja dhe Britania janë duke bërë lëvizje diplomatike në mbështetje të Kosovës, në mënyrë që të bllokohet iniciativa serbe. Por, Zhan Aselborn, kryeministër i Luksemburgut, beson se ajo do ta marrë shumicën e votave në asamble pa asnjë problem. Sipas një vlerësimi të dalë nga Këshilli Evropian për punë të jashtme, në margjinat e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të cituar nga mediat e jashtme, rasti i Kosovës është dëshmia më e theksuar e ndikimit të dobët të cilin BE-ja e ka në OKB...

KOHA DITORE
Nëse arrin të bëhet shef i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama është zotuar se do të punojë për forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe si president do të ndihmojë Kosovën që të begatohet ekonomikisht. Deklarata e Obamas vjen pas shqetësimeve të shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë ndjekur me nervozizëm deklaratat që senatori nga Illinois i ka bërë lidhur me Serbinë. Nëpërmjet një deklarate ai ka thënë se vazhdon ta mbështesë pavarësinë e Kosovës dhe se në të ardhmen do të punojë për forcimin e sovranitetit të vendit tonë. Deklarata është përpjekja e parë publike e senatorit nga shteti i Illinoisit për të komunikuar drejtpërdrejt me komunitetin shqiptar në SHBA. Vendosja e theksit te çështja e Kosovës mund të ketë si synim qetësimin e shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë ndjekur me nervozizëm deklaratat që senatori ka bërë lidhur me Serbinë. Ndonëse në asnjërën prej tyre nuk vihej në dyshim pavarësia e Kosovës, deklaratat e Obamas i kanë bërë shumë shqiptarë të dyshonin se senatori nuk e njeh mirë historinë e viteve '90 të Ballkanit dhe se mund të jetë i ndikuar jo pak nga lobi serb që në Illinois ka praninë e tij më të fortë në SHBA. Megjithatë, deklarata që mbërriti në zyrën e gazetës "Illyria", nuk lë dyshime për angazhimin e kandidatit demokrat. "Barack Obama e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe dëshirën e saj për të ecur drejt sovranitetit të plotë", thuhet në deklaratë. "Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të ndihmuar në zhvillimin e një demokracie në Kosovë, të siguruar nëpërmjet pushtetit të ligjit e që garanton të drejtat e të gjithë njerëzve"...

EPOKA E RE
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, ka deklaruar të dielën se tash për tash nuk ka asgjë të re rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këto komente, Gruevski i ka bërë pas njoftimeve të disa medieve se Qeveria e Maqedonisë do ta njohë Kosovën më 22 shtator. "Qeveria e ndjek këtë proces me vëmendje dhe do të veprojmë në bazë të interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë. Në komunikim jemi me të gjithë partnerët tanë nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, kështu që, në rast se dikur do të ketë diçka të re, do t'ju njoftoj. Tani për tani nuk kemi asgjë të re", ka thënë Gruevski. Zëdhënësi i Qeverisë maqedonase, Ivica Boçevski, ka thënë se "Maqedonia me seriozitet dhe me vëmendje po i përcjell zhvillimet e ngjarjeve në veri të vendit dhe çdo vendim të cilin do ta marrë Maqedonia, do të bazohet në interesat nacionale dhe shtetërore të shtetit dhe popullit maqedonas". Deklaratat e Gruevskit dhe Boçevskit kanë pasuar pasi që mediet maqedonase ka disa ditë që po spekulojnë se Shkupi do ta njohë Kosovën gjatë javës së ardhshme dhe të deklaratës së liderit të partnerit qeverisës, BDI, se kjo "tashmë është çështje e kryer"...

LAJM
Qytetaret shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk kanë asnjë adresë zyrtare në Prishtinë, ku së paku do të mund t'i qanin hallet e tyre të panumërta. Rreth 100 mijë shqiptarë që jetojnë në tri komunat e Luginës, ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet duke filluar nga ato politike, sociale dhe arsimore. Duke pasur parasysh qëndrimin destruktiv të qeverive në Bcograd për adresimin e këtyre problemeve, së fundi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hapë një zyrë koordinuese në Prishtinë, nëpërmjet së cilës do të kërkohej përmirësimi i pozitës së shqiptarëve të atjeshëm. Kjo kërkesë ka hasur në mbështetjen e partive opozitare, por ende nuk është shqyrtuar nga Qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria ende nuk e ka shqyrtuar kërkesën e plasuar në opinion për krijimin e një zyre koordinuese për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pa komentuar detajet e kësaj ideje, Kuçi tha se në kohën kur do të shqyrtohet, do të merren parasysh të gjithë faktorët dhe do të vendoset për një kërkesë të tillë. "Deri tani ne nuk e kemi shqyrtuar këtë ide". Ndërsa, përfaqësuesit e opozitës përkrahin idenë e gjetjes së një forme të koordinimit të qëndrimeve mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë në Luginën e Preshevës. . Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të AKR-së, thotë se në Kosovë duhet të ekzistojë gjithsesi një adresë institucionale ku mund të drejtohen shqiptarët e Luginës. Makolli është kundër kopjimit të formave që Serbia ka aplikuar në raport me serbët e Kosovës, por përkrah idenë që në Prishtinë të gjendet një formë e institucionalizuar e koordinimit të qëndrimeve me shqiptarët e Luginës...

