Ndërlidhjet

Vazhdon punimet Asambleja e Përgjithshme


Presidenti i Ukrainës Viktor Yushchenko kërkoi nga vendet e OKB-së në Asamblenë e Përgjithshme, që të mbrojnë një nga parimet e saj kryesore- sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve anëtare.

"Ne shqetësohemi thellë për shmangiet nga principet e OKB-së- si përdorimi i forcës e ringjallja e retorikës së Luftës së Ftohtë. Këto procese paraqesin kërcënim potencial për shtetësinë e Ukrainës, por edhe të vendeve tjera në rajon", ka thënë Yushchenko, duke iu referuar invazionit rus në Gjeorgji.

Në ditën e dytë të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, presidenti afgan Hamid Karzai ka thënë se terrorizmi është sfida më e madhe jo vetëm për vendin e tij, por edhe për Pakistanin dhe Indinë.

"Terrorizmi nuk do shuhet, derisa ne nuk i shkatërrojmë institucionet, që sponsorizojnë terroristët në rajon. Kjo do bëhet e mundur vetëm nëse ka angazhim të sinqertë rajonal dhe bashkëpunim ndërkombëtar", ka thënë Karzai.

Ndërsa, presidenti i Izraelit Shimon Peres ka kritikuar Iranin se paraqet rrezik për tërë botën.

"Në qendër të dhunës dhe fanatizmit qëndron Irani. Ai paraqet rrezik për tërë botën", ka thënë Peres.

Më herët, presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinejad ka thënë se Irani do ta mbrojë të drejtën e vet për energji bërthamore përkundër siç i quajti disa "përpjekjeve frikësuese" për ta penguar.
XS
SM
MD
LG