Ndërlidhjet

Bush: Të mbrohet ekonomia amerikane

  • RFE /RL

Presidenti Bush duke folur për krizën financiare, 24 shtator 2008.

Presidenti Bush duke folur për krizën financiare, 24 shtator 2008.

Presidenti amerikan, George Bush, mbrëmë vonë, ka bërë apelin e tij më dramatik deri tash, që Kongresi ta miratojë propozimin e administratës së tij për shpëtimin e sektorit bankar të Shteteve të Bashkuara. Kjo paketë, që taksapaguesve amerikanë do t’u kushtojë 700 miliardë dollarë, tash po debatohet nga ligjvënësit në Kongres, ndërsa votimi për të pritet aty kah fundi i kësaj jave. Njëherësh, kriza aktuale financiare e ka vënë në dyshim edhe debatin e parë ndërmjet kandidatëve presidencialë, John McCain dhe Barack Obama.

Kriza financiare në Shtetet e Bashkuara po ndodh në një moment të jashtëzakonshëm, kur po mbyllen dy periudha: ajo e pjesës përfundimtare të mandatit të presidenti aktual, George Bush, dhe përfundimi i shpejtë i fushatës për zgjedhjet për president, që mbahen në fillim të muajit nëntor.

Presidenti Bush duket se po ballafaqohet me njërën nga sfidat më të mëdha gjatë presidencës së tij.

Për ta zbutur krizën aktuale financiare, që e ka shtrënguar Amerikën, administrata ka propozuar paketën prej 700 miliardë dollarësh, për ta ndihmuar sistemin bankar.

Por, ky propozim kërkon miratimin e Kongresit, ku ka pasur kundërshtime të fuqishme për shumë aspekte të kësaj nisme.

Mbrëmë, presidenti Bush iu drejtua kombit dhe kërkoi mbështetje për planin e administratës së tij.

“Përpjekja për shpëtim nuk ka për qëllim mbrojtjen e çfarëdo kompanie individuale apo industrisë. Ajo ka për qëllim mbrojtjen e ekonomisë së përgjithshme të Amerikës. Ajo do t'i ndihmojë konsumatorët amerikanë dhe bizneset që të mund të marrin kredi për t'i plotësuar nevojat e tyre ditore dhe për të krijuar vende të punës. Ajo, po ashtu, do të dërgojë sinjal te tregjet në mbarë botën se sistemi financiar i Amerikës është kthyer në binarë”,
tha presidenti Bush.

Këto fjalë paraqesin thelbin e stuhisë politike, që aktualisht po mbretëron në Shtetet e Bashkuara, rreth propozimit të administratës: formën që duhet ta ketë kjo masë e shpëtimit.

Shumë anëtarë të Kongresit amerikanë dëshirojnë siguri se nëse paratë e qeverisë shpenzohen, ato nuk do të humben.

Ka sinjale se marrëveshja ndërmjet qeverisë e Kongresit do të arrihet, por, megjithatë, dihen pak detaje.

Kundërshtarët kryesorë të propozimit të administratës thonë se tash është e qartë se paketa për ndihmë do të miratohet dhe se vetëm disa pika të saj duhet të zgjidhen.

Nga ana tjetër, kriza financiare po i rrezikon planet për mbajtjen e raundit të parë të debateve ndërmjet kandidatëve presidencialë, Barack Obama dhe John McCain, e planifikuar për nesër.

Kandidati republikan, senatori McCain, tha se po e ndërpriste fushatën e tij për t’u kthyer në Uashington.

“Ne duhet të takohemi si amerikanë, e jo si demokratë apo republikanë, dhe ne duhet të takohemi deri sa kjo krizë të zgjidhet. Unë e kam urdhëruar fushatën time që të punojnë me fushatën e Obamës për shtyrjen e debatit të së premtes, derisa të ndërmarrin aksion për ta shqyrtuar krizën”, tha John McCain.

Por, kandidati demokrat, senatori Barack Obama, e refuzoi shtyrjen e debatit, duke thënë se të dyja sfidat, zgjidhja e krizës financiare dhe zgjedhja e presidentit, janë të ndërlidhura.

“Besoj se kjo është saktësisht koha kur populli amerikan duhet të dëgjojë nga personi, i cili brenda afro dyzet ditësh, do të jetë përgjegjës për t’u marrë me këtë krizë financiare”, tha Obama.

E gjithë kjo po ndodh për shkak të asaj që ekonomistët e kanë cilësuar si krizë e përmasave historike në Amerikë.
XS
SM
MD
LG