ZËRI
Janë dhënë informata kontradiktore sa i përket fillimit ose jo të punimeve në objektin e gjykatës në Mitrovicë. Nga UNMIK-u konfirmohet se punimet aty kanë filluar të premten, siç ishte paraparë. Ndërsa KFOR-i, që po qëndron aty në mbrojtjen e objektit të gjykatës, ka njoftuar Policinë në Mitrovicë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. "Me sa di unë, puna për pastrimin e objektit të gjykatës në Mitrovicë ka nisur të premten, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë nga UNMIK-u", ka deklaruar dje zëdhënësi Sven Lindholm. Sipas tij, aty është një staf i vogël që merret vetëm me pastrimin e objektit dhe heqjen e mbeturinave që ekzistojnë aty. "Me siguri aty do të ketë nevoje edhe për punë të tjera. Por, brenda këtyre ditëve do të rregullohen edhe objektet e dëmtuara dhe do të plotësohen edhe me pajisje që nevojiten për fillimin e punës në gjykatë. Besojmë se çdo gjë do të shkojë në rregull dhe në fillim të tetorit prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë do të rifillojnë punën në objektin e gjykatës në Mitrovicë", shton më tej zedhënësi Lindholm. Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, duke u bazuar në njoftimin që u ka dhënë KFOR-i, ka deklaruar se nuk janë hapur portat e gjykatës të premten e shkuar, por është paralajmëruar që puna të niste të hënën (sot)...

BOTA SOT
Hyrja në fuqi e Kushtetutës obligon shtrirjen e pushtetit shtetëror në tërësinë territoriale të Kosovës. Pushteti i Qeverisë së Kosovës nuk është vendosur në veri të vendit. Veriu ka mbetur në kompetencat e rezervuara të UNMIK-ut. Veriu i Kosovës karakterizohet si oazë e veprimeve kriminale, pjesë ku nuk sundon rendi dhe ligji. Qeveria e Kosovës deklarohet se ligjshmëria kushtetuese do të shtrihet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkohë që vonesat për mosshtrirje të pushtetit në pjesën veriore qeveria i arsyeton si një "çështje e ndjeshme" për të cilën çështje Qeveria vepron në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Në pyetjen tonë se "kur do të ushtrohet pushteti i Kosovës edhe në veri të vendit", zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramë Manaj, thotë se Qeveria së bashku me mekanizmat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, për çdo ditë bëjnë pune intensive për shtrirjen e autoritetit shtetëror në gjithë territorin e Kosovës. Por, Manaj nuk tregon "vëllimin" as "cilësinë" e këtyre "punëve". Ai thotë se për gjendjen në veri ka premise se gradualisht do të ushtrohet pushteti, gradualisht do të integrohet edhe ajo pjesë e territorit. "Nuk mund të vihet në dyshim integriteti i Republikës së Kosovës me gjithë vështirësitë e ushtrimit të pushtetit real. Në pjesën veriore do të jetë prezente policia e Kosovës, së bashku me faktorin ndërkombëtar që është pjesë e sigurisë në Kosovë", thotë Manaj...

EXPRESS
Ndërhyrja e Greqisë në procesin e njohjes së Kosovës nga Maqedonia e ka ndërlikuar edhe më shumë situatën e cila herë vjen buzë vendimit, herë duket e pakufishme. Prishtina zyrtare është para një sfide serioze të përcaktimit të pozicionit të saj në zhvillimet ndërkombëtare. Diplomacia greke haptazi i ka tërhequr vërejtjen autoriteteve kosovare rreth qëndrimit që duhet ta kenë në raport me njohjen e emrit të Maqedonisë nga Kosova. Loja e dyfishtë e Greqisë karshi Kosovës dhe Maqedonisë ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila para së gjithash preferon rolin indiferent ndaj kësaj situate. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Kosova do të ndërtojë raporte të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet, edhe me fqinjët e parë, por edhe më gjerë. "Kosova nuk e ka pretendimin që të luajë ndonjë rol negativ në arenën ndërkombëtare, aq më pak në raport me zhvillimet globale", ka thënë Kuçi, të dielën për Express. Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë nuk dëshiron që Kosova të përfshihet në kontestin ndërmjet tyre dhe Greqisë. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, ka përjashtuar çdo paqartësi në këtë proces. "Kjo është e qartë. Maqedonia në marrëdhëniet ndërkombëtare është e njohur si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe ka disa shtete që kanë bërë përjashtime dhe e njohin Maqedoninë me emrin e saj kushtetues", ka thënë Ademi, të dielën për Express. Ndërkohë, analistët politikë nga Maqedonia këtë situatë e shohin si një lojë të Greqisë...

INFOPRESS
Jo më larg se nga mesi i muajit tetor do të funksionalizohen 10 ambasadat e para të Kosovës nëpër botë. Ndërkaq, për sa i përket mundësisë për hapje të ambasadave të reja, është ende shumë herët të flitet. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për 'Infopress' këshilltarja e ministrit të Punëve të Jashtme, Albana Beqiri. Sipas saj, MPJ aktualisht është e fokusuar në procesin e fillimit të vënies në punë të ambasadave të akredituara dhe kompletimin e sferës legjislative. Sigurisht, Kosova nuk do të mjaftohet vetëm me 10 misione diplomatike në botë. Pritet që të hapen edhe të tjera misione, por sigurisht jo tash dhe jo në këtë fazë", është shprehur Beqiri. Sipas saj, Kosova është në fazën kur presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar 10 ambasadat e para dhe pas emërimit të të dërguarve me punë dhe sekretarëve të ambasadave, MPJ ka nisur të gjitha procedurat për funksionalizimin e 10 misioneve të para diplomatike. Beqiri thotë se më së largu deri nga mesi i muajit tetor këto ambasada do të fillojnë punën dhe atëherë Kosova do t'i ketë përfaqësitë e veta të para në botë si shtet i pavarur dhe sovran. "Kjo do te thotë se aktualisht, MPJ është e fokusuar në këtë proces", thekson Beqiri...
XS
SM
MD
LG