Ndërlidhjet

logo-print

BE shqyrton abstenimin si përgjigje ndaj nismës serbe

  • RFE /RL

Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, 23 shtator 2008.

Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, 23 shtator 2008.

Disa vende anëtare të BE-së kanë bërë të ditur se janë duke shqyrtuar mundësinë e abstenimit si qëndrim të përbashkët, për t'iu pergjigjur nismës së fundit të Serbisë, e cila synon të kërkojë nga GJND-ja mendimin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.


Në ditën e parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që të përkrahin vendin e tij në kërkesën që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

"Ne besojmë se dërgimi i çështjes së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të pengojë që kjo krizë të shërbejë si precedent i thellë problematik në çdo pjesë të globit, ku janë trimëruar ambiciet secesioniste".

"Ne besojmë se një mendim këshillëdhënës i gjykatës do të ofrojë udhëzime juridike autoritative dhe politikisht të paanshme për shumë vende që ende vrasin mendjen si t'i qasen shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar",
tha Tadiq.

Ai tha se shpallja e pavarësisë paraqet sfidë për sistemin e OKB-së dhe nënkupton se shtetet anëtare mund të ndahen kundër vullnetit të tyre.

Në reagimet e para ndaj fjalimit të presidentit serb, ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexander Stubb, tha se mënyra më e mirë për pozicion të përbashkët të vendeve të BE-së është abstenimi ndaj propozimit serb. Por, Stubb, i cili është edhe kryesues i OSBE-së, tha se vendi i tij nuk do të votojë kundër nismës serbe.

"Kemi pasur diskutime të zgjeruara në mesin e ministrave të Jashtëm të BE-së, se çfarë do të duhet të bëjmë lidhur me nismën serbe. Kuptohet, janë tre opsione: të votojmë kundër saj, të votojmë për të dhe të abstenojmë. Pozicioni finlandez është shumë i qartë: ne nuk do të votojmë kundër".

"Ne i mbështesim të gjitha gjykatat ndërkombëtare dhe do të ishte kundër parimeve tona që t'ia mohojmë Serbisë këtë të drejtë. Nëse duam të kemi pozicion të përbashkët të BE-së, mënyra e vetme për ta bërë këtë është përmes abstenimit",
tha Stubb.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, është shprehur pro abstenimit lidhur me nismën serbe në Kombet e Bashkuara.

"Ne e respektojmë vendimin e autoriteteve serbe që të kërkohet mendim nga Gjykata Ndërkombëtare, por ne do të duhet të vendosim në nivel të BE-së për këtë çështje shumë të rëndësishme, dhe të arrijmë qëndrim të përbashkët të Bashkimit Evropian".

"Shpresoj fuqishëm se kjo do të jetë e mundur. Qëndrimi im personal është në favor të abstenimit, por ne do t'i vazhdojmë diskutimet rreth kësaj
", tha Frattini.

Vlerësimin për çështjen e pavarësisë së Kosovës e dha edhe presidentja e Finlandës, Tarja Halonen.

"Në qoftë se rasti i Kosovës nuk është tërësisht i përsosur, atëherë situata në Gjeorgji me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë janë shumë, shumë më pak të përsosura",
tha presidentja Halonen.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së, por vetëm një e katërta e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë ndjekur këtë hap.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG