Ndërlidhjet

logo-print

Bush: Ta luftojmë bashkë terrorizmin


Presidenti amerikan George Bush, në adresimin e tij të fundit në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i bëri thirje botës që të bashkohet në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

"Kombet e këtij trupi duhet të qëndrojnë bashkë në luftën kundër terrorizmit. Duhet të punojmë së bashku që mos t'i lëmë skutë terroristëve, askund në botë, as në hapësirat e paqeverisura", tha Bush.

Presidenti Bush, i cili largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar të 2009-tës, tha se vendet si Siria dhe Irani "vazhdojnë të sponsorizojnë terrorizmin" dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar, që të imponojë sanksione kundër tyre.

Ai po ashtu tha se invazioni i Rusisë në Gjeorgji ishte shkelje e parimeve të Kartës së OKB-për "të drejtat të barabarta të kombeve të mëdha e të vogla".

"Duhet të qëndrojmë bashkë në përkrahjen për popullin e Gjeorgjisë. Karta e Kombeve të Bashkuara ka vendosur të drejta të barabarta për kombet e mëdha e të vogla. Invazioni i Rusisë ishte shkelje e këtyre fjalëve. Demokracitë e vogla nëpër botë po shikojnë, se si ne do i përgjigjemi këtij testi. SHBA ka punuar bashkë me aleatët, me institucionet multilaterale si BE dhe NATO në mbështetjen e integritetit territorial të Gjeorgjisë dhe në ofrimin e ndihmave humanitare. Vendet tona do të vazhdojnë ta përkrahin demokracinë e Gjeorgjisë", tha Bush.

Presidenti amerikan po ashtu u kërkoi liderëve botërorë, që të arrijnë sa më shpejt që të jetë e mundur një marrëveshje të re të tregtisë.

XS
SM
MD
LG