Ndërlidhjet

Haziri: LDK-ja miraton pakon për reformim


Lutfi Haziri
Lutfi Haziri

“Kryesia e LDK-së ka formalizuar një pako të vendimeve, që përfshin katër kategori të vendimeve të domosdoshme, për të qartësuar procesin e reformave të brendshme të LDK-së”, thotë Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Haziri, Lidhja Demokratike e Kosovës, kohë më parë, ka paralajmëruar se do të ketë reforma në parti. Si do të duken këto reforma?

LUTFI HAZIRI
Sot, Kryesia e LDK-së ka formalizuar një pako të vendimeve, një pako që përfshin katër kategori apo grupe të vendimeve të domosdoshme, për të qartësuar procesin e reformave të brendshme të LDK-së.

Një numër i tyre janë vendime teknike, por që kanë ndikim në organizim, në strukturë dhe në përgatitjen e ambientit, që organet kryesore të LDK-së, si Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi i LDK-së, t’i lejojnë apo t’u japin vizën në të ardhmen e afërme proceseve që LDK-ja do t’i kalojë domosdoshmërish.

Kjo ka të bëjë edhe me agjendën, hartën e punës, që LDK-ja e ka miratuar, edhe me angazhimet tjera konkrete, që kanë të bëjnë me emërimet e njerëzve apo zgjidhjen e kuadrit, profilit, që do të merret me zbatimin e detyrave konkrete. Sigurisht që ruhet korniza e statutit të LDK-së, por kjo fazë tregon edhe propozim-ndryshimin e statutit dhe propozim-ndryshimet e politikave programore që LDK-ja i ka të miratuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarë të LDK-së kanë thënë kohë më parë se LDK-ja nuk është e gatshme për reforma. A ka konsensus në LDK për këto reforma?

LUTFI HAZIRI
Lidhja Demokratike e Kosovës është e vonshme në reforma, jo për arsye tjera, por për vetë faktin që Kosova e ka zgjidhur statusin final; më 17 shkurt de facto dhe de jure Kosova është pranuar si shtet ndërkombëtar.

Orientimet politike programore dhe vizioni i LDK-së është përmbyllur në këtë ecje 18-vjeçare si parti lidere e themelimit të shtetit dhe e pavarësisë së vendit. Tani LDK-ja duhet të hyjë në një proces për të adaptuar veten, për të adaptuar politikën dhe për të adaptuar interesin në përputhje me zhvillimet për një Kosovë evropiane.

Ideologjia e LDK-së nuk ndryshon, por qasja, mënyra e zbatimit të politikave, përgjegjësia, llogaridhënia, emërimet dhe gjithçka tjetër që lidhet me politikat e brendshme, qofshin ato kadrovike, qofshin politika zhvillimore, LDK-ja duhet të hyjë në një proces, i cili është i qartë, konkret dhe i jep mundësi gjithkujt që të shohë veten, të jetë konkurrues dhe të jetë pjesë e kësaj politike në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kanë kaluar më se gjashtë muaj prejse koalicioni aktual qeverisës PDK-LDK udhëheq vendin. Cili mendoni se ka qenë roli i LDK-së në këtë koalicion?

LUTFI HAZIRI
Vetë motivi i krijimit të koalicionit të madh, kuq e zi në atë kohë, ka pasur të bëjë me vendosjen e qeverisjes stabile, e cila garanton siguri, garanton rend, rregull, qetësi politike, në mënyrë që përmbyllja e procesit të statusit të ndodhë. Kjo ka ndodhur – miratimi dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës, miratimi i simboleve dhe akteve tjera që lidhen me pakon e presidentit Ahtisaari, legjislacioni dhe shumë veprime të tjera.

Është treguar funksionale, edhe pse pritet që në të ardhmen të vlerësohet. Sot, LDK-ja ka marrë vendim që për çdo periudhë kohore tremujore, ministrat e saj, udhëheqësit apo bartësit e politikave në institucionet qendrore dhe lokale, do t’i nënshtrohen një analize, një vlerësimi të punës dhe lideri i partisë, kryesia e saj, do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm.

Ne jemi të interesuar që pesha jonë politike në institucionet qendrore të jetë për aq sa e ka LDK-ja dhe roli ynë është pozitiv. Ne atje kemi deleguar njerëz që të punojnë, të jenë përgjegjës para institucioneve, para popullit të Kosovës dhe t’i realizojnë objektivat politike dhe programin zhvillimor të qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia ka kërkuar që çështja e pavarësisë së Kosovës të kalojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nëse në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kalon kjo kërkesë, si mendoni se do të reflektojë ajo?

LUTFI HAZIRI
Serbia, parimin legal, e ka pasur një ndër argumentet kryesore edhe në negociata. Serbia po vazhdon tash të rrëshqasë prej motiveve që deri dje kanë qenë kryesisht të lidhura për këtë parim, drejt organeve ndërkombëtare, për të kërkuar interpretime legale në rastin e Kosovës si rast sui generis, sepse është trajtuar si i tillë.

Është derë e vogël, për të krijuar probleme të mëdha. Faktikisht, ata arritën që propozimi i tyre të kalojë në agjendën e OKB-së, por nuk e ndal procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Kosova është pavarësuar, de facto është e pranuar ndërkombëtarisht prej shteteve të mëdha; pritet të ecë njohja.

Komplikimi kryesor që mund të ndodhë është te shtetet që kanë hezitime dhe shtetet që nuk e shohin me sy të mirë këtë proces zhvillimor në Kosovë, që të presin. Pritja mund të jetë me vite, sepse ky organ i drejtësisë merr kohë dhe merr angazhime konkrete.

Krejt çka mund të ketë efekt është në ngadalësimin e një dinamike të pranimit ndërkombëtar sa më të madh të Kosovës apo në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Por, anëtarësimin e Kosovës në organizatat tjera multilaterale, integrimin e Kosovës nuk mund ta pengojë, sepse janë organet tjera që vendosin.

Sidoqoftë, Kosova ka hyrë në një rrugë, e cila nuk mund të pengohet nga askush. Si shtet sovran, është integruar në familjen e popujve sovranë.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i BE-së për sundim të ligjit dhe polici, EULEX, ka intensifikuar këto ditë zbarkimin e tij në Kosovë. Çështje problematike akoma mbetet veriu i Kosovës. Çfarë mendoni ju?

LUTFI HAZIRI
Unë do të thosha se çështje problematike mbetet qëndrimi politik i Serbisë zyrtare, i Beogradit zyrtar, sepse ajo politikë është dirigjuese në raport me serbët e Kosovës. Në çdo rrethanë politike është munduar dhe po punohet në integrimin e komunitetit serb në Kosovë në institucionet e Kosovës. Ata janë faktorët kyçë që mund të ndikojnë apo mund ta përshpejtojnë apo ngadalësojnë këtë proces.

Siç po shihet, edhe më tutje ky problem mbetet i tillë; përderisa Beogradi vazhdon të jetë në pozita të njëjta politike, problemet do të vazhdojnë të jenë të njëjta. Ajo që ne duhet të bëjmë, duhet që të kemi plan, strategji konkrete se si duhet të afrohen, se si duhet të hapet dera për komunitetin etnik; përveç obligimeve që tash i kemi kushtetuese, do të bëjmë ofertë të vazhdueshme.

Oferta nuk nënkupton detyrim. Ne e bëjmë ofertën, nëse e pranojnë – mirë, nëse nuk e pranojnë – nuk mund t’i detyrojmë të pranojnë diçka. Por, është një proces ndoshta i mërzitshëm, i ngadalshëm, por ndikimet negative i ka në Kosovë dhe këto ndikime mund të zbuten vetëm nëse arrijmë t’i konkretizojmë veprimet tona politike dhe me mjete politike ta integrojmë komunitetin dhe ta vendosim nën kontroll territorin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG