Ndërlidhjet

BDI kundërshton procesuimin e lëndëve të Hagës në Maqedoni


Bashkimi Demokratik për Integrim kundërshton kërkesën e Gjykatës së Shkupit për marrjen e imunitetit deputetit Hisen Xhemaili. Ai është një nga personat e akuzuar për keqtrajtimin e punëtoreve maqedonas të firmës ndërtimore Mavrova, gjatë konflikttit të vitit 2001.

Nisma e gjykatës ka hyrë edhe në procedurat parlamentare, por koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Tahi Hani, thotë se të gjitha lëndët që janë kthyer nga Tribunali i Hagës, përfshihen me Ligjin e amnistisë, andaj edhe janë të papranueshme kërkesat dhe fillimi i procedurave për marrjen e imunitetit deputetit Xhemaili.

“Qëndrimi i BDI-së është mjaft i qartë; duhet të respektohet Ligji i amnistisë, i cili është miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë dhe i obligon gjykatat që të respektojnë këtë ligj. Të gjitha veprimet që janë ndërmarrë për organizimin e konfliktit në vitin 2001 dhe pjesëmarrja në këtë konflikt, i nënshtrohen Ligjit për amnisti, i miratuar nga Kuvendi”.

“Këtë duhet ta respektojnë edhe gjykatat, pasi për këtë janë të obliguara me Kushtetutë”, tha Tahir Hani, duke shtuar se të gjitha lëndët që janë kthyer nga Haga, janë nën juridiksionin e gjykatës ndërkombëtare për krime lufte dhe do të ishte e pakuptimtë për të njëjtat të fillojnë procedura të reja gjyqësore, kur ato në mungesë të fakteve janë mbyllur nga Tribunali ndërkombëtar.

Edhe ekspertët për çështje juridike shprehen të habitur me veprimin e gjykatave vendase, të cilat, sipas Jeton Shasivarit, po shkelin mbi Ligjin e amnistisë.

“Jam i bindur se këto katër raste duhet të përfshihen me Ligjin për amnisti dhe çdo veprim për procesuimin e tyre, nga cilido qoftë organ shtetëror, lidhur me këto raste, paraqet shkelje flagrante dhe drastike të Ligjit për amnisti dhe të parimit të sigurisë juridike për të gjithë shtetasit e Maqedonisë”, tha Shasivari.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare në opozitë ka kundërshtuar procedurat e reja gjyqësore për konfliktin e vitit 2001 dhe ka paraqitur kërkesë për interpretimin e Ligjit për amnisti nga Kuvendi i Maqedonisë, i cili edhe e ka miratuar të njëjtin.

Zoti Shasivari ka mirëpritur këtë nismë, duke thënë se partitë duhet të shtjerrin të gjitha mundësitë institucionale për parandalimin proceseve të reja gjyqësore.

“Mendoj se përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti, do të eliminohen të gjitha dilemat që kanë dalë kohëve të fundit lidhur me procesuimin penal të katër rasteve të Hagës”, tha eksperti për çështje juridike, Jeton Shasivari.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se Ligji për amnisti mund të interpretohet vetëm nga ekspertët ndërkombëtarë, por jo edhe nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Ligji është i qartë, mjaft decid dhe nuk do koment. Pra, kemi amnisti absolute, përveç për veprat që janë nën juridiksionin e Tribunalit të Hagës. Nëse duhet të bëhet interpretim ndërkombëtar, atëherë këtë mund ta bëjnë vetëm ekspertët ndërkombëtarë”, deklaroi Tahir Hani.

Përveç deputetit Hisen Xhemaili, në shënjestër të organeve gjyqësore janë edhe deputetë tjerë të BDI-së, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që e tërë udhëheqësia e lartë e BDI-së të gjendet para trupit gjykues, kjo për faktin se për tri veprat tjera akuzohen drejtuesit më të lartë të UÇK-së, që në fakt janë edhe drejtuesit e BDI-së, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeveritar.

Ekspertët dhe analistët vendas nuk përjashtojnë mundësinë e tensionimeve të reja ndëretnike, nëse tentohet që me çdo kusht të ketë procese gjyqësore për katër lëndët që janë kthyer nga Tribunali i Hagës.
XS
SM
MD
LG