Ndërlidhjet

logo-print

Preteni: Korrupsioni vazhdon të jetë shumë akut


Hasan Preteni

Hasan Preteni

“Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë shumë akut, shumë aktual, shumë problematik. Mënyra e shfaqjes po ndryshon çdo ditë”, thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Preteni, ku qëndron Kosova sot në luftën kundër korrupsionit në krahasim me vendet e rajonit? Organizata Transparency International ka veçuar si pozitive përpjekjet e Shqipërisë në këtë luftë, por për vendet tjera ka thënë se nuk ka ndryshime substanciale...

HASAN PRETENI
Me keqardhje konstatoj se edhe këtë vit Transparency International nuk bëri një sondazh të tillë në Kosovë, kështu që Kosova ende nuk ka hyrë në atë listën e shteteve ku Transaprency International ka realizuar këto hulumtime. Mirëpo, mendoj se qëndrojmë diku ku janë shtetet e rajonit dhe mendoj se duhet të jemi afër Shqipërisë, nga mesi i kësaj tabele.

Nuk mund të mburremi me atë që janë arritur disa suksese spektakulare në Kosovë, korrupsioni është shumë i pranishëm në Kosovë, por janë bërë disa përpjekje, ka lëvizje në këtë drejtim dhe mendoj se rezultatet priten në periudhën e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga puna e deritanishme e agjencisë, çfarë mund të thuhet, a është në rënie apo në rritje korrupsioni në Kosovë?

HASAN PRETENI
Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë shumë akut, shumë aktual, shumë problematik. Mënyra e shfaqjes po ndryshon çdo ditë, mirëpo mendoj se edhe institucionet janë duke bërë përpjekje, jo në nivelin e duhur, por është një progres në këtë drejtim.

Mendoj se në rend të parë, për ta luftuar këtë dukuri shumë negative, na duhet ngritje e vetëdijes qytetare, në këtë rast llogaris në shërbyesit civilë. Mendoj se këta nuk po e japin maksimumin, nuk po e japin kontributin në këtë luftë.

Kemi disa raste që e ilustrojnë këtë që them, sepse agjencia, kohëve të fundit, ka arritur që t’i parandalojë në disa raste ku shërbyesit civilë kanë bashkëpunuar me agjencinë. Dhe, vlerësojmë se nëse ky bashkëpunim do të ishte më i denjë, më serioz, rezultatet nuk do të mungonin.

Pse them shërbyesit civilë? Sepse, janë ata persona që kanë informata. Korrupsioni është një veprim i tillë, i cili nuk mund të kryhet nga një individ, pa marrë parasysh i cilit nivel është ai individ, pa e ditur prej personave të tjerë. Domethënë, është një zinxhir dhe për t’i mundësuar një grupi, një klani, një personi që të korruptohet, të pasurohet, atij i duhen më shumë njerëz që t’i ndihmojnë.

Kërkojmë që ata, nga ky zinxhir i këtyre qytetarëve, i këtyre shërbyesve, të informojnë jo vetëm agjencinë, por edhe institucionet tjera. Po të funksionojë ky zinxhir, kjo hallkë, më mirë, po të jetë më efikase, siguroj që edhe lufta kundër korrupsionit do të jetë më e suksesshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është numri i informatave që i posedoni sa i përket korrupsionit në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe në cilat institucione dyshohet se ka më shumë korrupsion?

HASAN PRETENI
Një ngjarje e javës së kaluar më jep të shpresoj dhe të krijoj një opinion tjetër në lidhje me këtë. Qytetarët në shumë raste nuk po hezitojnë t’i përcjellin informatat, por mendoj se dyshojnë se çka po bëhet me fatin e tyre.

Javën e kaluar e kemi pasur një aksion shumë të suksesshëm, kurse ditët më pastaj kemi qenë të vërshuar nga informatat. Ishte rasti që ndodhi me Shërbimin Policor të Kosovës, me një zyrtar të SHPK-së, dhe pas publikimit të atij rasti dhe kontributit që dha agjencia në këtë drejtim, ditëve më pastaj, kjo po vazhdon edhe më tutje, edhe sot, edhe mendoj se do të vazhdojë një kohë të gjatë, që qytetarët po sjellin informata në agjenci.

Domethënë, qytetarët po hezitojnë t’i përcjellin informatat duke mos pranuar një fazë, them kushtimisht, rreziku që ato të përcillen, sepse dyshojnë se çka po ndodh me informatat e tyre. Pra, korrupsioni në Kosovë nuk po gjykohet, nuk po dënohet dhe ky është problemi kryesor.

Numri i informatave është diku, flas për raportin gjashtëmujor, afër 70 informata të përcjella, prej tyre 21 i kemi përcjellë në prokuroritë kompetente, me ato 47 të vitit të kaluar, dalin gjithsejtë 68, flas më 30 qershor të këtij viti. Kurse, në korrik, gusht dhe tani në shtator janë më shumë se 10 informata që i kemi përcjellë në prokurori.

Mirëpo, në këtë fazë, korrik, gusht, shtator, ka qenë një fazë e aktiviteteve të agjencisë në drejtim të parandalimit. Thashë edhe më herët, ato informata që kanë rezultuar shumë pozitivisht, në atë fazën e tenderimit, shërbyesit civilë na kanë informuar dhe kemi arritur të parandalojmë dhe shuma të mira parash janë kursyer në atë drejtim.

Mirëpo, nuk është në nivelin e kënaqshëm dhe që nga 1 tetori do të fillojmë një fushatë tjetër nëpër tërë Kosovën, duke vizituar të gjitha komunat e Kosovës, duke tentuar të bisedojmë me shërbyes civilë, me zyrat qendrore të prokurorimit, sepse gjithçka po sillet rreth tyre, aty po përgatitet dokumentacioni për tenderë, aty po vlerësohen tenderët.

Do të tentojmë që me një fushatë vetëdijesuese të bisedojmë me shërbyesit civilë të Kosovës dhe t’i thërrasim, t’i inkurajojmë, që të kenë më shumë kurajë që të kyçen në këtë luftë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët një numër të lëndëve që keni dorëzuar në prokurori. Sa prej tyre janë zgjidhur si lëndë?

HASAN PRETENI
Prapë, duke iu referuar raportit gjashtëmujor, ne kemi 68 informata, 47 të vitit të kaluar, 21 të këtij viti, janë 23 informata që i kemi kthyese. Prej tyre 12 kanë rezultuar me aktivitete konkrete të prokurorisë, janë ngritur edhe 3 aktakuza, ka të paraburgosur, të suspenduar, ka raste ku kanë filluar hetimet penale, kurse 11 prej tyre janë refuzuar nga prokurorët.

Specifikë e këtyre lëndëve të refuzuara është që nga 11, 10 prej tyre i përkasin gjyqësorit, ku me informata që i ka pasur agjencia, me informatat e trajtuara, me hetimet tona paraprake, pretendojmë që tek gjyqësori në procedurën e nxjerrjes së aktgjykimeve ka pasur veprime korruptive.

Kur i kemi artikuluar ne dhe i kemi përcjellë në prokurori që të merren masa, të fillojnë hetimet penale kundër personelit në gjyqësor, ata i kanë refuzuar me lehtësi. Kemi raste kur prokuroria një informatë për gjyqësor e kthen brenda 10 ditësh. Pra, është një afat i shkurtër dhe numri që po refuzojnë na bën të kemi dozë dyshimi se nuk po i trajtojnë.

Sidoqoftë, ne këto lëndë nuk i hedhim, por do të tentojmë të mbledhim edhe më shumë materiale rreth tyre dhe do të gjejmë momentin e volitshëm që t’i riaktivizojmë prapë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë pengesat kryesore në luftën kundër korrupsionit?

HASAN PRETENI
Pengesa janë mosbashkëpunimi i shërbyesve civilë dhe përkrahja joadekuate e institucioneve. Në këtë fazë agjencia e ka edhe buxhetin, edhe numrin e personelit të kërkuar, por na duhet që agjencia të fuqizohet, duke siguruar paga më të mira dhe kushte më të mira për punë për shërbyesit në agjenci.

Është iluzore të kërkohen suksese të shpejta nga një jurist i ri, me të kaluar të pastër, që ka dëshirë të kyçet në luftë, mirëpo punën e parë profesionale e ka në agjenci dhe ai pas një muaji punë provuese apo tre muajsh, kyçet në hetimin e rasteve. Domethënë, janë persona pa përvojë. Kurse, me këto paga që ofrojmë ne për shërbyesit në agjenci, është e pamundur të kemi ekspertë të lëmisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG