Ndërlidhjet

"Sarkozy: Njohja e Kosovës - në të mirë të rajonit"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Njëri prej figurave qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, po shtyn përpara idenë e zgjedhjes së një lideri të ri, i cili duke unifikuar partinë, do t'ia kthente asaj primatin në skenën politike të vendit. Aty ku ishte para 17 Nëntorit të vitit të kaluar. Kjo duket të jetë shpresa e vetme e Hazirit, në fazën kur LDK-ja, dikur subjekti dominues në Kosovë, po përballet me rënie të vazhdueshme në elektorat. Në një intervistë për Express, Lutfi Haziri - i cili aktualisht është shef i Grupit Parlamentar të LDK-së - ka deklaruar se nuk mund të pretendohet për një reformim të vërtetë pa mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme. E zgjedhjet, sipas tij, do ta nxirrnin një lider të ri. "Askund në botë nuk ka reformë të subjekteve politike, pa një proces të pastër zgjedhor", ka thënë Haziri. "Aty çdokush mund të konkurrojë dhe kështu zgjidhet lidershipi i ri". Ai ka përmendur edhe afate kohore se kur duhet që LDK-ja të nisë procesin e brendshëm zgjedhor. "Kjo do të ndodhë shumë përpara zgjedhjeve lokale...”. Strukturat udhëheqëse të LDK-së kanë së paku edhe dy vjet mandat. Mirëpo, humbja e zgjedhjeve të 17 Nëntorit të vitit të kaluar, ka shtruar si domosdoshmëri zhvillimin e një procesi zgjedhor...

KOHA DITORE
Presidenti francez, Nicholas Sarkozy, ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë, të martën, se sa më shumë që të shtyhet njohja e pavarësisë së Kosovës, kjo nuk do të ndikojë për të mirën e rajonit. "Çdo shtyrje e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk do të ndikonte për të mirën e paqes dhe të stabilitetit në rajon", ka thënë ai në një konferencë shtypi në selinë e OKB-së në Nju Jork, në ditën e fillimit të debatit në seancën e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme. I pari i Francës i ka bërë këto komente duke iu përgjigjur pyetjes së KTV-së lidhur me qëndrimin e shtetit të tij karshi kërkesës së Beogradit për dërgimin e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. "Dua të theksoj se Franca ka qenë një ndër shtetet e para qe e ka njohur pavarësinë e Kosovës", ka thënë Sarkozy për KTV-në. Ai ka shtuar se Serbia duhet ta ketë në mendje se edhe ajo e ka vendin në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, janë takuar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, dhe me kryetarin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, e me shefin e diplomacisë, Milan Roqen...

EPOKA E RE
Vendimi i Gjermanisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është përfundimtar dhe ndaj saj nuk do të influencojë votimi eventual i propozimit serb të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të KB. Ne Bundestag, si dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme presin që Gjermania, me rastin e votimit, sipas të gjitha gjasave, të përmbahet ose eventualisht do të jetë kundër propozimit serb. Pavarësisht nga kjo, theksohet se qeveria e re serbe ka treguar se synon drejt Bashkimit Evropian dhe Berlini zyrtar do ta mbështesë këtë. "Ne e kemi njohur pavarësinë e Kosovës dhe shumë vende të tjera e kanë bërë këtë. Dhe, nëse e kemi bërë këtë, atëherë mund të jeni të sigurt se jemi të bindur se kjo është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare", ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Lens Pletner. Edhe deputetja socialdemokrate në Bundestag, Ute Capf, pret që Gjermania të votojë kundër rezolutës serbe. "Gjermania e ka njohur Kosovën dhe nuk ekziston asnjë arsye që kjo tani të ndryshohet. Mendoj se politikanët serbë, për arsye të politikës së brendshme, paraqiten me atë rezolutë...”, ka thënë Ute Capf...

LAJM
Autoritetet më të larta të Serbisë po bëjnë presion mbi Malin e Zi që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Presidenti serb, Boris Tadiq, pas takimit që ka pasur me homologun e tij malazias, Filip Vujanoviq, tha të martën se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi do të ishte gjest i papranueshëm për Serbinë. "Unë e kam paraqitur qëndrimin se kjo për Serbinë do të ishte një gjest plotësisht i papranueshëm, andaj Mali i Zi ,do të duhej t'i ndjekë reagimet e Beogradit”. Tadiq tha se ka shprehur gatishmërinë të ndërmarrë një aksion diplomatik që presionet mbi Malin e Zi për ta njohur Kosovën janë jofunksionale dhe të panevojshme dhe se në njëfarë mënyre, sipas tij, do ta destabilizonin vetë rajonin. Sipas presidentit serb, Vujanoviqi ka thënë se mbi Malin e Zi po ushtrohet "presion i madh" nga vendet që e kanë njohur Kosovën, që edhe Podgorica ta bëjë këtë... Por, për televizionin malazias, Vujanoviqi ka deklaruar se Mali i Zi do ta marrë vendimin për njohjen e Kosovës në muajin tetor...

KOSOVA SOT
Është gati infrastruktura ligjore për pensionimin e pjesëtarëve të TMK-së. Përfitues të pensioneve do të jenë të gjithë pjesëtarët aktualë aktivë, të cilët do të mbesin jashtë strukturës së ardhshme të FSK-së. Pas diskutimeve të gjata, grupi strategjik për tranzicion, në të cilin bëjnë përfaqësues të Qeverisë, të opozitës, zyra civile ndërkombëtare, ambasada amerikane, mekanizma të tjerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues, kanë harmonizuar infrastrukturën ligjore për këtë kategori. Me këtë ligj rregullohet e drejta për pensionimin e pjesëtarëve aktivë të TMK-së dhe trashëgimtarëve të tyre pas shpërbërjes së TMK-së. Përfitues të pensioneve janë pjesëtarët e demobilizuar të TMK-së. Personat në mes moshës 45 dhe 50 vjeç kanë të drejtë për pension të parakohshëm të TMK-së, nëse ata i përmbushin kriteret e përcaktuara. Por, individët, që të fitojnë te drejtën, si kusht duhet të kenë arritur moshën pesëdhjetëvjeçare, të jenë apo të kenë qenë pjesëtarë aktivë të TMK-së në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit për shpërbërjen e TMK-së, të kenë shërbyer për pesë vjet në këtë strukturë dhe të mos bëhen pjesëtarë aktivë të FSK-së...

BOTA SOT
Dhjetë të ngarkuarit me punë në ambasadat e para të Kosovës në botë, i janë përveshur një trajnimi intensiv, në mënyrë që të fitojnë aftësitë dhe një eksperiencë të duhur në fushën e diplomacisë, e cila do t'iu shërbejë gjatë punës së tyre si ambasadorët e parë të Kosovës, të akredituar në 10 ambasadat në botë. Mungesa e kuadrove të shqiptarëve të Kosovës në këtë fushë parashtron nevojën e trajnimit, i cili do t'i barazonte diplomatët tanë me diplomatë të rajonit dhe më gjerë. Kursi intensiv diplomatik i paraparë të zgjasë tri javë, po mbahet në ambientet e Institutit Kosovar për Administratë Publike. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shprehen optimistë se ky trajnim të ngarkuarve me punë do t'u shërbejë në masë të madhe për punën që i pret ata në të ardhmen. "Ministria e Punëve të Jashtme, duke marrë parasysh mungesën që Kosova ka në rrjetin diplomatik (kujtoj këtu se jemi në hapat e parë të krijimit të misioneve diplomatike) e ka parë si të paevitueshme mbajtjen e një kursi intensiv diplomatik për diplomatët tanë të parë'", ka thënë në një deklaratë për gazetën kombëtare "Bota sot", këshilltarja për media e Skënder Hysenit, Albana Beqiri...

INFOPRESS
Po afrohen njohjet e reja apo të paktën këto janë premisat? Duket se në garën për të fituar epitetin e vendit të 48 që njeh pavarësinë e Kosovës do të dalë fitues Maqedonia, që përmes presidentit Branko Cërvenkovski ka bërë të ditur se vendi i tij do të njohë shumë shpejt Kosovën. Sidoqoftë, edhe Mali i Zi, Greqia, sikurse edhe Arabia Saudite, janë në rrugë te mirë dhe është vetëm çështje ditësh publikimi i njohjeve të tyre. Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju Jork, ka deklaruar se Maqedonia së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu bën të ditur agjencia e lajmeve INA, sipas së cilës, gjatë takimit me presidentin maqedonas, krerët e KKSHA-së i kanë shprehur atij shqetësimin pse ky shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk ka mbetur pa debat edhe çështja e mosimplementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. "Ata i kërkuan presidentit Cërvenkovski që Maqedonia sa më parë ta njohë pavarësine e Kosovës, akt ky, që, sipas tyre, do t'i shërbente stabilitetit të rajonit si dhe do të kompletonte implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në tërësinë e saj"...

ZËRI
Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, dje, në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është përpjekur të arsyetojë iniciativën serbe në OKB lidhur me shpalljen e pavarësisë Kosovës. Ai, duke iu drejtuar të pranishmëve në sesionin e 63-të të Asamblesë Përgjithshme të OKB-së dhe pasi ka përkujtuar datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë: “Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është përpjekje për copëtim të një shteti anëtar të KB-së kundër vullnetit të saj dhe pa pajtimin e Këshillit të Sigurimit, vetëm për arsye se një bashkësi etnike e saj është kërcënuar me dhunë nëse nuk u dilet përballë kërkesave të tyre”. Si rezultat i gjithë kësaj, ka vazhduar Tadiq, është vënë në pikëpyetje vetë natyra e sistemit ndërkombëtar. Dihet se në gjithë botën ka dhjetëra Kosova, të gjitha ato presin që secesioni të fitojë legjitimitet e të bëhet normë e pranueshme. “Për këtë arsye duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo gjë do të shkaktojë përshkallëzimin e konflikteve ekzistuese, shpërthimin e sërishëm të konflikteve të ngrira, ndërsa disa konflikte të tjera do të mund të provokohen”...




XS
SM
MD
LG