Ndërlidhjet

Ramosaj: EULEX mund të ketë vetëm pasoja pozitive


Berim Ramosaj
Berim Ramosaj

“Serbët duhet të kuptojnë se me EULEX-in ndërtohet shteti juridik, me EULEX-in ecet përpara në afirmimin e të drejtave individuale, por edhe kolektive si minoritete”, thotë Berim Ramosaj, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ramosaj, fillimisht, si e shihini Kosovën sot, më shumë se shtatë muaj pas pavarësisë?

BERIM RAMOSAJ
E shoh Kosovën në atë kuptim që jemi kënaqur me ato ceremonitë e shpalljes së pavarësisë dhe kemi filluar të merremi me probleme të vërteta të qytetarëve, mirëpo në aspektin e ndërtimit institucional dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, nuk jemi të kënaqur me nivelin ekzistues.

Në kuptimin e afirmimit të Kosovës si shtet i pavarur, nuk mund të mos jemi të kënaqur, sepse jemi pranuar si shtet i pavarur prej vendeve që në shkallë botore janë vendimmarrëse dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik vendet që kryesisht përbëjnë dy të tretat e bruto-produktit botëror. Faktikisht, pranimi është mjaft kualitativ.

Mirëpo, ajo çka është e rëndësishme të theksohet, është se numri i vendeve nuk është i mjaftueshëm, i cili numër na nevojitet shumë për asamblenë e ardhshme në kuptimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit apo në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë me parë, anëtar të LDK-së kanë thënë se në kuadër të reformave brenda kësaj partie, mund të ketë edhe një bashkim të LDK-së me LDD-në. A mund të ndodhë një gjë e tillë?

BERIM RAMOSAJ
Në aspektin e përgjithshëm kjo do të ndodhte në vendet që kanë emancipim më të lartë politik ndoshta, por kur është fjala te Kosova, që emancipimi politik edhe i partive politike, edhe i klasës politike, nuk është në shkallën e duhur, dhe mentaliteti mjaft provincial i kosovarëve, unë dyshoj në një gjë të tillë.

Duke marrë parasysh rrjedhat e zhvillimeve, qoftë në nivel të Lidhjes Demokratike të Kosovës, qoftë në nivel të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, nuk shoh shumë pika të përbashkëta.

LDK-ja është shndërruar në një servis të thjeshtë të koalicionit, respektivisht të partisë që ka fituar zgjedhjet, PDK-së, dhe zëri i saj qoftë në nivel qeverie, qoftë në nivel Parlamenti, gati që është vetëm mbështetës i vendimeve të mëdha që i sjell Partia Demokratike. Nuk ka mundur të tregojë se është një parti që di çka do dhe ndërton politikë të pavarur.

Andaj, me këtë formë, me këtë mentalitet të zhvillimit të saj, pa një lider, dyshoj që ka fuqi të reformohet dhe ka fuqi për ndonjë bashkim eventual me ndonjë forcë të re politike.

Ndërsa, sa i përket LDD-së, ne jemi parti e re e formuar, edhe pse anëtarësia është kryesisht e asaj partisë së vjetër, mirëpo jemi konsoliduar mjaft në aspektin e ndërtimit të degëve, në aspektin edhe regjional, edhe funksional, dhe jemi në ndërtim të identitetit tonë si parti, që identiteti shihet më tepër nga profilizimi politik, që nuk jemi shumë të lidhur me individë, por jemi të lidhur me program, e cila gjë mungon te LDK-ja.

Ata kanë nevojë të reformohen, ndoshta kanë nevojë të shndërrohen njëherë në një jo parti, për t’u bërë parti. Po thirrem në atë thënien e Shon Peterit - kreativiteti ndodhet në kaos -. Kaosi ende nuk e ka përfshirë tërësisht LDK-në, por nëse e përfshin një kaos dhe ndërtohet diçka e re, ka mundësi për kreatura të reja dhe kualitative.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga partitë opozitare, së fundi janë mbajtur disa takime, siç thuhet, për formimin e një blloku opozitar në Parlament. Deri ku keni arritur në ketë drejtim dhe çka po synohet me këtë nismë?

BERIM RAMOSAJ
Thënë të vërtetën, kemi pasur takime dhe ato takime kanë qenë të karakterit mjaft të rregullt me dy partitë tjera opozitare. Përfaqësuesit e tri partive janë takuar herën e fundit dhe në njëfarë forme kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim jo në nivelin e një koalicioni klasik, por një marrëveshje për mirëkuptim në aspektet e përgjithshme, kur është fjala për bllokun opozitar.

Procesi është duke shkuar mirë, të tre liderët e tri partive kanë arritur marrëveshje në kuptimin e asaj që vërtet të funksionojnë si opozitë. Kemi telashe të natyrave organizative, funksionale, që janë telashe në vetë partitë opozitare, që nuk janë të homogjenizuara në aspektin e një mentaliteti, një vendimi të përbashkët, që një e gjë e tillë vërehet te AKR-ja dhe te AAK-ja, te ne ndoshta nuk është e theksuar në LDD.

Për një bllok opozitar nuk është e mjaftueshme që vetëm tre liderët të shprehin vullnet, ata duhet të punojnë me partitë e tyre dhe t’i bindin partitë e tyre se janë më kualitativë, janë më të zëshëm, janë më të fuqishëm nëse janë si bllok opozitar. E ajo bindje ende nuk ka ndodhur dhe mu për atë nuk ka ndodhur as koalicioni opozitar në kuptimin e ndërtimit të një opozite me një zë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një ndër çështjet që do të diskutohen, do të jetë edhe iniciativa e Serbisë për Kosovën. Si mendoni ju, a do të kalojë kjo iniciativë dhe nëse po, cilat do të jenë pasojat?

BERIM RAMOSAJ
Është folur shumë për këtë iniciativë. Në aspektin diplomatik shihet se Serbia është mjaft e fuqishme, se ka infrastrukturë të fuqishme në botë, ka ambasada, ka konsullata, ka miq të mëdhenj, të cilët i shfrytëzon si kreaturë e ish-Jugosllavisë.

Mirëpo, unë mendoj se krejt kjo luftë diplomatike e Serbisë dhe fjalimi i fundit i Tadiqit që e kishte në Këshillin e Sigurimit, janë veprime politike që bëhen për konsumin e brendshëm të Serbisë. Edhe ata janë të bindur se edhe nëse kalon iniciativa e tyre në Këshillin e Sigurimit dhe shkon në gjykatën për çështje të caktuara, nuk mund të prodhojë efekte negative. Këtë e kanë thënë edhe juristët.

Efektet politike negative që mund të prodhohen, mund të jenë të natyrës së neglizhencës apo të ngadalësimit në aspektin e pranimit të disa shteteve, të cilat janë të gatshme ende të respektojnë kreaturën e Kombeve të Bashkuara dhe i konsiderojnë ende Kombet e Bashkuara si një strumbullar të fuqishëm edhe për shtetet tjera.

Ndërsa, kur është çështja te shtetet sovrane, çështja e pranimit të Kosovës është çështje individuale e shteteve, është e lidhur me sovranitetin e shtetit, nuk është e lidhur fare me Këshillin e Sigurimit, as me ndonjë gjykatë eventuale. Andaj, në aspektin e përgjithshëm të zhvillimeve politike në Kosovë, nuk do të ketë ndryshime.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Bashkimi Evropian EULEX ende është duke kaluar nëpër disa procese për fillimin e punës në veri të Mitrovicës. Si e shihni ju këtë çështje dhe situatën në atë pjesë të Kosovës?

BERIM RAMOSAJ
Mosprezenca e EULEX-it në pjesë të caktuara të enklavave serbe ka pasoja në mentalitetin e serbëve që nuk dëshirojnë të integrohen në jetën politike në Kosovë. Ata mendojnë se me prezencën vetëm të UN-it në ato enklava, mund të përfitojnë dhe mosprezenca e EULEX-it për ta është njëfarë justifikimi që ende nuk është shtrirë autoriteti i Kosovës, që është një qasje shumë e gabueshme e tyre.

Ata duhet të kuptojnë, edhe serbët, edhe autoritetet serbe në Serbi, edhe serbët që punojnë këtu brenda kundër integrimit, se EULEX-i mund të ketë vetëm pasoja pozitive. Me EULEX-in ndërtohet shteti juridik, me EULEX-in në fakt mund të ecet përpara në afirmimin edhe të të drejtave individuale si qytetarë, por edhe të drejtave kolektive si minoritete.

Andaj, mosshtrirja e EULEX-it jo vetëm që është një dobësi për ne, për organizatën ndërkombëtare, por në fakt, në fund të fundit, do të ketë pasoja negative edhe për vetë serbët.
XS
SM
MD
LG