Ndërlidhjet

Kosova - anëtare e Bankës Botërore vitin e ardhshëm


Logo e Bankës Botërore
Logo e Bankës Botërore

Anëtarësimi i plotë i Kosovës në FMN dhe Bankën Botërore mund të zgjasë deri në gjysmën e parë të 2009-ës, tha nenëspresidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Shigeo Katsu. Këto komente, ai i bëri pas takimit me kryeministrin Thaçi.

Kosovës do t’i duhen edhe gjashtë deri në nëntë muaj që të jetë anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kështu është thënë sot pas takimeve të ndara që kryeministri Hashim Thaçi zhvilloi me delegacionet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore.

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore është duke vazhduar, përderisa anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë institucion të fuqishëm financiar pritet të përfundojë më së largu deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, tha zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Shigeo Katsu.

“Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore është duke vazhduar. Gjatë ditëve në vijim do të diskutojmë për shumë çështje teknike, por edhe për kalkulimet që duhet bërë. Nëse këto llogaritje përfundojnë nga FMN-ja, atëherë ne mund të fillojmë llogaritjet tona. Indikacionet janë që ky proces të përfundojë pas gjashtë ose nëntë muajsh”, tha Katsu.

Ai i ka sugjeruar qeverisë që sa më shpejt që të jetë gati për anëtarësim, aq më mirë do të ishte për Kosovën. Ai bashkë me delegacionin nga Banka Botërore, gjatë qëndrimit në Prishtinë, thanë se po vështrojnë nga afër implementimin e disa projekteve të financuara nga ky institucion financiar.

Zëvendëspresidenti Shigeo Katsu kërkoi nga Qeveria e Kosovës që mjetet e Konferencës së Donatorëve të shfrytëzohen në mënyrën e duhur, në mënyrë që me këto mjete të ndikohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Mjetet e Konferencës së Donatorëve tani duhet të shndërrohen ne veprime dhe aksione konkrete në terren, me çka jeta e kosovarëve do të përmirësohej“,
pohoi Katsu.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se takimet e tij të sotme me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore janë një hap përpara drejt marrjes së përgjigjes pozitive nga këto dy institucione të fuqishme financiare për anëtarësimin e Kosovës.

“Kosova jo vetëm që ka nevojë për mbështetje financiare, por ka nevojë dhe e meriton të jetë anëtare e plotë e Bankës Botërore dhe FMN-së. Ne kemi aplikuar për anëtarësim dhe dua të besoj se do të kemi përgjigje të shpejtë dhe pozitive që Kosova të jetë anëtare e Bankës Botërore”, u shpreh Thaçi.

Deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare, u tha se një delegacion nga Kosova në cilësinë e vendit vëzhgues do të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të mbahet në Uashington, përderisa anëtarësimi i plotë, u tha se pritet diku në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG