Ndërlidhjet

logo-print

Serbët kundër rivendosjes së gjykatave


Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 14 mars 2008.

Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 14 mars 2008.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë paralajmëron se gjykatat në veri të Mitrovicës do të jenë funksionale që nga 3 tetori. Fillimisht, aty do të punojë vetëm stafi ndërkombëtar, ndërkaq parashihet që gradualisht të kthehet edhe stafi lokal.

Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e strukturave politike serbe në Mitrovicë, përderisa zyrtarë nga Qeveria e Serbisë në Ministrinë për Kosovën thonë se për ta misioni i UNMIK-ut është i pranueshëm, por jo edhe ai i EULEX-it.

Vendimi i UNMIK-ut që në gjykatën në veri të Mitrovicës të dërgojë gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, po has në kundërshtime mjaft të ashpra të strukturave serbe në atë pjesë të Kosovës.

Pas trazirave të 17 marsit të këtij viti, kur UNMIK-u hasi në rezistencën e serbëve në përpjekjet për të vënë rendin në gjykatën në veri të Mitrovicës, e cila ishte uzurpuar nga serbët, ndërtesa e gjykatës ishte ruajtur deri më tani nga KFOR-i, kurse tash UNMIK-u planifikon që atje fillimisht të nisë punën vetëm me staf ndërkombëtar.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se gjykata tash gradualisht do të ruhet nga Policia e UNMIK-ut, edhe pse atje do të ketë edhe një prani të KFOR-it.

“Kemi filluar të merremi me këtë ndërtesë të premten dhe planifikojmë që ajo të jetë funksionale për punë deri më 3 tetor”, thotë Ivanko.

Deri te kthimi i të gjithë punonjësve në vendet e tyre të punës në këtë gjykatë do të duhet pak kohë, sqaron zyrtari i UNMIK-ut, pasi që kthimi në punë parashihet në disa faza. Kurse, në fazën e parë atje do të punojnë vetëm ndërkombëtarët.

Ky vendim i UNMIK-ut po has në kundërshtime të serbëve. Marko Jakshiq, një përfaqësues serb i afërt me opozitën në Beograd, thotë se ky vendim është marrë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

Ai thotë se kjo ishte ‘një thikë pas shpine’ për serbët, pasi që me këtë vendim, sipas tij, do të mundësohet që në veri të Mitrovicës të zbatohen ligjet e Republikës së Kosovës.

“Nuk ekzistojnë ligjet e UNMIK-ut. Ekzistojnë vetëm Ligjet e Republikës së pavarur të Kosovës, e cila është vetëshpallur dhe e cila për ne është krejtësisht e papranueshme”, thekson Jakshiq.

Sipas tij, pajtimi i Qeverisë serbe që UNMIK-u të marrë nën kontroll gjykatat në veri, është në kundërshtim me parimet e politikës serbe për Kosovën dhe u shkon shtati angazhimeve të Prishtinës që Republika e Kosovës të shtrijë rendin e vet kushtetues edhe në këtë pjesë.

Mirëpo, ndryshe mendon sekretari në Ministrinë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq. Ai thotë se këta gjykatës e prokurorë që do të punojnë në veri, nuk mund të jenë staf i EULEX-it, por do të jenë staf i UNMIK-ut.

“Misioni i vetëm ndërkombëtar me të cilin ne do të kontaktojmë, është UNMIK-u, kurse EULEX-i nuk ka legjitimitet, përderisa të mos e marrë miratimin nga Këshilli i Sigurimit”, thekson Ivanoviq.

Në këtë aspekt, ai thotë se Qeveria e Beogradit nuk do të pajtohet në asnjë mënyrë që përfaqësuesit e EULEX-it të vendosen në vendbanimet serbe. Gjithashtu, Ivanoviq thotë se gjykatësit e prokurorët serbë do të kthehen në punë vetëm nëse do të punojnë nën mandatin e UNMIK-ut dhe assesi të EULEX-it.

Ndryshe, në përpjekje për të kthyer rendin dhe ligjin në gjykatat në veri të Mitrovicës, më 17 mars pati humbur jetën një pjesëtar i policisë së UNMIK-ut nga Ukraina, ndërkaq rreth 100 veta qenë lënduar nga radhët e Policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it.

Raporti i Kombeve të Bashkuara për ngjarjet e asaj dite pati përçarë edhe Këshillin e Sigurimit, i cili nuk arriti që të dalë me një vlerësim të përbashkët, nëse është dashur apo jo të ndërhyhet atë ditë me forcë për t’i larguar grupet e serbëve të mbështetur nga Beogradi zyrtar, që kishin uzurpuar ndërtesën e gjykatës.

Tani, masat më të reja tentojnë sërish kthimin e rendit atje, ndërkohë që sërish ka kundërshtime nga përfaqësuesit lokalë serbë. Këta përfaqësues shprehin dyshime se me këto masa mund t’i hapet rruga shtrirjes së misionit të EULEX-it, i cili konsiderohet i papranueshëm për serbët.

Andaj, ata preferojnë që në vendbanimet me shumicë serbe edhe pas rikonfigurimit të UNMIK-ut, kjo administratë të mbetet e pranishme, por jo edhe EULEX-i.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG