Ndërlidhjet

Kosumi: Përpjekjet e opozitës janë të paragjykuara të dështojnë


Bajram Kosumi

Bajram Kosumi

“Në skenën politike të Kosovës çdo ditë e më tepër ka sjellje autoritare të institucioneve të Kosovës, qoftë ndaj opozitës, buxhetit apo mediave”, thotë Bajram Kosumi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, fillimisht, si i shihni refleksionet e nismës serbe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës dhe çfarë janë pritjet e juaja në lidhje me zhvillimet në Nju Jork për Kosovën?

BAJRAM KOSUMI
Pritjet e Kosovës nuk mund të jenë pozitive, jo ndoshta për pasojat që mund të krijojë kjo nismë e Serbisë, sepse duhet thënë fillimisht se kjo nismë e Serbisë nuk mund ta pengojë ose zhbëjë bërjen e shtetit të Kosovës - shteti i Kosovës është një fakt i kryer, nuk kthehet më mbrapa ky fakt historik, do të ecë përpara.

Por, nisma e Serbisë mund ta dëmtojë ecjen e Kosovës në rrugën përpara, në kuptimin edhe politik, diplomatik, do të thotë në njohjen e shtetit të Kosovës, por edhe në kuptimin ekonomik, në ardhjen e investitorëve të mundshëm, potencialë në Kosovë. Në këto dy drejtime mund ta pengojë nisma e Serbisë dhe unë mendoj se do të ketë një ndikim të tillë negativ, por ne duhet të përballemi me të.

Në anën tjetër, duhet thënë po ashtu se me këtë nismë shteti serb nuk fiton asgjë dhe kjo është një çështje e mirënjohur, të gjithë e dinë. Fitorja eventuale është dëmtimi i çështjes së Kosovës dhe kjo e delegjitimon në aspektin diplomatik nismën e Serbisë, kështu që edhe ne, edhe Serbia, do të jenë të dëmtuara nga kjo nismë, por, në fund të fundit, ne e kemi rrugën tonë, shteti ynë do të ecë përpara dhe duhet të ballafaqohemi me ato dëmtime.

RADIO EVROPA E LIRË
Është folur dhe analizuar gjatë çështja se a ka mundur të bëjë më shumë Kosova në lobimin e vet për të kundërshtuar argumentet që përdor Serbia kundër pavarësisë së Kosovës. Sa, në fakt, besoni se edhe politika kosovare i ka defektet e veta në këtë fushë?

BAJRAM KOSUMI
Unë angazhohem për një qasje shumë realiste në këtë çështje. Nuk mund të akuzohet veç ministri i Punëve të Jashtme, ose qeveria dhe presidenti, por krejt dështimi në mosnjohjen e shtetit të Kosovës, sepse nëse faktori politik në Kosovë është fajtor për mosnjohjen e Kosovës, atëherë po i bie se deri më tash ky faktor është meritor që e kanë njohur 47 shtete, gjë që nuk është e vërtetë.

Fakti që 47 shtete e kanë njohur Kosovën, është prodhim në radhë të parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Britanisë së Madhe dhe i disa vendeve evropiane, nuk është prodhim ‘made in Kosova’. Po ashtu edhe mosnjohja e mjaftueshme e shtetësisë së Kosovës nuk është tërësisht ‘made in Kosova’, është pasojë e konjukturave më të gjera politike dhe diplomatike.

Por, në çdo rast, Qeveria e Kosovës, presidenti i Kosovës, ministri i Jashtëm, kryeministri, e bartin një barrë të madhe të përgjegjësisë, sepse nuk kanë bërë atë që është pritur të bëjnë ata, atë që është dashur dhe që e kanë pasur obligim ta bëjnë.

Qeveria nuk ka hartuar një strategji se si t’i qaset këtij problemi, atij që në zhargonin politik po quhet lobim. Nuk ka një strategji dhe nuk ka pasur të qartë se ku duhet t’i angazhojë energjitë e veta në këtë proces. Qeveria ka punuar me sy mbyllur dhe ne tash, në njëfarë kuptimi, po dëmtohemi për këtë qasje të verbër të qeverisë në këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se edhe gjendja e brendshme në Kosovë, marrë parasysh situatën në veri, mund të ketë qenë një prej refleksioneve që kanë ndikuar në njohjen e Kosovës qoftë nga fqinjët apo vendet tjera?

BAJRAM KOSUMI
Unë nuk besoj shumë se kjo çështje e ka penguar njohjen e Kosovës. Është e vërtetë që një shtet e ka politikën e jashtme ashtu si e ka politikën e brendshme dhe ne nuk mund të krenohemi se kemi një politikë të fuqishme të brendshme, një ekonomi të fuqishme të brendshme.

Por, duke qenë se krijimi i shtetit të Kosovës është vepër sa e popullit shqiptar, edhe e shumë shteteve perëndimore, atëherë është dashur të pritet me të drejtë njohja edhe e më shumë shteteve për shtetin e Kosovës.

Faktori politik i Kosovës, në radhë të parë lidershipi aktual i Kosovës, nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe të shpërlahet lehtë me formulat se në botën arabe është ndikimi i Rusisë, ose bota afrikane ka një ndikim tjetër, ose ajo latino-amerikane një ndikim tjetër. Do të thotë, mosnjohja e shtetit të Kosovës, përveç konjukturave ndërkombëtare, raportet SHBA – Rusi – Kinë etj., është pasojë edhe e mosangazhimit të lidershipit aktual të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit, janë vërejtur disa lëvizje si nisma për unifikimin e agjendës politike të opozitës. Sa konsideroni se ky afrim, kushtimisht thënë, në mes të opozitës, do të mund të korrigjonte pozitën në politikat e saj?

BAJRAM KOSUMI
Ka përpjekje, por unë frikësohem se të gjitha këto përpjekje janë të paragjykuara të mos kenë shumë sukses, sepse vetë formimi i bllokut pozitë prej dy partive më të forta e ka rrezikuar skenën politike në Kosovë dhe i ka rrezikuar themelet e demokracisë në Kosovë.

Ju mund të shihni tash në skenën politike në Kosovë, çdo ditë e më tepër, ka sjellje autoritare të institucioneve të Kosovës, qoftë ndaj opozitës, qoftë ndaj buxhetit të Kosovës; ka sjellje autoritare ndaj medieve, mediet janë të heshtura tash në Kosovë; ka sjellje autoritare ndaj bizneseve, po krijohet përshtypja se nuk mund të bësh biznes nëse s’e ke një përkrahje në ministri, në qeveri etj.

Do të thotë, në vend të demokracisë, ky sistem i qeverisjes, i pushtetit pozitë me dy partitë më të forta dhe i opozitës me tri parti, kushtimisht them të vogla, po degjeneron në një situatë jo shumë demokratike, në një sistem autoritar. Dhe, sado që opozita mund të ketë tendenca të bëjë diçka, është i dobët zëri i opozitës, është i dobët edhe zëri i përkrahjes së opozitës nga mediet, nga shoqëria civile etj.

Por, unë do t’ju them edhe një anë tjetër të problemit, unë nuk besoj se një takim i dy-tre liderëve mund t’i zgjidhë problemet në Kosovë. Është në pyetje jo thjesht një person, jo thjesht një kryeministër, një president, por është në pyetje modeli i keq i qeverisjes. Po krijohet një model jo demokratik i qeverisjes dhe marrëveshjet e dy-tre liderëve nuk mund ta ndërrojnë modelin e qeverisjes.

Modeli i qeverisjes ndërrohet duke e hapur temën e debatit dhe duke gjeneruar ide të reja politike, duke u ballafaquar me proceset e vërteta, duke u ballafaquar me demokracinë, demokracia fitohet në angazhimin e përditshëm jo vetëm të klasës politike, por të shumë strukturave të shoqërisë.

Ne duhet ta hapim këtë derë, të fillojmë të angazhohemi për demokracinë, që ta fitojmë demokracinë. Dhe, këtë do ta bëjmë më shumë sot se kurrë, sepse me të vërtetë është rrezikuar demokracia edhe ashtu e brishtë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG