Ndërlidhjet

BE-ja të flasë me zë unik në OKB


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës presin që BE-ja të ketë një qëndrim të përbashkët, i cili do të ishte në favor për vendin lidhur me rezolutën e Beogradit zyrtar që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shprehet për pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Henk Voskamp, rithekson mbështetjen e Qeverisë holandeze për këtë çështje.

Autoritetet qendrore në Kosovë presin që Bashkimi Evropian të ketë një qëndrim unik dhe mbështetës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me rezolutën e Serbisë, e cila vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, e që i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shprehet për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet i bindur se BE-ja do të flasë me një zë të arsyeshëm, i cili, sipas tij, nënkupton mosmiratimin e kërkesës serbe. Kreu i ekzekutivit kosovar beson se edhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat akoma nuk kanë njohur shtetësinë e Republikës, do të veprojnë në kuadër të një vendimi të përbashkët të 27 shteteve anëtare të BE-së.

"Ne duam që BE-ja të reagojë në mënyrë unike dhe konfirmimi është që do të reagojë në mënyrë unike për Kosovën në përkrahjen tonë. BE-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik”.


“Edhe ato vende që nuk e kanë njohur, disa prej tyre kanë pranuar pasaportën e Kosovës dhe janë në procedurë të njohjes së shtetit, ndërsa ato që nuk e kanë njohur ende, janë në përkrahje të plotë të Kosovës dhe janë prezente në Kosovë edhe në administratën civile ndërkombëtare, edhe në KFOR", tha kryeministri Thaçi.

Rëndësia që Bashkimi Evropian të shprehet njëzëshëm për Kosovën gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në New York theksohet edhe nga Ambasadori i Holandës në Kosovë, Henk Voskamp, i cili për Radion Evropa e Lirë shpreh qëndrimin e shtetit holandez lidhur me këtë çështje.

"Këto politika po bëhen në New York, por mund t'ju siguroj se unë personalisht shpresoj, gjë që është edhe qëndrim i Qeverisë holandeze, se do të ishte shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të flasë me një zë", thotë Voskamp.

Ambasadori holandez rithekson mbështetjen e Holandës për pavarësinë e Kosovës dhe e quan të panevojshëm çfarëdolloj reagimi edhe në rast të miratimit të kërkesës së Beogradit zyrtar për të vënë para drejtësisë ndërkombëtare çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

"Duhet të vështrojmë këtë për një periudhë më të gjatë kohore. Nuk mendoj se duhet të mbireagojmë po qe se aprovohet kjo rezolutë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një organ i rëndësishëm dhe legjitim dhe është e drejtë e tij të japë një mendim këshillues për çfarëdo teme. Qëndrimi i Holandës është se ne nuk kemi dyshime për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, përndryshe nuk do ta njihnim atë si shtet", shton ai.

Ndërkohë, opozita në Kosovë thekson nevojën e një lobimi të fuqishëm për Kosovën në New York. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se Bashkimi Evropian duhet të ketë një qëndrim të përbashkët sa i përket rezolutës serbe, por duhet që edhe të kushtëzojë integrimin e Serbisë në BE me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Meqenëse Serbia nuk e ka njohur Kosovën, është mirë që t'i parashtrohet kërkesa Serbisë që t'i njohë kufintë ndërkombëtarë, si dhe të tregojë se është e aftë që të zhvillojë fqinjësi të mirë, sepse është kusht për të hyrë në BE. Mendoj se BE-ja nuk duhet të lëshojë pe në këtë aspekt", thotë Syla.

Kërkesa e Qeverisë serbe që të vë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e pavarësisë së Kosovës, ka hyrë kohë më parë në rend të ditës së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Për t’u miratuar nga ky mekanizëm, rezolutës serbe do t'i nevojitet mbështetja e 51% të 192 shteteve anëtare të OKB-së.
XS
SM
MD
LG