Ndërlidhjet

EULEX nuk dërgon gjyqtarët në veri


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Fillimi i punëve të UNMIK-ut për rifunksionalizimin e Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës nuk do të përfshijë gjyqtarët e prokurorët e EULEX-it. Për të filluar punën e tyre atje, autoritetet e vendit thonë se mbase duhet pritur sinjalet nga Beogradi.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici, EULEX, nuk do të jetë pjesë e rifunksionalizmit të gjykatave në veri të Kosovës, në të cilat kishte pushuar puna që pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Ndonëse administrata e Kombeve të Bashkuara tanimë ka filluar procesin e rifunksionalizimit të Gjykatës së Qarkut në veri të Kosovës, duke dërguar gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë atje, EULEX mohon të jetë i përfshirë në këtë proces.

Zyrtarja për informim nga Ekipi Planifikues i BE-së për Kosovën, Kristina Herodes, thekson se me gjithë përpjekjet e EULEX-it për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, gjatë vendosjes në veri duhet të planifikohet me kujdes.

"Misioni EULEX do të shtrihet në tërë Kosovën, por këtë hap duhet ta përgatisim me shumë kujdes, gjë që do të marrë kohë. Siç jeni të njoftuar, EULEX akoma nuk është operacional, andaj edhe gjykatësit dhe prokurorët e këtij misioni nuk do të shkojnë në Gjykatën e Qarkut në veri", thotë Herodes.

Në anën tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se dërgimi i gjykatësve dhe prokurorëve të UNMIK-ut, si dhe rifillimi i punëve të gjykatave në veri, për momentin mbetet detyra e vetme e këtij misioni, i cili, sipas tij, nuk e ka për obligim t'i asistojë EULEX-it në këtë drejtim.

"Gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë që po i dërgojmë atje, janë të UNMIK-ut. Kjo nuk është detyra jonë, detyra jonë është që të hapen gjykatat", shprehet Ivanko.

Vendimi i administratës së OKB-së në Kosovë, që në veri të kthehen fillimisht vetëm gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, vlerësohet si një iniciativë pozitive nga ana e autoriteteve vendore të Republikës.

Ministrja e Drejtësisë së vendit, Nekibe Kelmendi, pa saktësuar kohën, shprehet e sigurt se në gjykatat në veri do të kthehen edhe gjykatës shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera.

"Do të vijë koha kur do të shkojnë të punojnë edhe prokurorët shqiptarë, edhe të komuniteteve të tjera, pra të gjithë ata që kanë punuar deri në momentin kur ato gjykata janë mbyllur dhunshëm nga disa ekstremistë serbë
", thotë Kelmendi.

Çështja e gjykatave në veri të Kosovës është po ashtu pjesë e planit për rikonfigurim të sekretarit gjeneral të OKB-së, plan i cili parasheh bisedime për disa çështje akoma të padefinuara ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Andaj, për të rivendosur punonjësit vendorë të gjykatave në veri, Kelmendi thotë se duhet pritur sinjalet nga Beogradi zyrtar.

"Sigurisht që do të mbetet të merret një sinjal nga Beogradi. Besoj se ashtu siç janë duke rrjedhur bisedimet, një zgjidhje më e mirë e mundshme që ka mundur të bëhet për momentin, është kjo zgjidhje, që ato gjykata për momentin të rifunksionalizohen dhe në to për momentin të punojnë vetëm për lëndë penale gjyqtarë dhe prokurorë të UNMIK-ut", thotë Kelmendi.

Gjykata e Qarkut në veri të Kosovës, që nga mesi i muajit shkurt, punon me kapacitete të përgjysmuara në qytetin e Vushtrrisë. Arsye e zhvendosjes se punëtorëve nga Mitrovica në Vushtrri ishte uzurpimi i objektit të gjykatës nga protestues serbë, të cilët refuzonin t'iu nënshtrohen ligjeve të institucioneve të Kosovës, që nga momenti kur u shpall shtetësia e vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG