Ndërlidhjet

logo-print

Tregjet botërore dhe ndikimi i tyre në tregun kosovar


Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë, në periudhën mars 2007 - mars 2008, është rritur në një mesatare prej 13.2 për qind. Kjo ngritje e çmimeve ka ndodhur për shkak të ngritjes së çmimeve të bukës dhe naftës në tregun botëror. Por, megjithatë, çmimet e konsumit kanë shënuar një rënie në 1 për qind, thotë Ibish Asllani, nga Enti i Statistikave të Kosovës

“Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin gusht 2008 me gushtin e vitit 2007, ka qenë në rritje prej 7.8 për qind. Kryesisht kjo rritje shpjegohet për shkak të rritjes se çmimeve të bukës dhe drithërave për 21.1 për qind, vajrat dhe yndyrat për 39 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal 17.2 për qind", thotë Asllani.

Ekspertë për çështje ekomomike pohojnë se kjo lëvizje e çmimeve po ndodh për shkak të tregut jostabil në botë. Bedri Selmani thotë se tregu kosovar në përqindje të madhe varet nga importi.

"Kjo është një gjendje ku inflacioni i kërkesës e ka bërë të veten. Kjo vjen si ndikim i asaj që Kosova është e varur diku në 90 për qind nga importi i artikujve ushqimorë”, thotë Selmani.

Selmani thekson se faktorë kryesorë në këtë drejtim janë çmimi jostabil i karburanteve të naftës dhe problemet që po ndodhin në sistemin bankar botëror.

“Tash është çështja se pas rënies së dollarit, kemi ngritje të naftës. Ngritja e dollarit është rënia e naftës. Pra, çështja është se ne varemi shumë nga këto ndodhi, që po ndodhin në tregun amerikan, në krizën financiare që ka kapluar tregun bankar në SHBA. Por, reagimi i përnjëhershëm në një treg aq të vogël, siç është tregu i Kosovës, është i pamundshëm",
thotë Selmani.

Megjithatë, ai pohon se ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë ka vështirësuar tej mase edhe standardin jetësor të qytetarëve. Ai thotë se përballë çmimeve shumë të larta, problem paraqiten pagat e ulëta të punëtorëve.

"Pagat mesatare të të punësuarve sillen prej 230 euro në muaj, kurse për një familje katër-anëtarësh, për të siguruar shportën e konsumit, i duhen së paku 400 euro në muaj. Pra, vetëm në këtë jemi duke parë se tejkalohet gati 100 për qind aftësia blerëse për artikujt themelorë ushqimorë", thekson Selmani.

Ndryshe, zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të ekonomisë tashmë kanë deklaruar se Kosova mund të llogaritet si vendi më i shtrenjtë në rajon, për shkak të çmimeve të larta dhe pagave shumë të ulëta.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG