Ndërlidhjet

"MPJ: Mala i padëshiruar në Zvicër"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
UNMIK-u ka paralajmëruar intensifikimin e bisedimeve me Serbinë me qëllim të zgjidhjes sa më të shpejtë të mundshme të tri çështjeve me rëndësi, kthimin e pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës, kthimin e Doganave në veri dhe funksionalizmin e gjykatave në Mitrovicë. Bisedimet duhet të bëhen me autoritetet e Beogradit, për arsye se janë vetë ato të cilat nëpërmjet strukturave paralele në Kosovë kanë arritur të sfidojnë UNMIK-un dhe institucionet e Kosovës në pjesën veriore të vendit. Zyrtarë të UNMIK-ut kanë pohuar të mërkurën se nga bisedimet presin rezultate konkrete javën e parë të tetorit, kur pritet të realizohet edhe një takim ndërmjet kryeadministratori Lamberto Zannier dhe të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq. "Janë disa çështje të rëndësishme që duam t'i zgjidhim sa më shpejt që të jetë e mundur, si kthimi i oficerëve serbë të policisë, doganat dhe gjykatat", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, në konferencën për media. Ai tha se nuk dihet saktësisht se kur mund të jenë operacionalë policët serbë, doganat dhe gjykatat në veri të Kosovës. "Nuk mund të jap afate, sepse kjo varet nga bisedat. Kjo nuk është diçka që mund ta bëjmë vetëm, me Beogradin, por ka të bëjë edhe me Beogradin e Prishtinën, gjë të cilën ne po e lehtësojmë. Por, shpresojmë se do t'i kemi të zgjidhura këto probleme deri në fund të vitit”. Ivanko e ka mohuar që shpërndarja e EULEX-ii nëpër territorin e vendit të jetë parciale...

ZËRI
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar dje paketën e masave të domosdoshme drejt reformimit të partisë, një grup dokumentesh ky që një javë më parë Kryesisë së LDK-së i ishte prezantuar si propozim-paketë nga kryeshefi ekzekutiv i LDK-së, Blerim Kuçi, dhe që në fund të takimit ishte miratuar në parim nga Kryesia e partisë. Në fakt, fjala është për dokumentin të cilin "Zeri" e ka botuar në numrin e kësaj të hëne. Kjo paketë e masave për reformimin e LDK-së përmban listën e çështjeve prioritare për debat brendapartiak dhe për marrje të vendimeve, ndërsa si pjesë e kësaj pakete janë miratuar edhe 21 vendime që kanë të bëjnë me disa fusha, duke nisur nga fusha administrative e deri te vendimet për procesin e mirëfilltë për reformimin e LDK-së. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha dje pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së se kjo kryesi formalizoi vendimin për miratimin e pakos së propozimeve. "Ky është një hap i madh drejt përcaktimit të procesit të reformave, me të cilin ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe. LDK po ecën drejt qartësimit të procesit, krijimit të ambientit politik për të hyrë në këtë fazë edhe në funksionalizimin e rolit të vet në institucione edhe në jetën politike, por edhe në reformimin e plotë që e pret", deklaroi Haziri. Ai ka premtuar se procesi i reformave do të ndryshojë shumëçka në Lidhjen Demokratike të Kosovës...

KOSOVA SOT
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Albana Beqiri, konfirmoi se Berna zyrtare ka njoftuar se i ngarkuari me punë atje, z. Naim Malaj, nuk është i preferuar, pa specifikuar asnjë lloj arsyeje, çka edhe sipas Konventës së Vjenës, por edhe praktikave diplomatike, nuk e kanë obligim. "Ministria e Jashtme e Kosovës është në proces të përcjelljes së këtij informacioni presidentit dhe kryeministrit të vendit, të cilët edhe e kanë propozuar dhe nominuar z. Malaj, me qëllim që të marrin një vendim tjetër në pajtim me rrethanat", tha znj. Beqiri. Në bazë të informacioneve mediatike, autoritetet e këtij vendi nuk e kanë pritur mirë emërimin e Naim Males në postin e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e ardhshme të Kosovës në Bernë, pas i apostrofuari, siç thuhet, ka një dosje policore në Zvicër. Deri me 15 tetor të këtij viti, të ngarkuarit me punë do të marrin zyrtarisht drejtimin e ambasadave të Kosovës në shtetet e jashtme, përveç një të ngarkuari për të cilin shteti zviceran nuk ka dhënë pëlqimin. Ky qëndrim i shtetit zviceran ka ardhur pasi Ministria e Jashtme e Kosovës i ka dërguar nota verbale qeverive të 10 vendeve, ku janë akredituar ambasadat e Kosovës, nëpërmjet të cilave i ka njoftuar me emrat e 10 të propozuarve për të ngarkuar me punë në këto shtete...

EPOKA E RE
Ministri i jashtëm, Lulzim Basha, është shprehur, gjatë një takimi në Nju Jork me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, "kundër çdo paralelizmi me Kosovën dhe procesin e pavarësimit të saj". Zyra e Shtypit e Ministrisë së Jashtme ka njoftuar të mërkurën se gjatë punimeve të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ministri Basha ka pasur takime me disa homologë të tij, mes të cilëve dhe ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, me të cilin ka diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajonin e Evropës juglindore, situatën në Gjeorgji dhe në Rajonin e Detit të Zi. Duke u ndalur te çështja e Kosovës ministri Basha ka theksuar natyrën unike të saj. "Zhvillimet në Kosovë demonstrojnë se shpallja e pavarësisë i shërbeu paqes dhe demokracisë në rajon", ka nënvizuar ministri Basha në takimin me homologun e tij rus. Ai ka theksuar gjakftohtësinë dhe moderacionin që karakterizoi Qeverinë e Kosovës përballë sfidave pas shpalljes, si dhe është shprehur se "Kosova do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore"...

KOHA DITORE
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka marrë mbrëmë vonë premtimin nga homologu i tij maqedonas, Branko Cërvenkovski, se nuk do të vonojë shumë njohja e pavarësisë nga Shkupi zyrtar. Në takimin që është mbajtur me misionin diplomatik të Maqedonisë në Nju Jork, dy krerët e shteteve fqinje kanë diskutuar lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe për procesin e demarkacionit të vijës kufitare, është bërë e ditur mbas takimit. Për të dyja këto çështje është shprehur përkushtimi për përmbyllje sa më të shpejtë, i është thënë KTV-së nga delegacioni kosovar në Nju Jork. Me Cërvenkovskin mbrëmë është takuar edhe kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, i citi ka kërkuar mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Të njëjtën kërkesë ia ka bërë Tadiqi edhe homologut malazias, Filip Vujanoviq, me te cilin është takuar më pas edhe presidenti Sejdiu, duke i kërkuar njohjen sa më të shpejtë. Vujanoviq ka përsëritur se Mali i Zi do të sillet karshi Kosovës në atë mënyrë që të ruhet dhe të avancohet stabiliteti rajonal, që, sipas tij, është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi ende nuk ka marrë qëndrim as sa i përket rezolutës serbe për verifikimin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila pritet të jetë në rend të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fillim të tetorit. Në anën tjetër, delegacioni kosovar në Nju Jork ka vazhduar edhe të martën takimet me përfaqësues shtetesh të ndryshme dhe zyrtarë ndërkombëtarë...

INFOPRESS
Po vazhdon punimet sesioni i 63-të i Asamblesë Kushtetuese të Kombeve të Bashkuara. Liderët botërorë kanë bërë paraqitjet e tyre të para, ndërkaq janë zhvilluar edhe takime joformale, të cilat janë shfrytëzuar edhe për debat rreth Kosovës, shtimit të njohjeve dhe iniciativës serbe, që synon të dërgojë drejt Gjykatës Ndërkombëtare çështjen e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë se Kosovës... Gjatë të mërkurës edhe për një herë tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër propozimit të Serbisë. Po ashtu, vendet fqinje kanë rikonfirmuar pozicionet e tyre, që në rastin më të mirë duket se do të abstenojnë në votimin e kësaj nisme. Italia përmes ministrit te Jashtëm Franko Fratini ka deklaruar abstenimin lidhur me nismën serbe në Kombet e Bashkuara... Anëtarja tjetër e BE-së, Finlanda, nuk do të votoje kundër nismës serbe, por ministri i Jashtëm te Finlandës, Aleksander Stubb, e ka lënë te hapur mundësinë e abstenimit... Ndërkaq, kanë vazhduar komentet qe iniciativën serbe e shohin si një përpjekje të kotë dhe të pamundshme për të prodhuar ndonjë rezultat konkret. Madje, ka edhe prej atyre komenteve që nismën serbe e shohin si të disfavorshme edhe për vetë Serbinë. I tillë është vlerësimi i Volfgang Pietrisch, ish-ambasador i Austrisë në OKB. "Nisma serbe për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të shtyjë për një afat më të gjatë procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit në BE. Dhe, Serbia me ketë nismë ka humbur politikisht, duke rrezikuar anëtarësimin e saj në BE", ka thënë Pietrisch...

EXPRESS
Dhjetë emrat e parë që institucionet e Kosovës i kanë ngarkuar për të shërbyer si diplomatë nëpër shtete të botës janë pëlqyer vetëm pjesërisht nga vendet nikoqire. Përzgjedhja e tyre kishte marrë bukur kohë, mirëpo duket se dy liderët kryesorë të vendit, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, nuk kishin bërë zgjedhjen më të përshtatshme. Disa nga vendet ku Kosova do të ketë misionet diplomatike tashmë u kanë dërguar sinjale institucioneve se nuk janë impresionuar me përzgjedhjen. Burime të gazetës bëjnë të ditur se disa emra madje ishin refuzuar nga disa kryeqytete evropiane, e për disa të tjerë nuk është shprehur ndonjë admirim. "Franca fillimisht ka refuzuar njeriun e dytë që ishte paraparë për t’u dërguar në Paris, më pas është ndërruar dhe është dërguar një femër e cila është pranuar. Roma po ashtu ka pasur vërejtje për përzgjedhjen. Në Vjenë dhe në Bernë po ashtu nuk janë shfaqur entuziastë për përzgjedhjen që kanë bërë institucionet", kanë thënë burime të gazetës. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kishin shpenzuar një kohë relativisht të gjatë për të gjetur emrat e te ngarkuarve me punë dhe njerëzve të dytë për ambasadat e Kosovës. Por, përgjegjësia institucionale për këta emra bie mbi Ministrinë e Punëve të Jashtme. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar të mërkurën për Express se çdo reagim që mund të vijë për këtë çështje, e ka për adresë Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kuçi thotë se MPJ është dashur të verifikojë emrat para se të bëhet miratimi nga Qeveria e Kosovës...
XS
SM
MD
LG