Ndërlidhjet

logo-print

Nafta - malli më i kërkuar për kontrabandim


Pamje nga djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.

Pamje nga djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.

Autoritetet e rendit dhe ata të Shërbimit Doganor të Kosovës bëjnë të ditur se nafta dhe derivatet e saj kontrabandohen më së shumti. Ata konsiderojnë se për të pamundësuar një dukuri të tillë, duhet pasur një kontroll më të madh. Ndërkohë, zyrtarët ndërkombëtarë dhe vendorë tashmë kanë thënë se në pikat kufitare në veri të Mitrovicës, në masë të madhe zhvillohet ekonomia informale.

Kontrabanda me naftë dhe derivate të saj, pas pavarësisë së Kosovës vazhdon të jetë njëra nga dukuritë më të shpeshta, vlerësojnë autoritetet e rendit dhe ata të Shërbimit Doganor të Kosovës.

Adriatik Satavilevci, zyrtar për informim në Shërbimin Doganor, thotë se kohëve të fundit, personat që janë kapur duke kontrabanduar, kanë qenë ata të derivateve të naftës.

“Në përgjithësi, kontrabandistët e ndryshëm tentojnë të kontrabandojnë mallra që u nënshtrohen taksave të akcizës, sepse edhe përfitimi prej atyre mallrave është shumë më i lartë. Unë mund t'ju them se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ne kemi zënë mjaft kundërvajtje, kemi zënë mbi 2000 litra naftë, që kanë tentuar të kontrabandohen; edhe automjetet që kanë tentuar të kontrabandojnë, edhe ato u janë nënshtruar konfiskimit", thotë Stavilevci.

Nga ana tjetër, Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, pohon se krahas kontrabandimit të mallrave të tjera, si duhanit dhe substancave narkotike, nafta është ajo që kontrabandohet më së shumti në rajonin e Mitrovicës.

"Që nga muaji mars deri më sot, kryesisht ka qenë kontrabandimi me derivate, sepse ka qenë pikërisht ajo që është kërkuar në treg, marrë parasysh shmangien nga taksat dhe tatimet, që Qeveria e Serbisë ka mundësuar për komunitetin serb në Kosovë. Ajo ka qenë me një çmim astronomik më të lirë, mendoj në treg, sesa derivatet me të cilat qytetarët kanë mundur të furnizohen në pompat e rregullta të derivateve", shpjegon Hoti.

Ndërkaq, Sabrie Kamberi, zyrtare për informim në policinë e Kosovës, thotë se kontrabanduesit, përveç naftës, kontrabandojnë edhe mallra të tjera. Ajo tregon se cilat produkte kontrabandohen:

"Rastet më të shpeshta ose mallrat që janë kontrabanduar, kanë qenë nafta dhe narkotikët; nuk përjashtohen edhe mallrat e tjera, gardëroba, cigare... Çdolloj malli që nuk është i doganuar dhe që mundohet të futet në Kosovë në mënyrë ilegale, normalisht që për ne është kontrabandë dhe konfiskohet dhe merren masa ndaj personave që janë munduar t'i kontrabandojnë këto mallra të ndryshme", thotë Kamberi.

Ndryshe, sa i përket kontrabandimit të duhanit, zyrtarë të Shërbimit Doganor thonë se kohët e fundit ka shënuar rënie.

"Sa i përket kontrabandimit të duhanit, mund të them se ka rënë në nivel shumë të ultë, për arsye se Shërbimi Doganor e ka aplikuar licencimin e kompanive për import të duhanit, gjithashtu edhe të banderolave. Kështu që sipas statistikave tona, kontrabanda e duhanit në territorin e Kosovës është më e ultë se 8 %. Faktikisht, ky është niveli i barabartë me të gjitha vendet e Evropës", thotë Stavilevci.

Ndryshe, edhe zyrtarët ndërkombëtarë, edhe vendorë, tashmë kanë pranuar se në pikat kufitare në veri të Mitrovicës, në masë të madhe zhvillohet ekonomia informale, çka po ndikon edhe në humbjen e buxhetit të konsoliduar të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG